Gjermania i dhuron Kosovës 29.5 milionë euro

  • 03 July 2015 - 16:46
Gjermania i dhuron Kosovës 29.5 milionë euro

Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë e mbështet Kosovën në përafrimin me Bashkimin Evropian dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit.

Duke iu referuar negociatave qeveritare me Republikën e Kosovës të datës 22 maj 2015, Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë ofron në dispozicion një shumë të re prej 29,5 milionë Euro për vitin 2015, njofton kumtesa zyrtare nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Projektet e bashkëpunimit financiar përmbajnë programe të energjisë, përmirësimit të sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë dhe programe për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave. Projektet e bashkëpunimit teknik përmbajnë programe në fushën e arsimit dhe përkrahjes së punësimit, menaxhimit të tokës dhe kadastrës, efiçiencës së energjisë, si dhe ngritjes së shërbimeve lokale të qëndrueshme dhe fondeve për studime dhe ekspertë.

Me një vëllim të deritanishëm prej mbi 450 milionë Euro, Gjermania është njëri nga donatorët më të mëdhenj në fushën e bashkëpunimit zhvillimor me Kosovën. Veç kësaj, Gjermania angazhohet edhe në kuadër të BE-së dhe në projekte të tjera multilaterale.