Kosova do të përballet me një problem tjetër demarkacioni

  • 27 October 2016 - 20:23
Kosova do të përballet me një problem tjetër demarkacioni

BANORËT E KARAÇEVËS KËRKOJNË PEZULLIMIN E MARRËVESHJES SË KUMANOVËS

"Me këto dëshmi janë të njoftuar edhe krerët e shtetit, prandaj ata do të bënim gabim të pafalshëm, nëse injorojnë realitetin dhe nënshkruajnë marrëveshje që është në dëm të Kosovës", thotë kryetari i këshillit lokal, Selver Lenjani 

Kërkohet që punkti i policisë serbe, i vendosur në hyrje të fshatit Breznicë, të zhvendoset më tutje, matanë lumit

Banorët e Karaçevës së Epërme, të cilët kanë humbur tokat e tyre, kërkojnë pezullimin e marrëveshjes teknikeushtarake të Kumanovës, sa i përket kufirit me Serbinë, në pjesën lindore të vendit. Ata thonë se nuk do ta njohin asnjëherë gjendjen e tashme dhe u bëjnë thirrje krerëve të shtetit që të mos e nënshkruajnë marrëveshjen, nëse gabimi nuk korrigjohet paraprakisht. Këshilli i fshatit ofron dëshmi zyrtare të kohës së ish-Jugosllavisë, dhe të periudhave të tjera më të vonshme, që tregojnë qartë se ku ka qenë kufiri përherë. Realiteti i ri nuk i dëmton vetëm banorët lokalë përgjatë vijës kufitare, por edhe shtetin e Kosovës, sepse është cenuar territori i tij. "Ne nuk do ta pranojmë kurrë këtë realitet në dëm tonin, prandaj u bëjmë thirrje edhe institucioneve shtetërore që të jenë syçelë dhe të mos nënshkruajnë marrëveshje që i falë Serbisë tokat tona", thotë Selver Lenjani, kryetar i Këshillit të fshatit Karaçevë e Epërme. Përndryshe, banorët kërkojnë që punkti i policisë serbe, i vendosur në hyrje të Breznicës, të zhvendoset më tutje, matanë lumit, sepse e pengon lëvizjes e banorëve në tokat e tyre. Lenjani thotë se krahasimi i hartës kadastrale të vitit 1962, që e kanë punuar vetë ekspertët serbë, me hartën e re që përdorin paqeruajtësit ndërkombëtarë, tregon qartë se ka devijime, sepse të gjitha këto zona kadastrale, që tani kanë ngelur matanë vijës kufitare, kanë qenë pjesë e territorit të Kosovës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Prej 16 vjetësh nuk po mund t`i shfrytëzojnë tokat e tyre

Lenjani thotë se ata nuk po flasim në hava, siç thuhet, por janë të pajisur me dokumentacion kadastral më mirë se Peja, sa i përket kontestit kufitar, prandaj të drejtën e tyre po e kërkojnë mbi këto dëshmi. "Me këto dëshmi janë të njoftuar edhe krerët e shtetit, prandaj ata do të bënim gabim të pafalshëm nëse injorojnë realitetin dhe nënshkruajnë marrëveshje që është në dëm të Kosovës", thotë Lenjani, i cili çdo ditë e më tepër po e ngrit zërin e arsyes, në mbrojtje të territorit të shtetit dhe të tokave private. "Askush nuk guxon ta falë tokën e Kosovës", thotë ai. Në të vërtetë, banorët e Karaçevës nuk kanë heshtur asnjëherë së kundërshtuari, me zë e me fakte, devijimet që kanë ndodhur pas luftës, në vijën kufitare me Serbinë, ku ata kanë humbur tokat e tyre. Madje, kanë mbajtur edhe tubime dhe kanë prezantuar e lexuar edhe harta, të cilat dëshmojnë se ku ka qenë kufiri i vjetër dhe ku është vendosur kufiri i ri. "Serbia nuk mund t`i kontestojë këto harta, sepse janë të punuara prej saj, në vitin 1962", thotë Lenjani. Ai ka frikë se apetitet e fqinjëve ndaj tokave shqiptare do të ratifikohen edhe në këtë pjesë të Kosovës. "Prej 16 vitesh nuk po mund t`i shfrytëzojmë burimet tona, prej kaq kohësh na janë ndaluar tokat dhe malet tona, prej të cilave kemi mbijetuar me shekuj", thotë Lenjani. 

Nuk përputhen as hartat 

Për më tepër, banorët e Karaçevës janë ankuar në vazhdimësi ndaj provokimeve të xhandarmërisë serbe, e cila futet brenda territorit të Kosovës, por zëri i tyre nuk është dëgjuar më larg se deri në Kamenicë. Karaçeva ka kërkuar që në Bruksel të diskutohet edhe problemi i zonës kufitare, në mënyrë që Serbia të mos urdhërojë policët e saj të provokojnë shtetasit e Kosovës. Paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë, në të shumtën e rasteve i kanë mohuar ankesat e banorëve për cenimin e kufirit të Kosovës, ndoshta nga fakti se kufiri me Serbinë administrohet në bazë të marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës, e cila, siç thonë banorët, e ka tkurrur Karaçevën për disa kilometra. "Po të kishin qenë territore të Serbisë këto toka, Beogradi nuk do të lejonte të dalin në përdorim harta të tilla", thotë Lenjani. Serbia i ka vizatuar kufijtë ashtu siç ka dashur vetë dhe në mënyrë të njëanshme. "Serbia nuk mund të vendos kufij atje ku dëshiron, por atje ku kufijtë kanë qenë historikisht", thotë Lenjani. Sipas tij, situata është mbajtur nën kontroll deri tani, falë KFOR-it dhe policisë së Kosovës, ndryshe reagimet e banorëve mund të ishin edhe më radikale. "Kufiri duhet të kthehet atje ku ka qenë historikisht dhe jo të mbetet këtu ku është vendosur me marrëveshjen e Kumanovës", thotë Lenjani, duke shtuar se ata kërkojnë pezullimin e marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës, në pjesën që ka të bëjë me kufirin në këtë pjesë.

(Kosova Sot)