Zonja e Parë e babit?!

  • 11 January 2017 - 20:04
Zonja e Parë e babit?!

E GATSHME TA SHOQËROJË TË ATIN NË SHTËPINË E BARDHË

 Ivanka Trump ka dhënë dorëheqje nga dy vendet e saj të punës dhe ka shitur të gjitha aksionet në këto kompani. Ajo pa dyshim se do të jetë Vajza e Parë që do të bjerë më së shumti në sy,transmeton gazeta Kosova Sot.
I vanka Trump është duke kryer ca punë të fundit që i kanë mbetur, para se t'ia mësyjë Uashingtonit, ku do të inaugurohet i ati i saj javën që vjen. Ajo ka dhënë dorëheqje nga dy vendet e saj të punës dhe ka shitur të gjitha aksionet në këto kompani. 35 vjeçja është tërhequr nga posti i saj i zëvendëspresidentit të Zhvillimit dhe blerjeve në kuadër të Organizatës "Trump", sikur që është tërhequr edhe nga posti udhëheqës i linjës së saj të veshjeve, këpucëve dhe stolive.

"Ajo dëshiron që ta respektojnë të tjerët"

Ivanka po ashtu ka shitur edhe të gjitha aksionet e saj në Organizatën "Trump", në mënyrë që të mos përfitojë më nga profitet e kompanisë. Ky vendim i kësaj nëne të tre fëmijëve, që të heqë dorë nga vendet e saj të punës, duket se konfirmon një supozim të gjatë, se ajo do t'i kryejë disa nga detyrat, të cilat zakonisht i kryen Zonja e Parë. Ajo pa dyshim se do të jetë Vajza e Parë që do të bjerë më së shumti në sy dhe një burim i afërt me familjen ka bërë me dije se, tani për tani, ajo është duke e marrë këtë rol me një seriozitet të madh. Burimi bën me dije se "ajo dëshiron që ta respektojnë të tjerët". Në anën tjetër, gruaja e Donaldit, Melania, e ka bërë më se të qartë se planifikon që, pjesën më të madhe të kohës, ta kalojë në qytetin e Nju-Jorkut, duke u përkujdesur për djalin e saj dhe të Donaldit, 10-vjeçarin Barron, duke i dhënë atij mundësinë që të mos e ndërrojë shkollën.  

(Kosova Sot)