Nga një ish i burgosur, në biznesmenin multimilioner

  • 27 October 2016 - 18:31
Nga një ish i burgosur, në biznesmenin multimilioner

Rafati i varur nga droga, ishte afër vdekjes në vitin 2001

Trembëdhjetë vjet më parë, Khalil Rafati ishte i pastrehë, i varur nga heroina dhe jetonte në lagjen famëkeqe të Los Anxhelesit, "Skid Row". Ai ishte i dobësuar, i mbuluar me puçrra, derisa sot ai është - milioner. Rafati është pronar i "SunLife Organics", një zinxhiri të dyqaneve të lëngjeve, i cili është zgjeruar nga vendlindja e tij me diell, Malibu, në gjashtë lokalitete të ndryshme në Los Anxheles. Lëngjet e kësaj firme, të cilat konsumohen rregullisht nga emra të njohur, si David Duchovny dhe frontmeni i bendit "Red Hot Chili Peppers", Anthony Kiedis, janë bërë aq të njohura, sa që njerëzit presin në radhë për të blerë lëngjet që mbajnë emra të tillë, si 'The Elixir of Life' dhe 'The Happy', transmeton gazeta Kosova Sot.

Rafati provoi heroinën

Për vetëm pesë vjet të shkurtra, Rafati, i cili tani ka 46 vjet, ka krijuar një perandori lëngjesh, të ndërtuar mbi pijet për të cilat thotë se ia kanë shpëtuar jetën. Kur Rafati arriti për herë të parë në Los Anxheles, dukej sikur çdo gjë shkonte më mirë sesa që kishte planifikuar ai. I linduri në Toledo të Ohajos, kishte vozitur "nonstop" nga vendlindja e tij deri te Qyteti i engjëjve, me qëllim që të ikte nga një fëmijëri e mbushur me abuzim seksual. Dhe, nuk vonoi e Rafati arriti sukses në Hollivud, duke nisur biznesin e tij që kishte të bënte me vetura sportive. Klientët e tij përfshinin emra si Elizabeth Taylor, kitaristin e bendit "Guns N' Roses" Slash, si dhe aktorin fitues të çmimit 'Oskar', Jeff Bridges. Por, Rafati në të njëjtën kohë merrej edhe me shitje të marihuanës, ketaminës dhe ekstazës. Por, një natë, Rafati provoi heroinën. Ai e përshkruan këtë moment në memoaret e tij, të quajtura "I Forgot To Die", sikur droga ia kishte ofruar fëmijërinë të cilën e kishte dashur gjithmonë. Por, Rafati shumë shpejt u bë i varur nga droga, duke qenë shumë afër vdekjes në vitin 2001 kur e teproi me heroinë gjatë një ndeje në Malibu. Mjekët ia shpëtuan jetën, por një vit më vonë, ajo po ashu u gjet në rrezik për jetë, kur sulmuesit e armatosur e gjuajtën me armë zjarri. Ai ishte duke shitur drogë.

Rafati përkushtohet ndaj shëndetit pa alkool

Rafati hapi dyqanet e para "SunLife Organics" në vitin 2011, pasi që lëngjet e tij ishin bërë të njohura në Qendrën e rehabilitimit "Riviera" - një shtëpi të cilën ai e hapi në vitin 2007. Gjatë vitit 2003 Rafati ishte burgosur, duke arritur "fundin e fundit", sikur që thotë ai. Pas kësaj, Rafati përkushtohet ndaj shëndetit pa alkool, por momenti i vërtetë kur ndryshoi jeta e tij ishte kur një mik ia prezantoi atij "botën e lëngjeve dhe super-ushqimeve". "Rezultatet ishin të mahnitshme dhe të menjëhershme", thotë ai. Rafati filloi që të prodhonte lëngje për pacientët dhe stafin e qendrës "Riviera". Atje ai krijoi edhe pijen (smoothie) të cilën e emërtoi "Wolverine", një kombinim hurmash dhe bananesh, e cila më pas do të bëhej pija kryesore e kompanisë "Sun Life". Ajo pije pritej që ta përtërinte dhe ta forconte pacientin. Lajmet për këto lëngje të mrekullueshme filluan që të përhapeshin nëpër Malibu. "Ishte i madh numri i të huajve që vinin në qendrën e rimëkëmbjes 'Riviera' vetëm për të shijuar njërën nga pijet e mia', thotë ai. Kur flitet për pacientët, Rafati ishte dëshmitar i veprimit të këtyre pijeve te ta. Kjo ndikoi që ai të vendoste ta hapte kompaninë "SunLife Organics". Misioni i tij ishte i thjeshtë. Ai donte që "të donte, të shëronte dhe të frymëzonte". Edhe gjatë përzgjedhjes së punë- torëve të tij, Rafati përcaktohet për njerëzit që kanë nevoja të ngjashme me ato që i kishte ai dikur. "Që nga fillimi, ai tentonte të ma përmirësonte jetën", thotë Cache Coelho, i cili ishte i varur nga Oksitocina, para se të shpërngulej në Los Anxheles. "Ai na bën presion të madh", shton ai, "në një mënyrë miqësore dhe prindërore". 

(Kosova Sot) 

 

Image
Image
Image