Nxënësit gjakovarë vazhdojnë të paguajnë vetë transportin

  • 27 October 2016 - 20:18
Nxënësit gjakovarë vazhdojnë të paguajnë vetë transportin

Një numri të nxënësve ua rrezikon vijimin e rregullt të procesit mësimor

Tenderi i shpallur për këtë qëllim do të mbyllet më 14 nëntor dhe nisur nga përvoja e deritashme zakonisht ka ankesa të palëve të pakënaqura. Atëherë del se do të jetë shumë e vështirë, gati e pamundur, që kjo çështje të zgjidhet para përfundimit të gjysmëvjetorit të parë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Njëra nga parapërgatitjet për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, tradicionalisht, ka qenë edhe përcaktimi i operatorit ekonomik, i cili do të bëjë transportin e nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas. Fjala është për nxënësit që shtëpinë e kanë 3,7 kilometra apo më larg nga shkolla që i vijojnë mësimet, të cilëve, sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), nga fondet komunale duhet t'u sigurohet transporti ose t'u bëhet kompensimi material për këtë. Duket se Komuna e Gjakovës, në këtë segment të përgatitjeve për vitin e ri shkollor, ka dështuar. Nuk e themi këtë rastësisht, por mbështetur në situatën aktuale, e ajo flet se sado që po bëhen gati dy muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, në këtë komunë ende nuk bëhet transporti i nxënësve sipas obligimeve që dalin nga ky udhëzim administrativ i MASHT-it!

Prindërit kanë filluar të ankohen

Në fakt, nga dëshira që t'u dalin në ndihmë një numri më të madh të nxënësve, zyrtarët komunalë të Gjakovës, para dy vitesh, patën vendosur që distancën prej 3,7 km, të paraparë me udhëzimin administrativ, ta "shkurtojnë" në 2,5 km. Kjo kishte bërë që, nga 700 nxënës, sa ishin deri atëherë, në listën e atyre që duhet t'u kompensohet udhëtimi shtëpi-shkollë-shtëpi, u bënë rreth 2.100 nxënës. Ky veprim, si duket i pakalkuluar sa dhe si duhet, ndikoi që Komunës së Gjakovës t'i sosen fondet, kështu që tash, në përfundim të muajit të dytë të vitit të ri shkollor, transporti i nxënësve vazhdon të mos kryhet fare. Të gjetur në pozitë jo të mirë, prindërit e këtyre nxënësve kanë filluar të reagojnë e këtë e thotë edhe këshilltarja komunale nga radhët e AAK-së, Saranda Hyseni. "Ata po ankohen, sepse po janë të detyruar që vetë të paguajnë transportin e fëmijëve të tyre deri në shkollë, edhe pse ligji e obligon Komunën që ta kryejë këtë punë. Zyrtarët komunalë disa herë kanë premtuar se ky problem do të zgjidhet së shpejti, mirëpo realiteti po flet ndryshe dhe të gjitha gjasat janë që transporti i nxënësve në relacionin shtëpi-shkollë-shtëpi në komunën tonë të mos fillojë para 1 janarit të vitit të ardhshëm, e kjo një numri të nxënësve ua rrezikon vijimin e rregullt të procesit mësimor", ka thënë Hyseni.

Vonesë e rastësishme apo e qëllimshme e tenderit

Nga ana tjetër, zyrtarët komunalë pohojnë se ky problem është në rrugën e zgjidhjes. "Ashtu siç ju kemi informuar edhe më herët, Komuna tashmë e ka hapur tenderin për transport të nxënësve dhe ende jemi në proces të tenderimit. Sapo të përfundojë ky proces dhe të zgjidhen operatorët ekonomikë për bartje të nxënësve, do të fillojë edhe transporti i tyre", ka thënë për gazetën Abetare Domi, përgjegjëse komunale për informim. Vërtet, tenderi për këtë çështje është shpallur më 4 tetor dhe do të jetë i hapur deri më 14 nëntor. Duke u nisur nga përvoja e deritashme, kur tenderët e Komunës së Gjakovës rrallë kanë kaluar pa ankesa të palëve të pakënaqura, një gjë e tillë mund të pritet edhe me këtë rast. Dhe, nëse ndodh kjo, atëherë bëhet e qartë se do të jetë shumë e vështirë, gati e pamundur, që transporti i nxënësve të komunës së Gjakovës në relacionin shtëpi-shkollë-shtëpi të fillojë në gjysmëvjetorin e parë. Me tenderin e shpallur është paraparë që në 47 relacione të ndryshme të bëhet transporti i 2.335 nxënësve dhe për këtë është paraparë fondi prej 130 mijë eurosh. Duhet thënë se, mbështetur në tenderin e shpallur, komuna e Gjakovës e ka ndryshuar kriterin e transportit nga distanca prej 2,5 km në një drejtim, shtëpi-shkollë, që ka qenë në dy vitet e kaluara, tash është bërë 3 kilometra. 

Komuna ende në borxhe

Njohësit e rrethanave buxhetore të komunës së Gjakovës pohojnë se kjo vonesë me shpalljen e tenderit nuk është e rastësishme, por është bërë me qëllim, pasi mungojnë fondet për këtë destinacion dhe vonesa e fillimit të transportit të nxënësve i mundë- son Komunës që të kursejë disa mjete. Në favor të këtij pohimi shkon edhe informata që është dëgjuar së fundi, e sipas së cilës disa nga pronarët e kompanive transportuese këto ditë kanë qenë në Komunë për t'u ankuar për mospagesën e borxhit për transportin e nxënësve në vitin e kaluar shkollor. 

(Kosova Sot)