Jetojnë vetëm nga pensioni i pleqërisë

  • 04 December 2016 - 07:53
Jetojnë vetëm nga pensioni i pleqërisë

Rropaten me 70 euro ndihmë sociale, që marrin në mua.

Të gjithë ata, të cilët kanë mundësi t'i ndihmojnë kësaj familjeje, të cilët kishin humbur të gjitha shpresat për ditë më të mira mund të thërrasin në numrin e telefonit të familjes, që është:045 928 944.  

Plaku Sinan Hoti, 85-vjeçar nga Caralluka e Malishevës, po kalonte ditët e pleqërisë me sëmundje e skamje. E sëmurë është edhe reja e tij, Lumnije Hoti. Tre anëtarë të familjes jetojnë vetëm nga pensioni i pleqërisë së plakut në vlerë prej 70 eurosh. Familja apelon për ndihmë , raporton Gazeta Kosova Sot

Mjerimi i shumë familjeve kosovare nuk ka të ndalur. Në një gjendje aspak të mirë hasëm këto ditë edhe familjen Hoti nga fshati Carallukë e poshtme e komunës së Malishevës. Të tre anë- tarët e familjes po kalojnë ditë të vështira në një shtëpi të vogël dhe pa kushte. Plaku Sinan Hoti 85-vjeçar rrëfeu për hallet e tij në këtë kohë kur po e mund pleqëria e skamja. Ai numëronte sëmundjet e tij në trup, e për të cilat thotë se nuk ka mundësi financiare as të shkojë tek mjeku. Pak kohë më parë ai shton se i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik , kurse tani vuan nga sëmundja e bruhit, por në pamundësi financiare nuk mund ta zgjidhë edhe këtë problem mjekësor. Ai gjatë vizitës që i bëmë kishte dalë pak nga shtëpia për të kaluar sadopak dhimbjen, por edhe mërzinë që kishte pikërisht si pasojë e mungesës së parave. "Me këto kushte me 75 euro pension të pleqërisë, as tri ditë nuk po na mjaftojnë", thotë ai duke bërë të ditur duke shpjeguar për sëmundjet. "Doktori po thotë se duhet të operohem edhe nga bruhi, por nuk po kam mundësi se nuk e kam asnjë cent në xhep", thotë ai duke tundur kokën herë andej e herë këndej për kohën e vështirë, nëpër të cilën është duke e kaluar ai djali dhe reja e tij. 

Image

 

Mungon çdo gjë brenda shtëpisë

Plaku gati ia shkrepi vajit, pasi ishte pa asnjë cent në gjep, nuk arrinte më të nxirrte fjalë nga goja. Fjalën e mori djali i tij Rasim Hoti, i cili njoftoi për gjendjen e vështirë nëpër të cilën janë duke e kaluar jetën. "Te tre anë- tarët e familjes jetojmë me pensionin e plakut në vlerë prej 70 euro. Kjo shumë nuk po na del as për tri- katër ditë, prandaj ditët e tjera të muajit i kalojmë si mos më keq", thotë ai duke shtuar se mbesin keq për të gjitha gjërat elementare. Hoti shtoi se nuk ka qëndruar duarkryq, dhe se ka kërkuar punë gjithandej, por që nuk ka arritur deri tek një vend pune. "Po kam kërkuar punë vazhdimisht, por nuk ka askund. Vështirë është jeta kështu", u shpreh ai, duke shtuar se pa ndihmat e bamirëseve të ndihmës sociale nuk do të arrinim të kemi as të kemi kulm mbi kokë. "Shtëpinë na kanë ndihmuar ta ndërtojmë, sepse kemi jetuar përpara në një shtëpi të keqe, duke e mbajtur në këmbë me shtylla", thoshte ky qytetar, duke kujtuar shtëpinë e vjetër. Por, realiteti në një shtëpi pa kushte fliste vetë. Në dhomat për brenda mungonin mobiliet, kishte vetëm shilte në dispozicion për të pushuar dhe për të fjetur. Gjithashtu edhe dyert nuk ishin të reja. E më se të nevojshme shiheshin shtroja e mbuloja. Tepihët ishin nëpër dhoma sa për të thënë. 

Shpesh Lumnija nuk ka çka shtron në sofër

E zonja e shtëpisë, Lumnie Hoti, e kishte edhe më të vështirë, pasi çdo ditë duhej të mendonte se çka t'u përgatisë për ushqim burrit dhe vjehrrit të saj. Theksoi se kur nuk ka harxh është problemi më i madh për të. "Boll po e kam të vështirë, shpesh nuk kemi gjërat që duhen për një familje. Kur nuk kemi çka të shtrojmë në sofër rrimë me barkun bosh", thotë ajo. Për më shumë ajo është ankuar edhe për mungesë të kushteve. "Po e shihni në shilte jemi hala dhe nuk kemi kurrgjë. As kuzhinë e as kushte të tjera", shprehet Lumnie Hoti, duke bërë të ditur se do t'i përballonte më lehtë të gjitha këto vështirësi sikurse të ishte vetë ajo mirë me shëndet. "Vetë jam e sëmurë nga frymëmarrja dhe zemra. Vjehrri i sëmurë po ashtu. Kështu vështirë të jetohet", thotë ajo, duke pohuar se në disa raste nuk kanë as para për të blerë ilaçe. "Jeta qenka gjithqysh", thotë ajo duke ofsharë nga hallet.

Prandaj të gjithë ata, të cilët kanë mundësi t'i ndihmojnë kësaj familjeje, të cilët kishin humbur të gjitha shpresat për ditë më të mira mund të thërrasin në numrin e telefonit të familjes, që është:045 928 944. 

 

(Kosova Sot)