SUPER-SKANDALI: Grabovci - Devollit "Kqyre se s'mujta me të thirrë... m'u ka zbraz krejt fyti..."

  • 01 January 2017 - 08:36
SUPER-SKANDALI: Grabovci - Devollit

LIDHJET MAFIOZE PUSHTET-BIZNES, ME PASOJA PËR VENDIN

Bizneset e pista ia mbushin gushën mafio-politikanëve

Deklarata e Adem Grabovcit në bisedën telefonike me Shkëlqim Devollin, ku Grabovci i thotë Devollit "Kqyre se s'mujta me të thirrë… m'u ka zbraz krejt fyti…", ndërkohë që Devolli i përgjigjet "U bo shef, qe po t'i çoj…", tregon më së miri se si funksionon lidhja korruptive politikë- biznes

Për analistët e ekonomisë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ka asnjë fije dyshimi se klani "Pronto" dhe mafio-oligarkët, Shkëlqim & Blerim Devolli, Ekrem Lluka e shumë të tjerë, ishin top-skandali i ekonomisë për vitin 2016. Rasti i tyre po tregon dhe dëshmon katërçipërisht për mënyrën se si ushqehet politika kriminale nga bizneset e inkriminuara oligarkike, ku përfitohet paligjshëm dhe pandershëm nga favoret e pushtetit të korruptuar dhe përmes krimit të organizuar, ku vlerat arrijnë në qindra miliona euro. Deklarata e Adem Grabovcit në bisedën telefonike me Shkëlqim Devollin, ku Grabovci i thotë Devollit "Kqyre se s'mujta me të thirrë…m'u ka zbraz krejt fyti…", ndërkohë që Devolli i përgjigjet "U bo shef, qe po t'i çoj…", tregon më së miri se si funksionon lidhja korruptive politikë-biznes. Analistët janë të mendimit se është lidhja e klanit 'Pronto' arsyeja se përse deri më sot Prokuroria publikisht nuk ka ngritur aktakuzë "ex oficio" kundër Shkëlqim Devollit edhe për mashtrimin që e ka bërë me importimin nga Serbia të qindra mijëra tonelatave grurë kancerogjen, të dedikuar për kafshë dhe që më pas ua kishte shitur qytetarëve në Kosovë dhe në Shqipëri për miell buke. Shkëlqim Devolli kishte shmangur detyrimet doganore, duke e bluar grurin në fabrikën e vetë "M Sillosi" për ta shitur në treg. Sipas gjetjeve të Doganave, 'Devolli Corporation' e ka dëmtuar shtetin në vlerë prej 489.762. 41 euro! Ky skandal, edhe pas gjetjeve nga ana e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural të Kuvendit të Kosovës, ka mbetur pa u ndëshkuar, shkruan gazeta Kosova Sot.

Njerëzit e nëntokës po shpëtojnë nga ndëshkimi 

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Adem Salihaj (LDK), ka thënë për "Kosova Sot" se afera "Pronto", e cila filloi me Hashim Thaçin dhe vazhdoi me Adem Grabovcin dhe të tjerët, tregoi pa asnjë dyshim se politikanët kryesorë të Kosovës nga PDK-ja janë shefat e nëntokës kriminale, të lidhur drejtpërdrejt me të gjitha dallaveret, që bëhen përmes oligarkëve ekonomikë, për të futur në xhepat e tyre miliona e miliona para të buxhetit të shtetit të Kosovës."Me gjithë këto afera të mëdha e komprometuese, këta njerëz të nëntokës, pa u ardhur turp fare, dalin nëpër foltore dhe gënjejnë dhe aspak nuk brengosen se krejt opinioni tashmë e di se ata po vjedhin, madje po vazhdojnë të vjedhin edhe më tutje", tha ai. Deputeti Salihaj thotë se askush nuk ua prish atyre tymin e duhanit, as Prokuroria, as Gjykatat, as Policia. "Oligarkët, në bashkëpunim me mafio-politikën, vazhdojnë ta ushqejnë e ta helmojnë këtë popull me lloj-lloj ushqimesh të dyshimta e kancerogjene, të cilat e shkatërrojnë shëndetin e pambrojtur të qytetarëve me ushqim për kafshë, sepse ashtu e trajtojnë", u shpreh ai. Sipas deputetit Salihaj, vitet e kaluara i përmbyllëm me lloj-lloj aferash korruptive e kriminale, këtë vit po e përmbyllim po ashtu me shumë afera të tilla, askush asgjë nuk po ndërmerr. 

