Shpendi zhgënjen qytetarët e Prishtinës

  • 27 October 2016 - 07:37
Shpendi zhgënjen qytetarët e Prishtinës

Hertica: "Qytetarët për kryetarin e Komunës së Prishtinës nuk kanë kurrfarë note pozitive"

"Shikuar në aspektin trevjeçar se çka është punuar dhe si është punuar deri më tani, mund t'ju them se sikur nuk është punuar kurrgjë hiç. Vetëm në lagjen ku jetoj unë, aty te Tregu i vjetër, rruga 'Antigona Fazliu', ajo është shtruar para 40 vjetësh, kanë ardhur tani vetëm sa për ta rinovuar, dhe është mbetur ashtu e shkatërruar, sepse shkel e shko vetëm për dy ditë i kanë bërë punimet", ankohet qytetari Nexhat Idrizaj ,raporton Gazeta Kosova Sot

Po bëhen gati 3 vjet, që kur Shpend Ahmeti e mori postin e të parit të Prishtinës me premtime shumë të mëdha për ndryshime rrënjë- sore në politikën e deriatëhershme, mirëpo me kalimin e kohës, shpenzimin e mandatit, kur ka mbetur vetëm edhe rreth një vit deri në zgjedhjet lokale, vlerësimi për qeverisjen e Ahmetit dhe 'Vetëvendosjes' nuk po merr notë pozitive. Vlerësimi negativ vjen jo vetëm nga opozita në Asamblenë komunale, por edhe nga analistët e pavarur dhe qytetarët. Kryetari Shpend Ahmeti nuk arriti të përmbushë premtimet e tij as për ndërtimet e banesave sociale dhe as për uljen e çmimeve për metër katror, derisa kulmin, te shumica e qytetarëve, e ka arritur me vonesat e mëdha me punime në lagjen 'Dardania' në platonë e 'Kurrizit', ku si pasojë kanë pësuar me humbje bizneset, janë lënduar edhe fëmijët, etj. Qeverisja në administratën komunale në shumë raste ka rezultuar edhe me punësime me kontrata mbi vepër të bashkëpartiakëve të vet, është rritur tatimi në pronë sipas tekeve të kryetarit, dikujt më shumë e dikujt më pak, pa asnjë kriter, e shumë e shumë dështime të tjera. Shumë qytetarë të anketuar nga gazeta janë jashtëzakonisht të pakë- naqur me qeverisjen e Shpend Ahmetit, ndonëse në mesin e tyre ka edhe që për dështimet e fajësojnë sjelljen destruktive të opozitës.

Punët shkel e shko, pa kompetencë dhe duke shkelur ligjin Skajshmërisht i pakënaqur dhe me vlerësim kritik për këtë mandat të deritanishëm të qeverisjes në Prishtinë nga kryetari Ahmeti dhe 'VETËVENDOSJE', është deklaruar qytetari Nexhat Idrizaj. "Shikuar në aspektin trevjeçar se çka është punuar dhe si është punuar deri më tani, mund t'ju them se sikur nuk është punuar kurrgjë hiç. Vetëm në lagjen ku jetoj unë, aty te tregu i vjetër, rruga 'Antigona Fazliu', ajo është shtruar para 40 vjetësh, kanë ardhur tani vetëm sa për ta rinovuar, dhe është mbetur ashtu e shkatërruar, sepse shkel e shko vetëm për dy ditë i kanë bërë punimet. Ne aty kryesisht tatimet i paguajmë me rregull, me kohë, bile edhe para kohe, sepse nuk duam që të presim, kjo edhe mund të vërtetohet në komunë me emrin tim e të ndonjë tjetri, por me shërbimet dhe punët e komunës nuk jemi të kënaqur", tha Idrizaj. Ai theksoi se përshtypje pozitive nuk mund të ketë as për punimet e tjera, që po kryhen gjithandej nëpër kryeqytet, sepse gjithçka po shkon ad hok dhe pa planifikim të detajuar. "Kah do që shikon, hallakama po shkon kudo, krejt mbrapsht. Nëse e shikon aspektin se a po shkojnë punët mbarë apo mbrapsht, atëherë është kjo e fundit. Këta po i nisin punët kah fundi për të ardhur në krye, kah e para. E punët duhet të fillojnë jo nga bishti, por nga koka, nga fillimi, duke filluar me sistemim të planifikuar si gypa, ujin të kanalizimit, rrjetet tjera që duhet të sistemohen paraprakisht e më pastaj e fundit duhet të vijë faza e asfaltimit. Këta po e nisin punën mbrapsht, sikur kanë bërë deri më tani në disa raste, njëherë asfaltojnë e më pastaj përsëri fillojnë me instalimin e kanalizimit e të ujësjellësit apo të rrjeteve të tjera, që duhet të instalohen. Të gjithë e dinë që gypat e ujësjellësit të Prishtinës janë të vjetër mbi 40 vjet dhe ata nuk duhet të mbulohen me asfalt e pastaj përsëri të fillohet të hapet puna e të rehabilitohen. Ky është fillimi nga fundi dhe puna e mbrapshtë, e të mos flasim edhe për shumë gjëra të tjera", tha Nexhat Idrizaj.

