Skandali presidencial, Pacolli akuzohet për një milion ryshfet

  • 07 January 2017 - 07:38
Skandali presidencial, Pacolli akuzohet për një milion ryshfet

Zeqa: Akuza e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese ndaj Pacollit e tregon shembullin më të keq të lidhjes së institucioneve më të larta të shtetit me krimin e organizuar

Akuza e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, se Behgjet Pacolli ka ofruar 1 milion euro për të ndryshuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjes së tij në krye të Presidencës është shumë serioze dhe kërkon reagim të menjëhershëm të Prokurorisë Speciale, që, sipas detyrës zyrtare, të hetojë këtë rast", thekson analisti Bejtullah Ibrahimi

Deklarimin dhe akuzimin publik nga ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, adresuar liderit të AKR-së, Behgjet Pacolli, sipas të cilit del se njerëzit e tij i kanë ofruar një milionë euro për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, asokohe për ish-presidentin, të cilin e rrëzoi kushtetuesja, analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë e konsiderojnë si një rast, mbi bazën e të cilit Prokuroria e Shtetit po të ishte një institucion serioz dhe i pavarur, do të duhej hetuar si rast "ex officio" për këtë vepër kriminale në tentativë. Sipas tyre, mbizotëron bindja se jo vetëm Pacolli është mësuar që të blejë njerëzit për qëllimet e tij, madje edhe postet e rëndësishme politike e përfaqësuese në institucione, por në këtë mënyrë funksionon kryesisht shumica e politikës në Kosovë, kryesisht me blerje të posteve përmes trafikimit dhe në dëm të qytetarëve të vendit. Denoncimi i rastit 'Pacolli' nga ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet vetëm një shembull tipik i lidhjes me krimin. Analisti politik, Shefqet Dibrani, thotë se deklarata e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ku e akuzonte Behgjet Pacollin se njerëzit e tij i paskan ofruar 1 milion euro për ta ndryshuar vendimin asokohe për ishpresidentin, të cilin e rrëzoi Kushtetuesja, është edhe një skandal tjetër publik, në vazhdën e aferave të mëdha që po ndodhin në vendin tonë.

Tregtia kriminale me pushtetin

Sipas Dibranit, ndërhyrja e grupeve të interesit në drejtësi është e tejdukshme. "Kjo deklaratë, bashkë me deklaratën e avokatit Tomë Gashit për rastin 'Dehari', do të duhej të trajtohej nga drejtësia në Kosovë me prioritet. Por, sikurse skandalet e përgjimeve telefonike të "Grupit Pronto", pastaj aferat për "Vjedhje në kohë lufte" e deri tek akuzat e rënda për vrasje politike e për korrupsion të nivelit të lartë, nuk trajtohen, edhe pse kanë ndërtuar atë mozaikun tragjik të Kosovës", u shpreh ai. "Këto deklarata dhe këto afera publike shpjegojnë se grupet e interesit po e menaxhojnë Kosovën. Deklarata e ish-kreut i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tregon se si tregtohen tenderët me qëllime të pastra korruptive. Tentimi për blerjen e postit të presidentit është vepër penale, për të cilën sigurisht do të duhej të veprojë Prokuroria e Shtetit. Në të kundërtën edhe kjo deklaratë, edhe kjo afër do të mbetet një rast në tentativë që nuk do të prodhojë asnjë efekt anësor", theksoi Dibrani. "Deklarata e Enver Hasanit është akuzë e rëndë, pasi ajo vjen nga njeriu që e ka udhëhequr për disa vite Gjykatën Kushtetuese, kurse në anën tjetër dëshmon se si në vendin tonë blihen postet politike", vlerësoi më tej ai. "Sikur të kishim drejtësi, nuk do të kishim as afera kaq të rënda publike", u shpreh më tej Dibrani.

