Elitat korruptive, "kanceri" i Kosovës

  • 11 January 2017 - 07:45
Elitat korruptive,

Fati i qytetarëve, në dorën e politikanëve të inkriminuar

Zhytja e skenës politike në krim të organizuar dhe korrupsion, lidhjet e saj me strukturat kriminale, sipas analistëve politikë nuk japin shpresë që së shpejti ky spektër partiak do të vetëdijesohet për dëmin e madh që po ia shkaktojnë Kosovës me mënyrën se si e administrojnë pushtetin sundues me mentalitetin puro korruptiv, nepotik e tepër kriminal, duke mos gjetur asnjëherë fuqi që të shkëputen njëherë e përgjithmonë dhe të distancohen nga e keqja që i ka kapur të gjitha partitë në pozitë dhe në opozitë. Kjo situatë është edhe në pushtetin qendror dhe atë komunal, pa asnjë përjashtim. Në këtë situatë të rëndë për vendin dhe qytetarët, analistët mendojnë se në ndihmë të qytetarëve të vendit mund të vijnë vetëm ambasadorët e shteteve të Quintit së bashku, të prirë nga ambasadori amerikan dhe i BE-së për të shpëtuar shtetin dhe qytetarët, duke siguruar e duke instaluar në vend sundimin e ligjit në vend të sundimtarëve "mbi ligjin". Analisti politik Fadil Lepaja thotë se të gjitha subjektet politike janë të vetëdijshme për këtë situatë dhe dëmin që i sjellin vendit, por ato nuk duan dhe nuk kanë vullnet të veprojnë ndryshe, ngase dëmtohen pikërisht interesat e tyre kriminale. "Partitë politike në Kosovë janë të vetëdijshme për dëmet që po i shkaktojnë vendit, por ato këtë e bëjnë jo për shkak të mosdijes sa për shkak të interesave të ngushta korruptive të elitave të tyre ", tha Lepaja. Në këtë segment, sipas tij, nuk është aktive madje as shoqëria civile për të kundërshtuar dhe për të dhënë alternativën e vet të ndryshimeve, sepse pjesa dërmuese e këtij formacioni lufton vetëm për donacione që i përfiton nëpërmes të lidhjeve me politikën.

Ndërhyrja ndërkombëtare, si alternativë shpëtimi

Magjistri i shkencave politike, Ali Hertica vlerëson se koha nëpër të cilën po kalon Kosova nga mosvetëdijesimi dhe sjellja e pandërgjegjshme e subjekteve politike, që sot po i sjellin katrahurat e mëdha politike vendit, është e pashpresë. "Këto parti politike, që po qeverisin me vendin, nuk janë të gatshme dhe as që pritet të vetëdijesohen e të sillen me ndërgjegje serioze në raport me interesin shtetëror, por ato i kanë sjellë dëm dhe po i shkaktojnë edhe më tutje pasoja të pariparueshme me mënyrën që po administrohet pushteti nga sunduesit e një mentaliteti total puro korruptiv në të gjitha dikasteret dhe nivelet e qeverisjes së vendit, nga nepotizmi dhe klanizmi i grupeve kriminale", tha Hertica për "Kosova Sot". Ai thotë se ndryshimi në këtë mentalitet mund të vijë vetëm si pasojë e një ndërhyrjeje të fuqishme ndërkombëtare, të miqve ndërkombë- tarë, të cilët qytetarit të Kosovës i dolën në ndihmë në ditët më të vështira. "Shpresa mbetet ndoshta vetëm te vendet e Quintit dhe ambasadorët e bashkuar, e sidomos nga ai i SHBA-së dhe të EU-së që ta shpëtojnë shoqërinë kosovare, duke e vendosur në funksion sistemin e sundimit të ligjit, ashtu siç e kanë të gjitha shtetet e tyre", tha Hertica. Dritë në fund të këtij tuneli të errët nuk sheh as analisti Bejtullah Ibrahimi. "Të gjitha partitë politike në skenën tonë, me përjashtime individuale, janë thellë të inkriminuara në krim të organizuar, në korrupsion, në nepotizëm dhe forma të tjera abuzive, dhe realisht kjo mendësi dhe ky trend ''kancerogjen'' vendin tonë e ka ngulfatur në çdo aspekt të zhvillimit, andaj edhe pritshmëria se kjo skenë politike e inkriminuar thellësisht do të ndryshojë qasje, është qesharake dhe shumë e ulët, për një vetëdije të shëndoshë dhe normale", tha Ibrahimi për "Kosova Sot"

Punët tona t'i kryejmë vetë

Ibrahimi thotë se edhe ideja dhe pritshmëria që punët e brendshme të vendit duhet të na i kryejë dikush i jashtëm nuk duhet të qëndrojë fuqishëm si argument, për faktin se jemi shtet sovran dhe i pavarur dhe rregullimi i brendshëm është pjesë e sovranitetit shtetëror. "Nga miqtë tanë ndërkombëtarë mund të kemi mbështetje dhe shtytje morale më shumë mendoj, por ripërsëris fuqishëm idenë se ndryshimet në konfiguracionin e skenës politike, në vendimmarrje dhe qeverisjes me pushtetin shtetëror në nivel qendror dhe lokal, duhet padyshim ta bëjë sovrani me votë", ka potencuar Bejtullah Ibrahimi. Është vlerësim edhe i politologut Arsim Haziri në këtë temë se politika vetëdijesohet vetëm atëherë kur të vetëdijesohet populli. "Zgjidhja e vetme është në dorën e popullit, vetëm ata mund dhe kanë fuqi, e cila mund të jetë vdekjeprurëse për këtë garniturë të kriminalizuar politike", tha Haziri, duke mos preferuar ndikim të fuqishëm ndërkombëtar në këtë proces. " Sundimi i ligjit, funksionimi i tërë sistemit gjyqësorë, vjen vetëm kur populli ndëshkon me votën e saj, dhe kur kjo vihet në funksion, atëherë ndërrohet qeverisja dhe praktikohet një mendësi më e pastër dhe e administruar vetëm prej obligimit nacionale. Me këtë klasë, Kosova s'mund të ketë as drejtësi, as ekonomi. Për këtë klasë interes primar është vetëm reduktimi i shtetit në interesa klientele dhe familjare. Është paradoksale që prej atyre që kanë dhunuar gjithçka që është publike të mendohet se mund të prodhojnë një funksionalitet të përgjithshëm. Kosova njëherë e mirë duhet të pastrohet prej kësaj klase, e cila në emër të një shtet-ndërtimi dhe progresi ka kriminalizuar gjithçka dhe në këtë mënyrë janë pasuruar tej mase", ka theksuar analisti Haziri. 

(Kosova Sot)