Pushtetarët e rrënuan kompaninë njëmiliardëshe

  • 11 January 2017 - 07:26
Pushtetarët e rrënuan kompaninë njëmiliardëshe

Kompania publike mund të kolapsojë nga paditë ndërkombëtare

Deri vonë konsiderohej se ishte krenaria ekonomisë së brishtë të Kosovës, pas luftës që dikur vlente rreth një miliard euro, të paktën siç e vlerë- sonin njohësit e kësaj fushe. Por, fatkeqë- sisht në saje të veprimeve mafioze të të gjitha garniturave të pushtetarëve tanë oligarkë të inkriminuar të politikes, që janë në krye të institucioneve të shtetit, por edhe ndihmesës së madhe të mafio-oligarkëve të bizneseve të inkriminuara të Kosovës, dikur krenaria ekonomisë së vendit, PTKja, ndodhet në prag të falimentimit. Analistë ekonomie, specialistë të kësaj fushe, por edhe deputetë të pozitës e opozitës pyesin se a do t'i bëjë përgjegjës Prokuroria e Shtetit të gjithë zyrtarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët zhvatës dhe korruptivë, që po veprojnë si krim i organizuar në Kosovë. Lidhur me problematikën, me gjithë pyetjet e dërguara dhe telefonatat e bëra në adresë të zyrës për informim të PTK-së, zyrtarët e tyre për dy ditë me radhë nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e dërguara. Ndërsa analistët e kësaj fushe pajtohen me vlerësimin se me fajin e të gjitha garniturave të politikanëve tanë të pasluftës PTK-ja është bërë një "çerdhe", ku punësoheshin familjarët dhe militantët partiakë. Sipas analistëve, PTK-ja ka ardhur në gjendje të tillë financiare, saqë mos të paguajë madje as dividendin e Qeverisë së Kosovës

Kontesti që mund ta kolapsojë Kosovën

Ish-ministri i MTI-së, Ismet Mulaj, tha për gazetën "Kosova Sot" se PTK-ja ishte kompani, që dikur krenoheshim me suksesin e saj dhe të gjithë mendonin që kjo kompani do të përdorej për tërheqjen e ndonjë investitori me renome botërore. "Jo veçse nuk ndodhi ky tregim, por kjo politikë e shndërroi në vend ku punësohen familjarët dhe militantët partiakë dhe politikë", theksoi ai. Mulaj tha se e keqja është se PTK-së së pari në 2008 iu ndalën investimet me qëllim që të përgatitej "kinse" për privatizim, por kjo lojë bëhej që t'i krijohej treg operatorit të ri konkurrent, pas kësaj PTK-ja u obligua të krijonte një kompani private brenda saj, si operator virtual, dhe këto veprime po e hanin kompaninë e PTK-së çdo ditë nga brenda. "Kjo kompani virtuale e lidhur me politikën sot po i merr të ardhmen PTK-së nëpër gjykatat e arbitrazhit. Veç saj, PTK-ja ende është edhe në një proces tjetër gjyqësor dhe nëse do ta humbte edhe këtë kontest gjyqësor kompania e PTK-së, do të mund ta kolapsonte gjithë ekonominë e Kosovës", potencoi më tej ai. Ish-ministri Ismet Mulaj tha se PTKja kështu si po qeveriset nga politika, prej një zhvilluesi të ekonomisë së vendit do të shndërrohet në një varr për buxhetin e Kosovës. 

Të hetohen kontratat e dëmshme

Eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida, tha për gazetën "Kosova Sot" se nuk e ka parë kontratën e PTK-së me kompaninë "ZMobile", përveç asaj çka ka dalë në medie, por ai kërkon adresim të përgjegjësisë. "Andaj, e vetmja gjë që mund të deklaroj është se, nëse kjo kontratë është e dëmshme për PTK-në, që është kompani publike, atëherë ishte dashur të ndërmerren veprimet ligjore përkatëse nga na të gjitha institucionet. Sepse prokuroria duhet kërkuar që fajtorët duhet ndëshkuar sipas ligjit", theksoi ai. Sipas Didës, menjëherë duhet të fillojnë hetimet për punën e kryetarëve dhe anëtarëve të Bordit të PTKsë dhe menaxherëve që nga 1999 e deri tash. "Veç saj, duhet të nisë me procedurat e ndjekjes penale kur është fjala për kontratat e dëmshme që pa dyshim kanë ndodhur në PTK. Të gjithë duhen hetuar vendorë e ndërkombëtarë dhe nëse ka vepra penale duhet që të japin përgjegjësi para organeve të shtetit të Kosovës", theksoi ai.

