Basha në Vjenë ngre shqetësimin për zgjedhjet

  • 03 July 2015 - 17:02
 Basha në Vjenë ngre shqetësimin për zgjedhjet

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, u takua sot në Vjenë me kryetarin e PD të Shqipërisë, Lulzim Basha, për të diskutuar për disa çështje të lidhura me zgjedhjet vendore të mbajtura më 21 qershor 2015.

Zannier tha se u informua rreth qëndrimit të Bashës dhe se dëgjoi me vëmendje shqetësimet e tij rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri në lidhje me zgjedhjet vendore dhe parregullsitë e pretenduara gjatë procesit zgjedhor, transmeton albeu.

Duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm dhe të paanshëm të luajtur nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR) në monitorimin e procesit zgjedhor, Zannier e siguroi bashkëbiseduesin se në Raportin Përfundimtar të Misionit do të pasqyrohet një vlerësim objektiv dhe i saktë i zgjedhjeve, kur ky të bëhet publik pas rreth tetë javësh.

“Raporti Përfundimtar do të ofrojë disa rekomandime për përafrimin e mëtejshëm të proceseve zgjedhore me angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare”, tha ai. “Pres nga të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për t’i vënë në zbatim këto rekomandime, në dobi të popullit shqiptar”, tha Zannier.