Engel thotë se Kosova të themelojë Gjykatën Speciale, jo OKB-ja

  • 30 June 2015 - 14:30
 Engel thotë se Kosova të themelojë Gjykatën Speciale, jo OKB-ja

Themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte nga ana e institucioneve të Kosovës është zgjidhja më e mirë e mundshme, ka deklaruar sot në Prishtinë, kongresisti amerikan, Eliot Engel.

Këto komente, Engel i ka bërë pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ai ka thënë se dërgimi i çështjes në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk do të ishte në dobi të Kosovës.

“E di se bëhet fjalë për vendime të vështira që duhet marrë. Unë personalisht mendoj se Kombet e Bashkuara nuk është adresa e duhur, ngase mendoj se Kosova nuk trajtohet drejtë nga Kombet e Bashkuara, kështu që mendoj se themelimi i gjykatës nga ana e institucioneve të Kosovës është zgjidhja më e mirë“, ka theksuar Engel. 

Ndërkaq presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka theksuar se "Kosova ka kaluar nëpër një periudhë jo shumë të lehtë, në përpjekjen për të adresuar çështjet e saj të brendshme, përfshirë migrimin ilegal, përparimin në rrugën e integrimeve, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, adresimin e ekstremizmit dhe radikalizmit, që po bëhen kërcënime serioze për vendin dhe për rajonin si dhe vazhdimin e dialogut me Republikën e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve", transmeton Rel.

Për krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, presidentja Jahjaga ka thënë se pret nga institucionet e vendit, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, të gjejnë sa më shpejtë mënyrën e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare, në respektim të vendimeve të vetë Kuvendit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kongresisti Engel pritet të qëndrojë në Kosovë deri më 5 korrik. Gjatë kësaj vizite ai pritet të takoj përfaqësues të Qeverisë, Kuvendit të Kosovës si dhe liderë partiak dhe ata të pushtetit lokal.