Mafio-politika shuan shpresën për drejtësi - Lajme - Kosova Sot
Mafio-politika shuan shpresėn pėr drejtėsi

Mafio-politika shuan shpresėn pėr drejtėsi

Të korruptuarit qëndrojnë mbi ligjin

Sistemi i drejtësisë në përgjithësi thuajse tanimë është "dorëzuar" krejtësisht përballë politikës dhe pushtetarëve interferues e kërcënues, të cilët po riciklohen për të mbajtur drejtësinë të dominuar nga interesat e tyre të inkriminuar. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë veçuar se një drejtësi e tillë, veç të tjerash, po e rrënon edhe ardhmërinë e vendit dhe duke hedhur përtokë imazhin e tij si dhe nuk po e lë Kosovën që të ecë para në asnjë aspekt, pa zhvillim ekonomik dhe pa mirëqenie për qytetarët. Ndaj, është shtuar edhe dilema se a janë njerëzit e politikës dhe mafiooligarkisë ata të cilët e 'bëjnë' ligjin, e shkelin atë pa pasur kush t'u dalë para, por edhe shpeshherë qëndrojnë mbi ligjin, ngase kemi një sistem të drejtësisë të 'kalbur', që nuk ofron asnjë shpresë e perspektivë për vendin dhe qytetarët e tij ? Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se mungesa e shtetit ligjor është pasojë e sundimit të krimit të organizuar dhe mafisë politike jo vetëm në drejtësi, por edhe në të gjitha sferat e tjera të jetës në Kosovë. " Një sistem i korruptuar i drejtësisë shuan çdo perspektivë në Kosovë, sepse ai përfshin institucionet e shtetit, zhvillimin ekonomik, integrimet euroatlantike dhe çdo sferë tjetër të jetës, derisa sistemi i drejtësisë, mafio- politika, krimi i organizuar dhe oligarkët janë të lidhur ngushtë dhe e pamundësojnë perspektivën e jetesës në Kosovë", ka potencuar deputeti Adem Salihaj.

Drejtësia e ndikuar

Analisti Naim Kelmendi shprehet se kjo gjendje e gjyqësorit, por edhe përgjithësisht e sistemit të drejtësisë është për t'u rishikuar se ku duhet shëruar 'sëmundjen' e tij, dhe kjo, sipas tij, duke u reformuar me njerëz e kuadro të afta e të përgjegjshme dhe me integritet moral e profesional, duke hequr kësisoj, siç tha Kelmendi, nga këto institucione ata gjyqtarë e prokurorë, të cilët janë inkuadruar që një kohë të gjatë nëpër sektorë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë, derisa e kaluara e tyre, përveçse është e dyshimtë, ata nuk kanë bërë thuajse asgjë në drejtim të avancimit dhe të zhvillimit të drejtësisë, ngase, veç të tjerash, kanë dështuar edhe në zgjidhjen e shumë lëndëve që po 'flenë' në sirtarë tash e një kohë të gjatë. Por, sipas tij, njerëzit e tillë po ashtu nuk i japin askujt llogaridhënie për mospërgjegjësitë e tyre dhe për mospunën e tyre, duke e sjellë për rrjedhojë gjendjen thuaja kolapsike të mosgjykimit të lëndëve. Nisur nga kjo, Kelmendi nënvizon se thuajse tanimë sikurse sistemi i drejtësisë përgjithësisht është "dorëzuar" krejtë- sisht përballë politikës dhe pushtetarëve interferues e kërcënues, të cilët po riciklohen për të mbajtur drejtësinë të dominuar nga interesat e tyre të inkriminuar. " Pra, mjerisht gjendja e tillë lë shumë për të dëshiruar në funksionimin, efikasitetin dhe zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, derisa në anën tjetër ky është edhe treguesi më i mirë se sa larg standardit evropian është drejtësia jonë", tha ai.

Reformimi i sistemit, i domosdoshëm

Sipas Kelmendit, është nevojë urgjente përtëritja e sistemit të drejtësisë me kuadro të reja, të afta e me etikë dhe integritet profesional e njerëzor, ngase kësisoj vjen deri te zhvillimi e demokratizimi i sistemit të drejtësisë dhe shtetit ligjor, kjo ngase, siç u tha më lart, në përgjithësi sistemi i drejtë- sisë ka degraduar që moti nga kapja dhe shtrirja e ndikimit të mafio- politikës mbi sistemin gjyqësor të drejtë- sisë pa lënë anash këtu as prokurorinë, ku duke e zhvilluar ndikimin e vet me vite të tëra mbi të gjithë resorët e gjyqësisë dhe prokurorive, mafio- politika i ka bërë kështu shërbimin më të keq vetë funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe fuqizimit të shtetit të së drejtës e sundimit të ligjit. "Pra, pa funksionimin dhe fuqizimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit, vështirë se mund të luftohet krimi i organizuar i të gjitha formave dhe korrupsioni që ka kapur tashmë edhe institucionet e shtetit, por dhe shtrihet gjithandej nëpër resorë të fushave të tjera", ka spikatur për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani thotë se sistemi i drejtësisë duhet reformuar sa më parë, edhe pse, sipas tij, fatkeqësisht, një gjë të tillë nuk ka se kush ta bëjë. Burjani shprehet se duhet punuar në drejtim të spastrimit të sistemit të drejtësisë nga njerëz të ardhur politikisht në këto organe e të cilët janë në shërbim të disa njerëzve dhe rrjeteve politike. " Por, çfarë duhet bërë më tutje, është e qartë se testimi profesional është i pashmangshëm për arsye se ka njerëz që punojnë në këto organe e të cilët kanë notën mesatare jashtëzakonisht të ulët të edukimit dhe duhet bërë reformimi i sistemit të edukimit për gjyqtarë dhe prokurorë derisa kjo është e domosdoshme dhe këtë duhet ta fillojë KGJK-ja dhe KPK- ja sa më parë që është e mundur, në mënyrë që të vihet deri tek një reformim i nevojshëm dhe rrjedhimisht për të ndërtuar një drejtësi të mirëfilltë dhe me integritet", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" eksperti i fushës së sundimit të ligjit Blerim Burjani.

Pushteti kufizon buxhetin

Avokati Tomë Gashi beson se drejtësia nuk është dorëzuar nga politika dhe nuk ka ndonjë presion të posaçëm nga politikanë konkretë, por, siç tha, në këtë drejtim ka presion nga politika e lartë si institucion apo nga udhëheqësit e shtetit vetëm në raste të caktuara dhe jo në çdo rast. "Në raste konkrete, kur politikanë të caktuar të pushtetit janë të interesuar, ata e gjejnë mënyrën për të ndikuar në vendimet gjyqësore si dhe në vendime eventuale të prokurorisë, por jo në përgjithësi, pasi në përgjithësi ata nuk kanë kurrfarë interesi që ta ndihmojnë drejtësinë dhe kjo më së miri vërehet në bazë të asaj se sa buxhet kanë ndarë nga buxheti i Kosovës për sistemin e drejtësisë", është shprehur ai. "Ndërsa buxheti që është ndarë është më pak se 2 për qind, apo saktë 1.8 për qind, që i bie se politika zyrtare e Kosovës dëshiron që të ketë drejtësi në Kosovë në raport me shumën e parave të harxhuara për sistem të drejtësisë, që i bie pra 1.8 për qind", ka deklaruar për gazetën "Kosova Sot" avokati Tomë Gashi.

(Kosova Sot)

17 orë e 25 minuta më parë