Tre faktorët që të çojnë në pozitë

Gjykim të ngjashëm ka edhe njohësi i fushës së drejtësisë prof. Muhamet Kelmendi. "Unë mendoj se në çështjen e nxënies së pozitave shtetërore sot nuk ka shumë rëndësi as politika as sistemi politik dhe as partia politike, por janë tre faktorë kryesorë, që ndikojnë dhe përdoren në rastet e tilla. Faktori i parë gjithsesi është faktori para, për të cilin foli edhe vetë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili ka rrëfyer për këtë çështje edhe gjatë rrëfimit në gjyq e ka dokumentuar këtë. Faktori i dytë është faktori i lidhjeve familjare dhe grupore të ndryshme, të cilat shkojnë nëpërmes grupeve të ndryshme të lidhjeve klienteliste politike dhe të fushës ekonomike, dhe i treti që është shumë tragjike për Kosovën është mënyra e dhënies së pozitës nëpërmes aferave të dhunës seksuale që është një faktor shumë i madh kriminal, përveç atij të parasë për të cilin e thashë pak më parë më lart në deklaratën time rreth zënies së pozitave shtetërore", potencoi Kelmendi. "Nga ky aspekt i përfitimit të posteve në këtë mënyrë kemi ministra, kemi kryeministra, zëvendëskryeministra, kemi ambasador, kemi edhe konsuj nëpër vende të ndryshme, kemi njerëz të pozicionuar- emëruar në prokurori, në gjykata dhe kudo që janë bërë nëpërmes formave të tilla kriminale të marrjes së pozitës në pushtet", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, derisa ky rrjet kriminal ka kapur edhe segmente të rëndë- sishme të gjykatave dhe Prokurorisë së Shtetit, atëherë nuk është aspak e pritshme që do të merret edhe me denoncimin publik kundër Pacollit. "Prokuroria detyrë kryesore e ka ndjekjen e krimit të organizuar të të tri llojeve dhe të tri rasteve, por derisa edhe Prokuroria është vetë në pozitën e tillë, një sistem i varur nga politika, duke i nisur nga kjo gjendje nuk është e pritshme që të shkojnë më tutje në hetimin e gjendjes së mëtutjeshme, sepse kemi shumë deklarata publike dhe ankesë që me vite thonë se kemi edhe Prokurori të varur, por edhe Gjyqësor të varur që nuk vepron, sepse janë në shërbim dhe vartësi të të tria këtyre grupeve", tha prof. Kelmendi.

Të apostrofuarit të mbajnë përgjegjësi

Analisti politik, Florim Zeqa, komentimin e këtij rasti e nis me një fjalë të urtë popullore që thotë: "Më mirë vonë se kurrë", andaj, sipas tij, edhe akuza e kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ndaj Behgjet Pacollit, për faktin se njerëzit e tij i kanë ofruar 1 milion euro për ta ndryshuar vendimin asokohe për ishpresidentin, të cilin e rrëzoi Kushtetuesja, edhe pse e vonuar, është bazë për ngritje të veprës penale nga ana e Prokurorisë së Shtetit ndaj kreut të AKR-së. "Edhe pse kjo një akuzë e rëndë e njeriut që për disa vite rresht ka udhëhequr Gjykatën Kushtetuese është e vonuar, urojmë të jetë vetëm fillimi i rrëfimeve të tij për blerjen e drejtësisë me para në Kosovën e kapur nga klanet dhe grupet mafioze, për blerjen dhe trafikimin e posteve më të larta shtetërore përgjatë këtyre viteve të pavarësisë. Akuza e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese ndaj Pacollit e tregon shembullin më të keq të lidhjes së institucioneve më të larta të shtetit me krimin e organizuar", ka thënë ai. "Në rastin konkret, akuza e Hasanit e tregon se si është mësuar Pacolli të blejë njerëzit për qëllimet e tij, si kjo për tentim blerjen e postit të presidentit të shtetit disa vite më parë. Vërtet, nëse kreu i AKR-së nuk arrin të demantojë akuzën e ish-kreut të Kushtetueses, atëherë përveçse e meriton ndëshkimin për vepër penale nga Gjykata Kushtetuese, meriton edhe ndëshkimin me votë të qytetarëve për largim nga skena politike dhe anasjelltas, nëse Enver Hasani nuk e mbulon akuzën e tij me fakte të pakontestueshme, atëherë atë duhet ta presë ndëshkimi nga e njëjta gjykatë", tha Zeqa për "Kosova Sot"....