Çerdhja e profiteve marramendëse

Eksperti i ekonomisë, Ardi Nokaj, tha për gazetën "Kosova Sot" se shqiptimi i dënim- it nga ana e Arbitrazhit Ndërkombëtar të Vjenës së Austrisë ndaj kompanisë së PTK-së, e paraqet ma mëdyshje rastin më drastik të bashkëpunimit në mes të krerëve të sundimit të krimit dhe krerëve të nëntokës kosovare. "Pa fije dyshimi, PTK-ja e Kosovës ka qenë dhe mbetet çerdhja kryesore e profiteve marramendëse qindra-milionëshe, të cilën e ka shfrytëzuar SHIK-u dhe e shfrytëzon edhe sot", potencoi ai. Analisti Nokaj shpreh keqardhjen e tij, duke thënë se deri vjet kjo kompani, e cila ka qenë më rentabilja në Kosovë dhe i ka sjellë buxhetit qindra miliona euro profit të pastër, hap pas hapi, vit pas viti, krimi politik dhe krerët e nëntokës e kanë çuar drejt shkatërrimit. "Vetëm para pak kohësh buxheti ynë i humbi 30 milionë euro në një proces të kurdisur", potencoi ai. Analisti Nokaj thotë se PTK-ja përkatë- sisht 'Vala' është në rrezik që nga buxheti i Kosovës t'i humbasë edhe 390 milionë të tjera në procese të kurdisura dhe kontrata fiktive, përmes së cilave do të zhvatet pamëshirshëm paraja e qytetarit të Kosovës.

Paditë dërrmuese

Deputeti i opozitës, Bali Muharremaj (AAK), tha se PTK-ja shumë shpejt do të vijë buzë falimentimit e shkatërrimit, sepse ajo është e detyruar që të paguajë dëmet e saja nga kontesti i Arbitrazhit në Vjenë të Austrisë pas padisë së kompanisë "Z-Mobile", që është në pronësi të "Devollëve". "Këto janë para të qytetarëve të Kosovës", tha ai. Muharremaj theksoi se e keqja është se nuk do të ndalet vetëm me këtë dënim, sepse ka frikë se do të pasojë së shpejti dënimi edhe nga AXOS dhe epilogu do të jetë i njëjtë. Ndërsa opozitari tjetër, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), tha se është e rëndë dhe shqetësuese dukuria e viteve të fundit e shqiptimit të "dënimeve" që po u bëhen disa NP-ve të Kosovës nga Gjykatat e Arbitrazhit, që dikur ishin krenaria e vendit tonë. "Këtu nuk nevojitet ndonjë logjikë e madhe, sepse të gjitha këto konteste gjyqësore dhe kontrata të tillë janë duke u bërë nga drejtuesit e këtyre NP-ve dhe institucioneve që janë të mbushura me militantë partiakë dhe në bashkëpunim të plotë me strukturat politike dhe mafioze, të cilat janë duke qeverisur vendin krejtësisht dhe kryekëput për përfitime të interesit të tyre dhe interesave të klaneve të tyre dhe interesave individuale", theksoi ai.

Bordet të mbajnë përgjegjësi

Sipas Hotit, i tërë ky proces është përcjellë me dështime dhe neglizhencë të qëllimshme të Qeverisë dhe njerëzve kompetentë për të mbrojtur interesat e këtyre NP-ve dhe institucioneve. "Janë po këto borde dhe pushtetarët që i dërguan këto NP drejt humbjeve dhe drejt gjobave ndaj tyre, me qëllim që të humbasë vlerën e tyre reale që e pati. Kurse tani PTK-ja gjendet para një krize të thellë para një zhvlerësimi total si një ndërmarrje publike më rentabile në vendin tonë që ka qenë. Ajo ka gjeneruar të ardhurat më të mëdha dhe i ka sjellë me miliona euro arkës së shtetit", thotë ai. Opozitari Hoti është i mendimit se pushtetarët tanë kanë pasur qëllim që ta bëjnë vetë privatizimin e PTK-së, përmes eksponentëve të biznesit në Kosovë. Ndërsa për heshtjen e Prokurorisë së Shtetit, opozitari Hoti tha se sistemi i drejtësisë është jofunksional dhe nuk mund të zbatojnë detyrat që i kanë qoftë sistemi i hetimeve apo punët e tjera që i kanë, sepse ky Gjyqësor dhe kjo prokurori janë peng të politikës, të cilët janë në pozita drejtuese të vendit dhe ata nuk do të lejojnë që të ketë ndërhyrje apo hetim të rastit. Keqmenaxhimi me pasoja dramatike Deputeti i koalicionit në pushtet, Blerim Grainca (LDK), tha për "Kosova Sot": "PTK-ja është shembulli më i mirë se si keqmenaxhimi, përkatësisht menaxhimi i dobët dhe joadekuat i saj mund ta shkatërrojë një kompani që dikur jo moti e kishte vlerën rreth një miliard euro. "Megjithatë në çmimet e një kompanie janë shumë faktorë që e përcaktojnë atë, është konsumatori, koha, rrethanat", ka thënë ai. Por, sipas Graincës, PTK-ja,'Vala' jo moti pati një vlerë shumë të madhe në treg dhe tash nuk e ka. "Konsiderojë se faktori kryesor për gjendjen në këtë NP është faktori njeri dhe atë faktori i brendshëm që e drejtoi këtë kompani", u shpreh ai. "Nuk di se si mund ta quajnë arsyen se përse erdhi deri tek këto dënime a të quhet keqmenaxhim apo keqpërdorim, por të gjitha këto janë çështje ligjore dhe këto janë çështje të prokurorisë, sepse pushtetet janë të ndara dhe ato janë çështje të saja, por si deputet i Kuvendit të Kosovës që jam më duket që kjo kompani po e humb substancën e vlerës së saj", potencoi Grainca.  

(Koosva Sot)