Spitali Rajonal në Pejë rrezikon të mbetet pa mjekë specialistë

  • 24 October 2016 - 20:07
Spitali Rajonal në Pejë rrezikon të mbetet pa mjekë specialistë

Mjekët duan t'u njihet stazhi i beneficuar i punës

Drejtuesit e Spitalit Regjional në Pejë ankohen se askush nuk i pyet për ndarjen e specializimeve dhe nevojat që spitalet kanë për specializantë

Spitali Rajonal në Pejë, dikur njëri ndër spitalet rajonale më të kompletuara me kuadër profesional në nivel vendi, nga dita në ditë po varfërohet nga ekspertët e fushave të ndryshme dhe po rrezikohet të mbesë pa kudër të vetin profesional. Kjo vjen për shkak se mosha mesatare e tyre i ka kaluar të 55-at, kurse për përgatitjen e kuadrit të ri profesional, ky spital ashtu sikurse edhe spitalet e tjera nuk kanë asnjë ingerencë, ngase nuk kanë mjete për të përgatitur kuadrot që i duhen. Lëre që ata nuk kanë buxhet për këtë, por askush nga niveli qendror nuk i pyet për ndarjen e specializimeve dhe nevojat që spitalet kanë për specializantë. Drejtuesit e spitalit paralajmërojnë se nëse një praktikë e tillë edhe më tej do të vazhdojë, ky spital për pesë - gjashtë vjet do të ngelë pa gjysmën e stafit të tij profesional, shkruan gazeta Kosova Sot.

Disa reparte rrezikojnë me mbyllje

Spitali Rajonal në Pejë ka nën përkujdesje të shëndetit sekondar afro 400 mijë qytetarë të rajonit të Pejës, ku gravitojnë qytetet, siç janë Istogu, Klina, Deçani dhe Juniku. Në këtë spital dhe ambulancat specialistike të tij çdo ditë qytetarët e rajonit kërkojnë dhe shfrytëzojnë shërbimet specialistike dhe ato spitalore, ku ofrohen shërbime shumë cilësore dhe është njëri ndër më të mirët në nivel vendi. Drejtor i këtij spitali, Skender Dreshaj, shprehet se investimet e shumë donatorëve nga jashtë, në veçanti atyre nga Italia, por edhe trajnimet e shumta të stafit mjekë- sor dhe atij teknik, kanë bërë që cilësia e shërbimeve shëndetësore të jetë më e avancuar, ani pse ashtu sikurse në mbarë shëndetësinë kosovare, edhe ky spital ka pasur dhe akoma ka defektet e veta. Problem më të madh të këtij spitali, i cili ka filluar të ndihet që tani dhe do të ashpërsohet edhe më shumë, për menaxhmentin e tij ngelet mplakja e kuadrit profesional. "Tanimë mosha mesatare e mjekëve specialistë të këtij spitali është 55 vjeç, që do të thotë se tani kemi mjekë që kanë kaluar të gjashtëdhjetat. Nuk është moshë edhe aq e shtyrë, por kur të marrim parasysh se nëpër krejt çka kemi kaluar si mjekë në këtë spital, duke filluar nga vitet e 90-ta, ato të luftës dhe periudhat e rënda të pasluftës dhe stërngarkesa që ka pasur ky staf në ofrimin e shërbimeve mjekësore, atëherë edhe kjo moshë mbi supet e tyre është shumëfish më e rëndë", thotë drejtori Skender Dreshaj. Ky spital ka pasur një repart shumë profesional të Ortopedisë me mjekë shumë të zotë që i kanë pasur lakmi shumë spitale të tjera, por tanimë ky repart po rrezikohet, ngase shumica e tyre janë në prag të pensionimit. "Tani ky repart rrezikohet që të mbesë në një apo dy mjekë dhe as për së afërmi nuk mund t'i plotësojnë nevojat", thotë Dreshaj. 

Mungesa e anesteziologëve

Edhe Reparti i Infektologjisë ka ngelur në dy mjekë, edhe ata për pak vite plotësojnë moshën e pensionimit, ndërkaq, nga 14 anesteziologë që duhet të ketë ky spital, tani ka vetëm tre sish. "Asnjëherë nuk ia kemi dalë që të kemi kuadër të mjaftueshëm të anesteziologëve. Edhe repartet e tjera nuk janë shumë më mirë se këto", ankohet drejtori Skender Dreshaj, duke shtuar se edhe stafi i mesëm, apo kuadri teknik, më shumë se gjysma e tyre kanë kaluar një moshë premtuese, dhe shumica nga ta çdo ditë e më shumë e kanë të vështirë të përballen me sfidat e punës. Drejtori Skender Dreshaj shprehet se shteti nuk i ka trajtuar asnjëherë si duhet punëtorët shëndetësorë. "Nëse një motër medicinale apo një teknik medicinal që ka punuar 30 vjet në këtë spital, me ndërrimet e natës sipas një llogarie del që ai apo ajo ka punuar dhjetë vjet në ndërrimin e natës, që pa dyshim se është një punë shumë e rëndë dhe, sipas meje, ishte dashur më ligj të rregullohet që kësaj kategorie t'i njihet stazhi i beneficuar i punës, ashtu sikurse minatorëve", shprehet Dreshaj, duke shtuar se edhe përkundër një përvoje të madhe të tyre, nga kjo pjesë e stafit të mesëm nuk mund të kërkohet më shumë. "Kur kemi parasysh se brenda një viti, ky spital ofron mbi 70 mijë vizita specialistike, shërbime spitalore brenda vitit marrin 15-16 mijë qytetarë të këtij rajoni me afro 120 mijë ditë qëndrimi dhe shërimi në këtë spital, atëherë shqetësimet tona për mplakjen e kuadrit specialistik, por edhe atij të mesëm jo që janë shqetësuese, por ato po i ofrohen vijës se kuqe për alarm", thotë drejtori Dreshaj. Sipas tij, spitalet rajonale nuk kanë asnjë ingerencë për përtëritjen e kuadrit dhe ndarjen e specializimeve. Ai ankohet se askush nuk i pyet për ndarjen e specializimeve dhe nevojat që spitalet kanë për specializantë. Dreshaj shprehet se është koha e fundit që të ndryshojnë këto praktika të deritashme dhe spitalet të jenë ato që thonë fjalën përfundimtare për ndarjen e specializimeve, sipas nevojave që ato kanë dhe jo siç po ndodh këto 15-16 vjet të pasluftës.

(Kosova Sot)