Universitetet publike nuk mbushin dot kuotat, shtyhet sërish regjistrimi për maturantët

  • 27 October 2016 - 20:16
Universitetet publike nuk mbushin dot kuotat, shtyhet sërish regjistrimi për maturantët

Vitet e para në universitetet publike në Shqipëri kanë ende kuota të paplotësuara, e për këtë arsye Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shtyrë deri në 1 nëntor afatin që i është vënë në dispozicion maturantëve për tu regjistruar.
Sot ky afat përfundonte, por shkak për shtyrjen u bë fakti që shumë nga kuotat e lira të vëna nga fakultetet, mbetën bosh.

Por afati mund të shtyhet edhe pas datës 1 nëntor, pasi disa nga Fakultetet që kanë më shumë kuota të lira, nuk kanë caktuar afat për regjistrimin e maturantëve.

Janë 5 mijë kuota bosh në universitetet publike ende të paplotësuara. Gjithashtu Ministria e Arsimit thotë se edhe në universitetet private janë rreth 4500-5000 kuota të lira.  

Drejtori i Portalit të klasifikimit për maturantët, Arjan Xhelaj thotë se në universitet publike janë regjistruar 80% e maturantëve, pra 17 mijë studentë të rinj, ndërsa në universitetet private 35%, që do të thotë 4500 studentë.

Opozita politike shqiptare akuzoi mazhorancës se ka krijuar një ngërç në sistemin arsimor duke mos i informuar në kohë maturantët për mënyrat e aplikimit dhe të përzgjedhjes së lëndëve me zgjedhje apo atyre të avancuara që gjatë viteve të gjimnazit.

Në fazën e parë të listave për fituesit në universitete, shumë prej maturantëve edhe pse me mesatare të latë nuk u shpallën fitues. 

Sipas opozitës, kjo situatë u krijua për të favorizuar universitetet private, pasi shumë maturantë nga frika se mbeteshin pa shkollë u regjistruan në privat duke mos pritur fazën e dytë të fituesve. 

(Kosova Sot)