Smaka pyet Hasanin: Pse u vonove?

Mirëpo, njohësi tjetër i fushës së drejtësisë, Riza Smaka, thotë se edhe vetë Enver Hasani mban përgjegjësi për një deklarim-denoncim kaq të vonuar. "Edhe nga prononcimi në fjalë i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Enver Hasanit, reflektohet se në shoqërinë politike kosovare ngufat një klimë abuzive, spekulative, korruptive. Gjithsesi, kur Hasani deklaron sot, por jo me kohë, pra, jo menjëherë, por tek pas disa vitesh se "iu paskan pas ofruar 1 000 000 euro për të gjykuar çështjen në favorin e Pacollit... '', këtë temë e karakterizon me një nebulozë, mjegullnajë e për aq, diskutabile dhe problematike. Tek e fundit, deklarata e tillë, së paku, në këtë fazë, është vetëm një hipotezë, madje hipotezë e rrëxueshme eventualisht e qëndrueshme. Në këtë kontekst vlen të theksohet se petitumi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetutare referuar rastit "Pacolli" si ish-president, në vend me Kushtetutën, konformonte më tepër me diktate të politikave ditore", është shprehur Smaka. "Në atë rast ka qenë krijuar një precedent, por të njëjtin, për situatë juridike të njëjtë, po ajo Gjykatë, Gjykata Kushtetutare, ka pas konkluduar ndryshe. Unë e kam kontestuar bindshëm trajtën e gjykimit të rastit 'Pacolli' në një ese të botuar në "Kosova Sot". Rrjedhimisht e kam kontestuar edhe pa përfilljen e precedentit me parë të kontestuar në rastin e dytë nga se Gjykata Kushtetutare nuk e ka përfillur një precedent, çfarëdo qoftë, të së njëjtës Gjykatë, Gjykatës Kushtetutare të Kosovës. Së andejmi për të satën herë rezulton konkludimi se në vendin tonë ndodhin raste të pazakonshme madje edhe bizare", tha prof. Smaka.

Politika e matrapazllëqeve

Bashkëpërgjegjës e bën Enver Hasanin për këtë lloj afere të mjegullt në rastin 'Pacolli' edhe analisti politik, Ali Hertica, sipas të cilit drejtësia do të duhej hetuar në tërësi rolin e tij destruktiv në mandatin e kreut të Gjykatës Kushtetuese. "Kryetari i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë personi më së shumti i akuzuar në Kosovë, përfshirë edhe për idenë se ai 'rrëzoi' presidentët Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli, pasi dëshironte të bëhet vetë shef i shtetit, por ai mbrëmë në mënyrë të drejtë dhe të pacenuar e tha të vërtetën që del nga ai titullar i falsifikuar me plagjiatura dhe duke e thënë atë se njerëzit e Pacollit m'i kanë ofruar 1 milion euro. E gjithë kjo skenë politike e matrapazllëqeve të politikë-bërësve tanë shqiptarë është e tillë, me egon e etur për të zhvatur dhe përfituar nëpërmes marrjes së pozitës në pushtet", theksoi Hertica. Analisti Bejtullah Ibrahimi thotë se assesi Prokuroria e Shtetit nuk duhet ta heshtë një rast të tillë. "Akuza e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, se Behgjet Pacolli ka ofruar 1 milion euro për të ndryshuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjes së tij në krye të Presidencës është shumë serioze dhe domosdo kërkon reagim të menjëhershëm të Prokurorisë Speciale, që, sipas detyrës zyrtare, të hetojë këtë rast. Jam më se i bindur se kjo akuzë është shumë e rëndë dhe Hasani me gjasë ka bazë të fortë për një akuzë kaq të rëndë, sepse po që se këtu nuk ka të vërtetë nga ajo çfarë thuhet, atëherë ai është shumë i vetëdijshëm për pasojat e një akuze kaq të rëndë", potencoi ai.  

(Kosova Sot)