Kamerat në shkolla rritën sigurinë e nxënësve

  • 27 October 2016 - 20:09
Kamerat në shkolla rritën sigurinë e nxënësve

REDUKTOHEN PROBLEMET NË OBJEKTET MËSIMORE

Policët tanë kanë trefishuar vizitat nëpër objekte shkollore

"Kamerat vëzhguese kanë bërë që huliganët e rrugëve të mos sillen më nëpër oborre shkollash dhe siguria mund të them se është e mirë. Edhe nxënësit mund të themi se nuk kanë ndonjë ankesë të theksuar ", pohon Simir Krasniqi

Siguria në shkolla në komunën e Prizrenit është e mirë dhe nuk ka pasur ndonjë rast enkatant për t'u theksuar. Majori Haris Dida është shprehur për "Kosova Sot" se në këtë tremujor krahasuar me periudhën e njëjtë me vitin e shkuar, veprat penale kanë shënuar rënie, kurse në policinë rajonale janë shënuar 15 për qind më pak raste, shkruan gazeta Kosova Sot.

Të qetë e të lirë për të mësuar

Kurse drejtori i Arsimit në këtë komunë, Ziheadin Shemsedini, tregon se gjendja në shkollat e Prizrenit është e qetë dhe stabile. "Duhet të falënderohet edhe gatishmëria e policisë që është mjaft agile. Por, njëherësh duhet të veçohet edhe fakti se kamerat e instaluara në shkolla po japin edhe efektin pozitiv sa i përket sigurisë në shkolla", është shprehur ai. Tutje ai ka theksuar: "Ajo që këtë vit kalendarik e kemi vënë re te policia është siguria në shkollat e komunës së Prizrenit. Tashmë policët tanë kanë trefishuar vizitat nëpër objekte shkollore. Ne jemi këtu për të hequr dhe mënjanuar pasigurinë nëpër shkollat tona. Këtë aktivitet ne si polici rajonale po e bëjmë edhe për faktin se nxënësit tanë nuk kanë pse të brengosen për sigurinë, por punë parësore e tyre të mbetet mësimi dhe jo brengosja se a do të jenë të qetë e të lirë në shkollë". 

Duhet ndriçim në rrugët afër shkollave

Drejtori i shkollës së Mesme të Mjekësisë në Prizren "Luçiano Motroni", Simir Krasniqi, shpjegon se shkolla në parim ka qenë e qetë. "Është e vërtetë se këtu kryesisht përzgjidheshin nxënësit shembullorë. Kurse falë policisë, pastaj kamerat vëzhguese kanë bërë që huliganët e rrugëve të mos sillen më nëpër oborre shkollash dhe siguria mund të them se është e mirë. Edhe nxënësit mund të themi se nuk kanë ndonjë ankesë të theksuar ", pohon Krasniqi. Përderisa tani me kompleksin e shkollave të mesme në lagjen "Bajram Curri", drejtori i DKA Zihadin Shemsedini pohon se në atë pjesë është një rrugë, e cila pritet të zgjerohet pak më shumë dhe trotuaret të zgjerohen për shkak të numrit të madh të nxënësve. "Ajo rrugë dhe ajo lagje duhet të këtë një ndriçim më të mirë", ka pohuar drejtori aktual i DKA-së. Por, edhe nxënësit e Gjimnazit "Gjon Buzuku" pastaj shkollat e mesme të tjera si ajo Ekonomike, Teknike dhe e Mjekësisë shprehen se ndihen mirë dhe nuk kanë ndonjë problem që mund ta theksojnë. Kështu shprehen Agim Elshani, gjimnazist, Aulona Gashi, nga Ekonomiku, dhe Ajvaz Berisha, nga Tekniku. Ata shprehen se siguria në shkolla është stabile, dhe, sipas tyre, më shumë ka ndikuar vetëdijesimi sesa ndikimi tjetër anësor. 

(Kosova Sot)