Arrestohen dy persona në Rakosh të Istogut, ja arsyeja

  • 30 June 2015 - 14:34
Arrestohen dy persona në Rakosh të Istogut, ja arsyeja

Policia e Kosovës, konkretisht patrullat e Policisë Kufitare, dje gjatë patrullimit dhe vëzhgimit të zakonshëm, në fshatin Rakosh të Istogut, kanë vërejtur disa veprime të dyshimta të një automjeti i cili ishte në lëvizje.

Zyrtarët policor kanë vepruar menjëherë duke e ndaluar veturën e dyshuar për kontrollim, me të cilën dyshohej për import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo mjeteve plasëse.

Njëri nga dy personat e dyshuar, me të vërejtur Policinë ka dalë me shpejtësi nga automjeti për të ikur duke vrapuar drejt pyllit, mirëpo falë shkathtësive dhe veprimeve të shpejta të zyrtarëve policor është arritur që të ndalohet dhe të arrestohet.

Lidhur me këtë rast është arrestuar edhe personi i dytë i cili ka qenë në automjet.

Personat e dyshuar, tanimë të arrestuar janë:

H. A.               lindur me 1955            m/sh/k
I.  A.                lindur me 1981            m/sh/k

Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe konfiskuar:

10 armë Ekoll Tuna kalibër 8 mm me nga një magazinë pa municion

Të dyshuarit janë ndaluar  për  procedim të mëtutjeshëm, ku të gjitha veprimet policore janë kryer me autorizim të prokurorit kompetent.

(Kosova Sot)