Klanet nëpër parti mbysin zërat reformues

  • 04 December 2016 - 07:48
Klanet nëpër parti mbysin zërat reformues

ZEQA:Partitë e sotme politike më shumë u ngjajnë korporatave private.

"Oligarkët duke afruar grupe e klane të interesit e bëjnë rrezikshmërinë për humbje të brendshme partiake të papërfillshme. Këta emisarë a paramilitarë politikë shantazhojnë, etiketojnë dhe largojnë nga procesi të gjithë zërat reformues, sidomos në shënjestër janë shtresa intelektuale dhe ajo akademike. Sot zëri i inteligjencës është ngulfatur, ai zë nuk dëgjohet fare, jo pse ata nuk duan dhe nuk janë të interesuar për t'u angazhuar, por përpjekjet e tyre sfidohen nga paramilitantët në nivelin lokal", shprehet analisti Shefqet Dibrani, raporton Gazeta Kosova Sot

Analistët dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë shfaqur shqetësimin e tyre se zërat reformues brenda partive politike po mbyten nga klanet e interesit, por edhe ato përpjekje të pakta po ngulfatën nga klientelat e kriminalizuara, që kanë kapur edhe kupolën e partive, derisa, sipas tyre, partitë e sotme politike në Kosovë më shumë u ngjajnë korporatave private sesa subjekteve të mirëfillta politike, të cilat po mbahen të uzurpuara nga klane mafioze dhe klientelat e tyre partiake. Ndaj në këtë drejtim është ngritur edhe pyetja se sa mund të jetë reale dhe e pritshme që të ngritën zërat reformues brenda partive, ngase me një mendësi të tillë të mungesës së mendimit kritik, ato veçse po i sjellin dëme të mëdha edhe vetë partisë, duke mbetur të gjysmë-izoluara nga elektorati i mirëfilltë i vendit, derisa këto parti po i mbajnë peng një grusht i njerëzve, që kanë kapur gjithçka brenda saj dhe i mbajnë afër vetëm servilet, ndërkaq zërat reformues ngulfaten e mbyten ende pa e ngreh zërin e tyre. Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDKja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën, "Kosova Sot" ka thënë se në Kosovë nuk ka demokraci të brendshme të partive politike, ngase ende dominon një mentalitet komunist apo neokomunist, derisa, sipas tij, e gjithë kjo është si pasojë e vetëdijes ende të ulët dhe mungesës së zhvillimit të shoqërisë sonë. 

Kelmendi: Zërat reformues stigmatizohen brenda vetë partisë Analisti politik

Naim Kelmendi, thotë se në të shumtën partitë politike në Kosovë vuajnë nga liderizmi i tepruar apo nga kapja e grupit ose klanit në krye të partisë apo subjektit, që jo vetëm i udhëheqin ato me vite pa zbritur nga udhëheqja, por, sipas tij, edhe i kanë korporatizuar ato, për të mos thënë se janë bërë patronë privatë të tyre. Andaj Kelmendi thotë se kjo nuk tregon për një lidership të përgjegjshëm, por më shumë ka si pasojë mendësinëe liderizmit partiak, që partinë ta udhëheqë me klane dhe grupe në krye të saj e që në të shumtën, siç tha, partinë e kanë për arritjen e interesave të grupit sesa në parim tregojnë përgjegjshmëri dhe demokratizim të brendshëm apo dhe të jashtëm në udhëheqjen e partive për të qenë pastaj të përgjegjshëm edhe në udhëheqjen e pushtetit në vend. "Pra, kjo mendësi vazhdon të mbretërojë në secilën nga partitë dhe udhëheqësit e tyre as që mund të flitet për të parin, pra liderin e tyre që t'ia lëshojë dikujt tjetër udhëheqjen e partisë, apo duket se atyre 'ia ka lënë baba me tapi' partinë, kështu që në këto parti pasoja është e shumanshme nga mungesa e mendimit kritik tjetër, sepse ai mendim dhe zërat reformues as që kanë hapësirë dhe as që u lihet hapësirë, ngase janë të ngulfatur nga grupi që uzurpon partinë dhe që përfaqëson më shumë grupin në krye të partisë sesa partinë", ka vijuar ai. Tutje Kelmendi ka shtuar se sikur t'u jepej hapësirë demokratike zërave reformues brenda partive atëherë do të kishte reformim të vetë këtyre partive dhe demokratizim të tyre ku do të vinin në shprehje edhe mendimet dhe zërat ndryshe e që do të ishin të dobishëm për vetë partinë apo subjektin në reformimin dhe demokratizimin e tyre në rend të parë. Por, sipas tij, zërat ndryshe, pra reformues, sikur stigmatizohen brenda vetë partisë nga grupi apo klani që udhëheq partinë, e që më çdo kusht mbanë të uzurpuar udhëheqjen në të shumtën edhe jashtë çdo principi dhe pa asfarë konkurrence. "Edhe kur duhet të ketë garë për udhëheqje sikur nuk gjendet kundërkandidati, por që njëshi garon vetëm për të mbajtur udhëheqjen i mbështetur nga klani apo grupi rreth dhe në përkrahje të tij", u shpreh Kelmendi për të shtuar se kështu ngulfatet parimi demokratik apo i vetë pluralizmit të mendimit. "Këtu nuk ka demokraci brenda vetë partive dhe as që ka principialitet, e që kështu dëmton vetë partitë në zhvillimin demokratik të tyre. Kjo mendësi tregon se këto parti ende vuajnë nga njëmendësia, duke mos i dhënë hapësirë mendimit ndryshe, e zërave ndryshe, pasi sikur këtë gjë ata e shohin si rrezikim të posteve të tyre, posa ndonjëri ia prish liderit apo grupit, këtë ata e shohin si herezi, dhe ai linçohet apo mbetet zë periferik, dhe kësisoj kjo tregon po ashtu për një uniformitet të mendimit e të mendësisë që nuk është aspak i dobishëm për vetë partinë apo subjektin. Nga kjo mendësi duhet të dilet patjetër, sepse sa më shumë pluralizëm mendimesh dhe veprimesh aq më shumë parimësi e demokraci arrin vetë partia apo subjekti që më pas reflekton edhe tek elektorati i saj, sepse me njëmendësi shkohet vetëm në monizëm", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" analisti politik, Naim Kelmendi.

