U desh të pritej një "devër" që Drini sërish të ngrihet

  • 11 January 2017 - 17:34
U desh të pritej një

LUMIN MË TË MADH NË KOSOVË, DRININ E BARDHË, E KA MBËRTHYER AKULLI TË TËRIN

Fëmijët bëjnë patinazh mbi shtresat e akullit mbi lumë

"Thuhet se në çdo "devër" gjërat përsëritën, prandaj duhet pritur 32 deri në 33 vite sa zgjat një "devër" që të përjetojmë ato gjëra që kemi përjetuar më shumë se tri dekada më parë. Edhe Drini, kështu siç është ngrirë tash, ka qenë i ngrirë para 32 vitesh, në janarin e vitit 1985", ka thënë plaku nga Rogova, Sefer Berisha

Lumi Drini i Bardhë me një rrjedhë me gjatësi prej 122 kilometra vetëm në territorin e Kosovës dhe me një sipërfaqe të ujëmbledhësit prej 4.646 kilometra katrorë, është lumi më i madh në vendin tonë. Mu për shkak të sasisë të madhe të ujit, janë fare të rralla rastet kur lumenjtë e tillë, tek ne, ngrihen, respektivisht shndërrohen në akull. Por, ja që temperaturat e ulëta që po mbretërojnë ditëve të fundit në Rrafshin e Dukagjinit, ku përshkruhet e tërë rrjedha e këtij lumi, kanë bërë që në Drinin e Bardhë të ndodhë një fenomen jo i shpeshtë. Pavarësisht sasisë së madhe të ujit dhe shpejtësisë jo të vogël të rrjedhës së tij, një sipërfaqe e madhe e këtij lumi është ngrirë, është shndërruar në akull, mbi të cilin edhe mund të rrëshqasësh. Pasqyra më reale e këtij fenomeni të rrallë mund të fitohet nëse vizitohet rrjedha e Drinit në afërsi të Urës së Fshejt, njërës prej urave më me nam tek ne në Kosovë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Brigjet ngriheshin, por i tërë lumi jo

Se është kështu u bindëm të martën, kur vizituam hapësirat e rrjedhës së këtij lumi në afërsi të Urës së Fshejt. Pamja që hasëm në anën veriore të urës, në kanionin e njohur të Drinit të Bardhë, ishte sa befasuese aq edhe mahnitëse. Fitohej përshtypja se je duke shikuar një terren të përgatitur për patinazh, për të rrëshqitur. Në fakt, ngjashëm ishte dhe në anën tjetër të urës, në pjesën jugore, por megjithatë, pamja e kanionit ishte mbresëlënëse, të cilën fotografia mund të përshkruaj më mirë se një mijë fjalë. "Nuk mbaj mend të jetë ngrirë ndonjë herë kështu Drini. Mbase unë jam më i ri (47 vjeçar) e ndoshta dikush nga të vjetrit e fshatit tonë mund ta mbaj mend se edhe më parë Drini të ketë marrë këtë pamje", rrëfente të martën për gazetën Ramadan Hoti, nga fshati Rogovë e Hasit, i cili, megjithatë kujton disa raste të ngjashme kur ishte fëmijë. "Më kujtohet se kur kam qenë fëmijë fare i vogël, skaj brigjeve të këtij lumi, në gjerësi prej 4-5 metrash, krijohej një shtresë e akullit ku ne luanim dhe rrëshqitnim, madje shpesh duke rrezikuar që të na lëshon akulli dhe të bimë në lum. Mirëpo, nuk më kujtohet ndonjëherë të ishte ngrirë tërë sipërfaqja e lumit, pasi e mbaj në mend se në mes uji rridhte", fliste Ramadan Hoti, duke na drejtuar tek plaku i fshatit Sefer Berisha, i cili është në prag të tetëdhjetave, duke u arsyetuar se "Ai sigurisht mund të dijë më shumë për këtë dhe mbase i kujtohet edhe ndonjë rast i ngjashëm me këtë të tashmin".

Tridhjetë e dy vjet më parë ishte ngjashëm

Dhe, kishte të drejtë Ramadani, pasi xha Seferi vërtet kishte një kujtesë të freskët dhe duke kujtuar të kaluarën, rrëfente saktë edhe me data. "Vërtet kjo që ka ndodh tash me ngrirjen e Drinit të Bardhë, njërit prej lumenjve tanë më të mëdhenj, është fenomen që nuk përsëritet shpesh, por duhet të dihet se nuk është hera e parë që kjo po ndodh. Më kujtohet se ngjashëm ka ndodhur edhe para 32 vitesh, më saktësisht në janarin e vitit 1985", fliste xha Seferi, baba i dëshmorit të luftës së fundit. Kur bëhet fjalë për janarin e 1985-s, gjakovarëve më të vjetër po ua përkujtojmë, ndërsa atyre më të rinj po ua themi se atë vit rajonin e Gjakovës e kishte përfshirë një mot shumë i lig. Bora kishte arritur lartësinë prej më shumë se dy metra e gjysmë, ndërsa temperatura kishte rënë në minus 27 dhe minus 28 gradë Celsius, dhe tërë kjo jo vetëm që kishte ngrirë thuajse çdo gjë, por kishte shkaktuar edhe dëme të mëdha, për shkak të rrënimit e dëmtimit të shumë pullazeve, nga pesha e madhe e borës. "Në fenë tonë thuhet se çdo gjë, e mira apo e keqja, zgjat një "devër" që llogaritet të jetë periudha prej 32 apo 33 vitesh. Dhe, po ashtu thuhet se pas një "devri" gjërat përsëritën. Kështu edhe kjo pamje e ngrirjes së Drinit është përsëritur pas një "devri", pas 32 vitesh", e kishte shpjegimin e tij interesant Sefer Berisha. 

Ngrirja e Drinit paralajmëron një verë të begatë

Aty ngjit me Urën e Fshejt, me një pamje fantastike drejt kanionit të lumit Drin, funksionon një objekt hotelier, të punësuarit në të cilin, janë dëshmitarët më të drejtpërdrejtë të fenomenit të tashëm të ngrirjes së lumit, por edhe të historikut të rasteve të ngjashme. Kështu, Samiu, një punëtor që thotë se aty punon thuajse që nga paslufta, kujton se pjesa e lumit nga ana veriore e urës është ngrirë edhe më parë, por megjithatë jo në këtë formë siç është tash. "Më kujtohet që në dimrin e vitit 2002 në kanionin e lumit që është këtu nën objektin tonë ishin krijuar shtresa të akullit, të cilat asokohe na kishin befasuar të gjithëve. Akulli që është krijuar këto ditë është pak a shumë i ngjashëm me atë të vitit 2002, por gjithsesi është më i theksuar dhe më gjithëpërfshirës në tërë sipërfaqen e lumit", na tha për gazetën Samiu, duke na shpjeguar edhe një dukuri tjetër. "Dje, meqenëse moti ishte më i mirë, me një diell dimri, siç themi ne, këtu nga ana jugore e urës kemi parë disa fëmijë të loznin mbi sipërfaqen e ngrirë të lumit, të cilët rrezikonin që akulli të thyhet. Si duket era e ftohtë që sot po fryn i ka penguar ata që sërish të luajnë aty", na tha të martën Samiu. Sido që të jetë, ngrirja e lumit Drini i Bardhë sigurisht është dëshmia më e mirë për acarin që po mbretëron këto ditë tek ne, por banorët e kësaj ane po ashtu thonë se kjo është ndjellamirës, pasi kjo paralajmëron një verë të begatë.

(Kosova Sot)