Rrahagjoksi Thaçi i do meritat për vete në ndaljen e trenit

  • 16 January 2017 - 07:48
Rrahagjoksi Thaçi i do meritat për vete në ndaljen e trenit

Ahmeti: LDK-ja e strukur në vazhdimësi po hesht karshi dinakut Hashim Thaçi

Bërja politikë për përfitime personale nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me përpjekjen provuese të shtetit serb lidhur me trenin e nisur nga Beogradi, të shtunën për në Mitrovicën veriore, ka hasur në kritika të ashpra, si në mesin e përfaqësuesve të partive politike, edhe tek analistët politikë. Ata thonë ai tentoi si përherë të marrë meritat për gjërat pozitive në Kosovë, siç ndodhi me kthimin e trenit të shtunën, është i paskrupullt pasi në çdo vend tjetër Qeveria merr vendime të tilla. Madje, sipas tyre, kjo rrahje gjoksi e presidentit të vendit konsiderohet si një sinjal për ta anashkaluar partnerin e koalicionit, në këtë rast LDK-në, siç ndodhi edhe me rastin e Pavarësisë, ku si kryeministër Thaçi përvetësoi meritat më të mëdha në shpalljen e Pavarësisë, duke anashkaluar presidentin e atëhershëm, Fatmir Sejdiun, por edhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqin. Tani ndalja e trenit është meritë më e madhe e faktorit ndërkombëtar, që i dha sinjalin Qeverisë për ta ndalur trenin provokues, derisa Thaçi po tenton ta përmirësojë imazhin e tij të rrënuar për tokë si president dhe si përçarës në një ditë si kjo, kur të gjithë bëhen bashkë për interesat e vendit.

Salihaj: Sjellja e presidentit është një veti e tij e lindur

Analisti politik Florim Zeqa thotë se nuk është hera e parë që Hashim Thaçi tenton të marrë meritat e të tjerëve për gjërat pozitive në Kosovë, siç ndodhi me ndaljen e trenit! Shton se kjo, përveçse një tendencë për përmirësimin e rrënuar të imazhit të tij, Hashim Thaçi hapur e injoroi partnerin e koalicionit, më konkretisht kryeministrin e vendit, Isa Mustafa, për vendimin e Qeverisë për ndaljen" e trenit, ashtu siç e kishte anashkaluar presidentin e atëhershëm Fatmir Sejdiu me rastin e shpalljes së Pavarësisë."Në fakt, si shpallja e Pavarësisë së 2008-s, ashtu edhe ndalja e trenit provokues serb, ishte meritë edhe e bashkësisë ndërkombëtare. Thaçi dhe të tjerët vetëm sa u përdorën si figura politike për zbatimin e projektit ndërkombëtar (Pakos së Ahtisarit) për shpalljen e Pavarësisë së cunguar...,pasojat e së cilës po i vuajmë tani 9 vjet rresht, me obstruksione dhe provokime të njëpasnjëshme të ish-pushtuesit verior - Serbisë. Thaçi është mësuar që të përfitojë nga situatat unifikuese të popullatës, duke tentuar që nga një përçarës fatal të shndërrohet brenda natës në unifikues, pa e bërë as hapin më të vogël për unifikimin e faktorit politik shqiptar. Disa nga kanalet televizive të Kosovës dhe analistë e thanë se presidenti ishte ai që e ndaloi trenin, duke u munduar ta paraqesin Thaçin si njeriun më të fortë dhe unifikues të Kosovës, nën pretekstin që nesër Kosova të shkojë drejt një republike presidenciale", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". Ndryshe, deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, thotë se kjo sjellje e presidentit është një veti e tij e lindur për të përvetësuar meritat e të tjerëve, derisa personalisht angazhohet për shkatërrimin e të gjitha vlerave të shtetit."Hashim Thaçi është njeri dinak, por prej se ka arritur të bëhet president nuk po di me çka të merret dhe po vrapon që të merret me punët e huaja dhe t'i marrë meritat e huaja. Askush më shumë se Hashim Thaçi nuk ka arritur ta shkatërrojë Kosovën në periudhën e pasluftës, duke instaluar krimin e organizuar dhe korrupsionin në çdo pore të shtetit të Kosovës dhe duke shitur interesat e Kosovës përmes secilës marrëveshje të nënshkruar nga ai me Serbinë", theksoi deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, për "Kosova Sot"