Image

 

Tre vjet, pa rezultate e shumë dështime Edhe sipas qytetarit Imer Bllacaku, kur shihet angazhimi në terren, duket që është shumë duke u punuar, se po bëhen punë të mira, por jo sipas dinamikës që do të dëshironin qytetarët. "Punët po shkojnë ngadalë. Puna në shumë raste po zvarritet, që mbase nuk varet krejt edhe prej punë kryerësit, por po ka edhe shumë pengesa të tjera, si me rrugë dhe me ato procedurat e tjera", tha Bllacaku. Qytetari tjetër Zenel Zeneli thotë se ka qenë një ëndërr e madhe e të gjithë kosovarëve, jo vetëm e prishtinasve, që ta shohin Prishtinën si një kryeqendër metropol, që u ngjason kryeqendrave evropiane, dhe mrekullia ka ngjarë pas çlirimit të Kosovës dhe bërjes së Prishtinës kryeqendër e vërtetë e shtetit, qendër e arsimit dhe e kulturës, por politika është ajo që nuk është vetëdijesuar sa duhet për ta menaxhuar këtë mrekulli të kombit në inversin e përgjithshëm publik. "Po e shohim ne që nuk kemi traditë shtetërore, për herë të parë po bëjmë shtet, disa punë po vonohen, por kjo nuk është ndonjë gjë, por gabimi më i madh, mangësia jonë është që po na mungon edukata. Pra, fillimisht nuk po kemi përgjegjësi të mjaftueshme familjare, nuk po kemi as përgjegjësi shtetërore, nuk po kemi përgjegjësi kombëtare dhe as fetare", tha Zenel Zeneli. Kritik i skajshëm për qeverisjen e deritanishme të Prishtinës, është edhe Vesel Elshani, i cili pavarësisht pse ka votuar për Shpend Ahmetin si individ, kurse 'VETËVENDOSJEN' thotë se nuk do ta votonte as atëherë dhe as në të ardhmen për 1000 vjet. Ai tha punimet nuk po kryhet si duhen e kur duhen, po zvarriten, sikur është platoja mbi 'Kurriz'. "Kurrë në jetën time nuk kam parë njerëz më papunëtorë. Tërë verën tre punëtorë janë sjellë këtu. Ta zëmë se e paska marrë për 1 milion euro një punë, por kryeje ore burrë për dy tri javë, muaj e mos e prit për ta kryer për 12 muaj e ku ta di unë. Tash ia nis edhe dimri dhe kjo punë më tutje nuk mund të punohet gjatë dimrit", u shpreh Elshani.