Ekonomistët e Qeverisë, një dështim total

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitar, Salih Salihu (Lëvizja 'Vetëvendosje'), tha për "Kosova Sot" se nuk duhet të na çudisë aspak heshtja e Prokurorisë së Shtetit, por edhe institucioneve të tjera, sepse kjo qeveri është shndërruar në një kompani biznesi, sepse e tërë Qeveria është bërë pjesë e klanit "Pronto" dhe këta e kanë kapur shtetin në dorë."Duke filluar nga Devollët e shumë kompani të tjera, sepse Devollët me të madhe janë duke e shkatërruar ekonominë tonë. Këta e kanë monopolin për shumë kultura, shumë prodhime, sepse këta dominojnë kudo në importe, me qumësht, grurë me miell, me homologim e shumë produkte të tjera. Këta njerëz të Qeverisë duan që ta shkatërrojnë vendin tonë përmes kompanive që i kanë gjetur si mbulojë dhe që po i qesin përpara", ka thënë ai. "Edhe sot nga 6 maune me grurë të rezervave shtetërore të Serbisë hyjnë për çdo ditë në Kosovë dhe çmimi i tyre është vetëm 13 centë. Askund në botë nuk kam dëgjuar, përveç në Kosovë, se ka çmime 16 centë një kg krunde, kurse 13 centë një kg grurë. Paramendo sa ekonomistë i kemi në Qeverinë e tashme, duke filluar nga Isa Mustafa, Besim Beqaj, Hykmete Bajrami, që gjoja janë ekonomistë me nam, e nuk e ndalin këtë skandal që krundet të shiten më shtrenjtë se gruri në Kosovë. Kjo është vdekje dhe disa herë e kemi diskutuar këtë çështje në komisione dhe në Kuvend, se përse po lejohet kjo, por kot ka qenë, sepse këta nuk duan që t'i luftojnë këto punë të pista, sepse janë pjesë e tyre", theksoi Salihu.

Biznesmenët mafiozë dëmtojnë qytetarët 

Analisti politiko-ekonomik, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se në bisedën telefonike që e kanë bërë dy mafiozët biznesmenë, siç janë Adem Grabovci dhe Shkëlqim Devolli, kuptohet qartë që për interesat e tyre personale bëjnë shpëlarjen e parave ndërmjet tyre, duke i ri-organizuar punëtorët të punojnë një punë, të cilët nuk kanë rëndësi në kompanitë e tyre", ka thënë më tej ai.

Skandali i grurit të mykur

Analisti tjetër i ekonomisë, Ardian Nokaj, tha se është folur nga mediet televizive dhe ato të shkruara se në vitin 2014 deri në këtë vit, 2016, kompania 'Devolli' ka blerë grurë për kafshë, të cilin në fakt e ka futur ilegalisht dhe po këtë produkt ia ka shitur qytetarit dhe, për fat të keq, ajo çka është më e keqja është se ky grurë i kafshëve ka qenë i mykur dhe me afat të skaduar."Mund ta paramendoni se sa qytetarë janë helmuar nga ky miell i kafshëve, pa e ditur se çka kanë ngrënë, mund ta paramendoni edhe reagimin e qytetarëve se si janë ndier kur e kanë marrë vesh që po konsumojnë, në vend të miellit normal, grurë të kafshëve me afat të skaduar dhe të mykur", tha ai. "Unë mendoj që kompania 'Devolli', veçanërisht 'M &Silosi', duhet të mbyllet totalisht nga Policia e Kosovës dhe AUVK-u, duke filluar hetimet në lidhje me këtë biznes ilegal, të cilin e ka bërë Shkëlqim Devolli me bizneset shqiptare që po veprojnë në Shqipëri, si dhe të hetohen doganierët në lidhje me lejimin e këtij gruri të kafshëve, i cili është edhe helmues për organizmin e njeriut", theksoi ai."Shpresojmë që Klani 'Pronto' të ndalet nga Policia e Kosovës dhe të arrestohen ata të cilët kanë qenë të përzier në këtë marrëveshje ilegale, si dhe të merren masat ndaj këtyre bizneseve", potencoi ai. 

(Kosova Sot)