Nuk u besojnë premtimeve të Komunës për hapjen e shkollës

  • 11 January 2017 - 17:57
Nuk u besojnë premtimeve të Komunës për hapjen e shkollës

SHKOLLA E RE E FSHATIT GJONAJ KA MBETUR SHKRET

"Brenda këtij muaji ai objekt shkollor do të funksionalizohet dhe do të fillojë procesi mësimor në këtë objekt", shprehet Shemsedini

Projekti i shkollës së re në fshatin Gjonaj, edhe pse ka kohë që ka nisur, ende nuk është finalizuar. Kohë më parë zyrtarët komunalë kishin premtuar hapjen e dyerve të shkollës për nxënësit e fshatit, derisa opozita dhe shoqëria civile janë shprehur skeptike se kjo do të ndodhë shpejt. Tash, drejtuesit e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit kanë gjetur një arsye tjetër për vonesat. Drejtori Zehadin Shemsedini është shprehur se moti i lig që po mbretëron në vend ka penguar punimet në finalizimin e këtij projekti të shumëpritur. "Moti i këtyre ditëve i ka shtyrë punët e pranimit të kësaj shkolle. Përndryshe fillimi i këtij gjysmëvjetori do të mund të fillonte në këtë objekt shkollor. Tashmë aty kanë kryer të gjitha punët e nevojshme dhe ai objekt është një objekt kapital", ka thënë ai për gazetën. Megjithatë, duke folur për "Kosova Sot", ai shpjegon se tashmë ka përzgjedhur Komisionin për pranimin teknik të objektit të shkollës në fshatin Gjonaj. "Brenda këtij muaji ai objekt shkollor do të funksionalizohet dhe do të fillojë procesi mësimor në këtë objekt", shprehet Shemsedini. Por vetë drejtori i kësaj shkolle, Latif Çoçaj, është skeptik lidhur me premtimet që vijnë nga zyrtarët komunalë. "Nuk jam optimist dhe mendoj se është vështirë të bëhet kjo", ka thënë ai për gazetën.

U premtua më 28 nëntor, por nuk u bë

"Nga biseda e shkurtër që kam pasur më drejtorin e DKA-së, Zehadin Shemsedini, arsyetimi ishte mospërmbushja e disa obligimeve nga punëmarrësi dhe problem më vete është shpronësimi. Sa i përket shpalosjes së planit të objektit që është në ndërtim e sipër, se kur do të lëshohet nuk kam fare informata të tjera dhe për këtë kërkoj falje, sepse unë personalisht asnjëherë nuk kam pasur qasje në këtë drejtim", shprehet Çoçaj, duke shtuar se në bazë të asaj që shihen në vetë objektin nuk ka gjasa për funksionalizimin e shpejtë. "Sipas asaj që shoh aty, nuk po arrij të besoj se ka mundësi të fillojë as pas një muaji, mbase në fillim të shtatorit", thotë ai. Edhe asamblisti Haziz Hodaj është skeptik lidhur me funksionalizimin e plotë të objektit. "Unë me kohë kam menduar dhe kam pasur këtë përshtypje se është e vështirë të arrihet që kjo shkollë të përurohet siç e pati paralajmëruar DKA-ja më 28 nëntor të vitit që shkoi. Kjo tashmë po dihet se atë ditë nuk u bë. Por, kjo tashmë po bëhet tani edhe si për befasi mendoj se ajo prapë nuk do të lëshohet", pohoi ai për gazetën.

(Kosova Sot)