Aktiv në 'Facebook', i dështuar me punë në terren dhe me qytetarët Analistët thonë se është bërë praktikë që politikanët të mashtrojnë për të ardhur në pushtet. "Premtimet dhe gënjeshtrat thuajse janë trend tek politikanët tanë, pa marrë parasysh se cilës parti ata i takojnë, sepse kultura dhe egoja e tyre është e tillë, sepse kanë lindur nga familjarët e tillë, të cilët një pjesë ishin të sistemuar në ish-Jugosllavi, kështu që tani edhe këta të rinjtë, nuk dalin edhe aq të mirë nga ai brumë, pa marrë parasysh se çfarë ngritje ideore e kanë apo shkollim", u shpreh analisti Ali Hertica. "Tani edhe qytetarët për kryetarin e Komunës së Prishtinës nuk kanë kurrfarë note pozitive, sepse gjatë mandatit të tij kanë ndodhur shumë dukuri negative, që nuk duhet të ndodhin, e rastin e fundit e kemi pasur edhe mbytjen e dy fëmijëve në puset e hapura. I vetmi ndryshim që i është bërë Prishtinës nga kryetari Ahmeti është se i ka ngritur përsëri ata kunjat, nga të cilët edhe qytetari në të kaluarën ka pasur shumë lëndime trupore por edhe dëmtime të automjeteve", tha analisti politik Ali Hertica. Një mal dështimesh në qeverisjen e Shpend Ahmetit ka evidentuar edhe analisti Blerim Burjani. "Premtimet ishin ambicioze sikurse edhe entuziazmi për të qeverisur një njeri i ri me komunën e kryeqytetit. Sidoqoftë premtimet kur të bëhen duhet të jenë të mundshme, të menduara mirë dhe duhet pasur edhe buxhet", tha Blerim Burjani. Ai ka vërejtur se kreu i Prishtinës është shumë aktiv në 'Facebook', por e kanë përcjellë dështimet si në ndërtimin i banesave sociale dhe në shumë projekte të tjera, ku një argat të madh për të dështuar ia ka bërë edhe opozita me pengesat e saj. Mirëpo, 'Dardania' është pasqyra kryesore e dështimit të Shpendit. "Ka pasur ngecje në punimet në 'Dardani', por edhe në disa rrugë të Prishtinës si rezultat edhe i paqartësive të kompetencave dhe përzierjeve të kompetencave në mes të komunës dhe ujësjellësit rajonal, e që kujt nuk iu kujtua ku të zgjidhet problemi për kompetencë. Punimet në 'Dardani' janë stërzgjatur dhe ishin të panevojshme. Kjo është dështimi i Shpendit që ka angazhuar kompani, të cilat janë të lodhta", tha Burjani. Ai po ashtu tha se ka shumë përfolje për punësime me kontratë mbi vepër në komunën e drejtuar nga VV-ja.

Shumë premtime mbetën në letër Të pasuksesshme plotësisht e sheh qeverisjen e Shpend Ahmetit edhe analisti Arsim Haziri. "Qeverisja e Prishtinës sigurisht së është për kritika dhe pamundësi të implementimit të asaj çfarë kishte deklaruar, që ishte një program liberal dhe i nevojshëm për shoqërinë prishtinase", deklaron Haziri. "Ndërsa sa u përket disa premtimeve për ndërtimin e objekteve sociale e ujë 24 orë për tërë komunën janë dështime që duhet t'i pranojë, pastaj të marrë si kritikë objektive", tha Arsim Haziri. 

LDK-ja e Prishtinës kritikon qeverisjen e Shpend Ahmetit Grupi i Këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, në një konferencë për medie, ditën e mërkurë kanë adresuar disa çështje për dështimet e qeverisjes komunale. Për këto dështime të qeverisjes komunale, LDK-ja kritikoi qeverisjen e Shpend Ahmetit, pasi që kjo e fundit, sipas tyre, nuk ka mirëmbajtur sinjalizimet horizontale dhe vertikale në rrugët, parkingjet dhe hapësirat e tjera të Komunës së Prishtinës. Gjatë kësaj konference, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin Komunal, Agim Gashi, si dështim tjetër të qeverisjes aktuale në Prishtinë, i ka përmendur edhe rrugët e qytetit, duke vënë theksin në pjesët rurale, ku, sipas tij, këto rrugë nuk janë mirëmbajtur që nga vitet 2012- 2013. Gashi tha se bazuar në Ligjin për Sigurinë në Komunikacion, mosofrimi i këtij shërbimi ngrit shkallën e rrezikshmërisë në rrugë, si dhe pengon lëvizjen normale të këmbësorëve dhe automjeteve. Që nga viti 2015 Komuna e Prishtinës, sipas Gashit, nuk kishte kontraktuar asnjë kompani përkatëse për mirëmbajtjen në këtë fushë, e, sipas tij, kjo erdhi nga pakujdesia dhe keqmenaxhimi, pasi që Komuna i kishte të planifikuara 200 mijë euro.

(Kosova Sot)