Mafia ushqen partitë, 'mjel' pushtetin

  • 27 October 2016 - 07:43
Mafia ushqen partitë, 'mjel' pushtetin

Zero transparencë në burimin e mjeteve financiare.

" Shembulli më konkret është ai i kompanisë 'Devolli', e cila e ka bërë për vete edhe Shpend Ahmetin e VV-së në qeverisjen e Prishtinës. Një situatë e tillë paradoksale e financimit të partive politike nga të njëjtat kompani ka bërë që qytetarët të mos i besojnë më asnjë partie politike që vjen në pushtet", tha Florim Zeqa,raporton Gazeta Kosova Sot

Derisa po vazhdon të mbretërojë një mungesë e madhe e transparencës së financimit të partive politike, analistët dhe ekspertët e sundimit të ligjit vazhdojnë të ngrenë dyshimin se gati të gjitha partitë politike në Kosovë po financohen nga mafio-oligarkët ekonomikë, të kriminalizuar deri në fyt, të cilët duan të ruajnë kontrollin dhe benefitet, duke i financuar të gjitha subjektet, dikë me pak e dikë më shumë. Kjo mënyrë funksionimi dhe financimi ka bërë që edhe qytetarët të mos i besojnë asnjërës parti politike, pa dallim, sepse të gjitha janë provuar në qeverisje, qoftë në nivelin qendror, qoftë në atë lokal, dhe kanë treguar qartë se tenderët, lejet,licencat dhe përfitimet e grantet shkojnë tek mafio-bizneset, që kanë përfituar në kurriz të popullit dhe nga paratë e popullit. Shembull i freskët është ai me vëllezërit Devolli, që kanë monopol, ndërsa favorizohen nga pozita dhe opozita. Kështu qumështi dhe birra e tyre janë përzgjedhja edhe e Shpend Ahmetit në Prishtinë. Kjo lloj lidhje, e dyshuar si kriminale, mes politikës dhe bizneseve, ndikon edhe në apatinë e qytetarëve, të cilët më nuk i besojnë asnjërës parti, as kësaj më të resë, që pritet të themelohet, e cila pritet të ketë njeriun më të afërm të klanit 'Pronto',gjegjësisht po të kësaj kompanie, në strukturat udhëheqëse të saj.

ontrolli mafio-politik i tregut Analisti politik, Florim Zeqa, pohon se tashmë botërisht dihet fakti se të gjitha partitë politike në Kosovë financohen nga mafio-oligarkët ekonomikë. "Edhe pse të kriminalizuar deri në fyt, që me çdo kusht duan të ruajnë kontrollin në tregun kosovar, duke financuar të gjitha partitë, dikë më pak e dikë tjetër më shumë, varësisht prej rrethanave politike dhe konkurrencës në aspektin e financimit të subjekteve politike, nga të cilat përfitojnë tenderët, licencat e deri tek grantet qeveritare, ku gjithmonë shkojnë tek mafio-oligarkët më të fuqishëm ekonomikë. Kështu oligarkët ekonomikë, në bashkëpunim me mafinë politike, përfitojnë në kurriz të popullit dhe nga paratë e popullit të varfër", tha Florim Zeqa. Ai ka pohuar se Serbisë, një mënyrë të tillë të dominimit ekonomik dhe politik mbi vendin tonë, ia mundë- son bashkëjetesa e mafio-oligarkëve politikë me ata ekonomikë. "Kështu pra, Serbia përmes mafio-oligarkëve ekonomikë e ka zgjeruar monopolin e saj në tregun e përgjithshëm në Kosovë, përderisa këta të fundit e kanë zgjeruar monopolin e tyre në të gjitha sferat ekonomike në kurriz të qytetarëve. Shembulli më konkret është ai i kompanisë "Devolli", e cila e ka bërë për vete edhe Shpend Ahmetin e VV-së në qeverisjen e Prishtinës. Një situatë e tillë paradoksale e financimit të partive politike nga të njëjtat kompani ka bërë që qytetarët të mos i besojnë më asnjë partie politike që vjen në pushtet, madje do ta kenë të vështirë t'u besojnë edhe partive të reja që janë në themelim e sipër, e të mos flasim për partitë opozitare që janë produkt i të njëjtit "brumë" me pushtetarët. Aspekti tjetër që e vërteton edhe më qartë situatën e mafio-oligarkëve ekonomikë, është rasti i lëvizjeve të shpeshta të disa biznesmenëve multimilionerë nga njëra parti në tjetrën, me qëllim të mashtrimit të qytetarëve, gjoja për "pastrim" të fytyrës nga aferat korruptive, duke harruar se ndyrësirat e mëdha nuk mund të pastrohen dot", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

Blerja kriminale e votave Profesori i së drejtës, Riza Smaka, lidhjet e financimit të politikës me oligarkët e bizneseve më shumë i sheh tek pozita sesa tek opozita."Veçanërisht janë partitë politike pozitare apo qeveritare ato që qartazi financohen edhe nga burime të dyshimta, ngase të njëjtat nuk publikohen sipas ligjit aplikativ , në një anë dhe jo pak makrobiznese të partizanëve militantë politikë të tyre, favorizohen ekskluzivisht në procedura të tenderimeve tejet problematike në anën tjetër", tha Smaka. Sipas tij, bazuar në këto rrjedha, del se partitë politike pushtetare, me paranë publike, e cila nuk është e tyre, por e taksapaguesve, shumica sish të varfër, blejnë edhe vota, përkatësisht mandate, funksione e poste funksionale të leverdishme, të cilat rrjedhimisht pas marrjes së pushtetit politik i shpërblejnë sponsorizuesit me tenderët problematikë. Edhe Muhamet Kelmendi thotë se në gjendjen nëpër të cilën po kalon Kosova, kur ka një lidhje të fortë në mes të krimit politik dhe atij ekonomik."Në gjendjen në të cilën tani po kalon Kosova, duke u nisur edhe nga fakti që e kemi lidhjen e fortë mes krimit ekonomik dhe atij politik, është shumë e logjikshme që edhe si pasojë e rrezikimit të disa subjekteve politike nga veprimi i Gjykatës Speciale, që krimi ekonomik, organizata që merren me krime ekomomike, të përpiqen për gjetjen e mbështetjes te subjektet e reja politike, ose të krijimit të tyre, si subjekte të reja, që nëpërmes të financimit të tyre, me paratë që vijnë nga krimi, të arrijnë të futen në sistemin politik, të futen në Kuvend, të futen edhe në Qeveri, që të ruhen edhe më tutje krimi politik dhe ai ekonomik", theksoi më tej Kelmendi. 

(Kosova Sot)