Dibrani: Reformimi partiak nuk lejohet nga grupe e oligarkë politikë

Analisti Shefqet Dibrani ka nënvizuar se zërat reformues brenda partive politike po mbyten nga klanet e interesit, ku edhe ato përpjekje ngulfaten nga klientela e kriminalizuar që i kanë kapur edhe kupolën e partive. Andaj, sipas tij, reformat e brendshme janë të domosdoshme por për t'u aplikuar është e pamundshme, sepse reformimi partiak nuk lejohet nga grupe e oligarkë politikë, të cilët i kanë krijuar rrathët për të realizuar qëllimin e tyre. "Oligarkët duke afruar grupe e klane të interesit e bëjnë rrezikshmërinë për humbje të brendshme partiake të papërfillshme. Këta emisarë a paramilitarë politikë shantazhojnë, etiketojnë dhe largojnë nga procesi të gjithë zërat reformues, sidomos në shënjestër janë shtresa intelektuale dhe ajo akademike. Sot zëri i inteligjencës është ngulfatur, ai zë nuk dëgjohet fare, jo pse ata nuk duan dhe nuk janë të interesuar për t'u angazhuar, por përpjekjet e tyre sfidohen nga para militantët në nivelin lokal e komunal, duke i detyruar intelektualët të zmbrapsen ose të japin dorëheqje. Prandaj, momentalisht në asnjërën nga partitë nuk kemi përpjekje serioze për reforma të brendshme, për të cilat kanë nevojë të gjitha partitë politike, pa përjashtim", ka vijuar më tej ai, derisa ka shtuar se nëse shikohen gjërat nga ky prizëm, atëherë mund të konkludohet se asnjë reformë shtetërorë nuk do të ketë sukses, nëse fillimisht nuk reformohen partitë politike, kurse reformat nuk do të kenë efektin pozitiv, nëse nuk nis në nivelin më të ulët partiak, pasi siç tha, atje poshtë duhet spastruar listat dhe nga udhëheqja partiake duhet të largohen elementet e kriminalizuar, të cilët bëjnë punën për shefat e tyre në kupolën politike dhe në sistemin e drejtësisë. "Ndërsa, një përpjekje për të ndryshuar LDK-në si duket ka dështuar, ndërsa për shkallën e kriminalizuar brenda kësaj partie, sidomos në segmentin që ka të bëjë me zgjedhjet në degët e saj në diasporë, mund të flas me mjaft kompetencë. Por, më thoni mua se në cilën derë nuk kam trokitur? Heshtjen që po e bëjnë mekanizmat përgjegjës të drejtësisë dhe ato të menaxhimit ndërkombë- tar, flasin për një abuzim të përbashkët, i cili edhe në këtë plan i ka frenuar proceset demokratike dhe respektimin e votës së lirë. Prandaj, akuzat e opozitës për kapjen e shtetit, më duket se janë një hiq gjë karshi realitetit faktik në të cilin ndodhet Kosova", ka thënë ai. Tutje, Dibrani ka nënvizuar se secila parti karshi elektoratit ka dështuar, kurse si tërësi karshi popullit, derisa, sipas tij, Kosova është në një krizë të madhe morale, politike, ekonomike dhe tjetër fare.

Partitë kanë filluar të urrehen nga elektorati i tyre

Analisti Florim Zeqa ka vlerësuar se partitë e sotme politike në Kosovë më shumë u ngjajnë korporatave private sesa subjekteve të mirëfillta politike, të cilat po mbahen të uzurpuara nga klane mafioze dhe klientelat e tyre partiake. "Në fakt partitë më të mëdha dhe me traditë të gjatë veprimi në vend, kanë mbetur peng i një grupi të vogël njerëzish me ambicie të sëmura karrieriste, që kanë uzurpuar të gjitha hapësirat e veprimit, duke mbajtur afër vetes servilët dhe puthadorët e të gjitha pushteteve, veprime këto, me të cilat kanë bërë që elektorati të ndihet i izoluar brenda partisë së vet. Ndodh pikërisht kështu për faktin e thjeshtë, se zërat kritikë dhe reformues brenda partisë ngulfaten dhe mbyten akoma pa e ngritur zërin. Andaj, partitë aktuale, të shndërruara në korporata private kanë filluar të urrehen nga elektoratet e tyre dhe nuk pëlqehen nga qytetarët e vendit, dhe si të tilla janë bërë edhe të dëmshme për vendin", ka shtuar ai. Tutje Zeqa ka veçuar se si pasojë e kësaj situate, viteve të fundit ka rënie drastike të daljes së elektoratit në zgjedhje, andaj për të mos thënë e domosdoshme, tha se është nevojë urgjente ngritja e zërave reformues brenda subjekteve politike, për largimin e karrieristëve dhe 'veteranëve' në kryesitë e partive, që janë bërë pengesa kryesore e reformave dhe ndryshimeve pozitive jo vetëm brenda partive politike, por të skenës politike të vendit në përgjithësi. 

(Kosova Sot)