Kelmendi: Ndalja e trenit, nga presioni popullor

Të pandershme e cilëson përpjekjen jo vetëm të presidentit, por edhe të kujtdo tjetër për të marrë merita në këtë rast edhe deputeti Ali Berisha, nga AAK-ja. Ai thotë se ky është një obligim ligjor e kushtetues, që u ka takuar ta bëjnë të gjitha institucionet e shtetit, prandaj nuk i bën nder askujt që të përpiqet të përfitojë poenë personalë për veten e vet. "Mendoj që për ndalesën e trenit të Serbisë askush nuk duhet të krekoset e të lavdërohet. Në këtë rast institucionet e shtetit të Kosovës vetëm kanë zbatuar një të drejtë dhe obligim kushtetues që duhej të zbatohej. Kushdo që ka vepruar e ka zbatuar Kushtetutën, derisa në rast të mosveprimit e secilit nga bartësit e institucioneve të këtij shteti do të ishte një shkelje serioze e Kushtetutës së shtetit, prandaj në rastet e tilla krekosjet janë të pa vena derisa cenimi i sovranitetit të shtetit të Kosovës do të ishte i dënueshëm, për secilin", theksoi Ali Berisha për "Kosova Sot". Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi konsideron se nëse dikush duhet lavdëruar dhe falënderuar edhe në këtë rast duhet të jetë faktori popull që vazhdimisht ka bërë presion te politika në mbrojtje të shtetit, por edhe faktori ndërkombë- tar, Forca Ushtarake e Aleancës së NATO-s, që është përgjegjëse për kufijtë e jashtëm të Kosovës dhe i ka dhënë mbështetje ekzekutivit të vendit në mbrojtje të shtetit, derisa këto merita nuk mund t'i marrë ai që vazhdimisht ka punuar në shkatërrimin e shtetit."Për mendimin tim meritat i takojnë popullit të Kosovës, sepse ky popull ka vite dhe muaj që po bën presion mbi pushtetin për të vepruar dhe për të ndalur shkatërrimin e shtetit të Kosovës, të cilin grupi politik i Hashim Thaçit me vite të tëra e shkatërroi. Tani ndalja e trenit vjen nga presioni i popullit. Ai e detyroi policinë për të vepruar. Gjithashtu duhet thënë se në këtë anë ka ndikuar shumë edhe faktori ndërkombëtar, respektivisht aleanca e NATO-s dhe BE-ja, Brukseli në bashkë koordinim me SHBA-në. Ndryshe në pyetje ka qenë provokimi serioz nga Serbia dhe Rusia. Ushtria Rusem NATO-ja dhe SHBA-ja së bashku, në koordinim me institucionet e shtetit, kanë bërë që treni të kthehet nga Rashka, por me vendimin e shtetit serb. Ndërsa, tani dua të them se tërë kjo do të shihet se si do të pasojnë veprimet e tjera derisa kemi akoma murin që duhet rrënuar në veri, është Asociacioni që po duan ta krijojnë, por është edhe Demarkacioni dhe natyrisht që ndërtimi i parimeve mbi raportet në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe BE-së varet nga këto tema. Nga këto zhvillime do të shihen edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë, se ku qëndrojmë", u shpreh Kelmendi.

Hertica: Meritat janë të institucioneve kushtetuese të shtetit

Magjistri i shkencave politike, Ali Hertica, konsideron se nocioni i sovranitetit të deleguar mbulon situatën në të cilën qeveritë i japin një mandat qeveritarëve, për të vepruar në vend të tyre dhe nuk mund t'i shërbejë askujt për vetëlavdërim ose përfitim në ngritjen imazhit personal."Situata madhore që është nocioni i shtetit dhe sovranitetit nuk besoj se duhet të bëhen lëvdata se cili e shpëtoi shtetin apo cili e katandisi. Ajo që është parimore dhe tregohet se Kosova ka institucione që e ruajnë sovranitetin kur duhet për ta ruajtur u tregua dhe u dëshmua seriozisht dhe shumë me përkushtim me rastin e ndaljes së trenit, i cili ishe një skenar i rrezikshëm i provokimit të nivelit më të lartë të mundshëm deri më tani nga serbo-sllavët e Beogradit. Ata tani, që nga dita e djeshme, e dinë fare mirë se Kosova, pavarësisht nga kush qeveriset brendapërbrenda, ndërrimet spektrit politik, nuk lejon të degradohet as nuk mund të detyrohet të gjunjëzohet para veprimeve të jashtme armiqësore e tani u pa ashiqare që Serbia di të mbrapset vetëm me gjuhën e frikës. Meritat janë të institucioneve kushtetuese të shtetit, të pozitës dhe opozitës, derisa kryetari i vendit thirri të gjithë mekanizmat e shtetit, ku së bashku me kryeministrin, kryekuvendarin dhe organet e rendit morën vendim të duhur, që të mos lejohet të përdhoset integriteti i shtetit", theksoi Ali Hertica. Sipas analistit Hidajet Ahmeti, reagimi i Hashim Thaçit për të përfituar nga situata tregon se LDK-ja është strukur dhe në vazhdimësi po hesht karshi dinakut Hashim Thaçi, derisa e ashtuquajtura shkolla thaçiane ka disiplinuar të gjithë strukturën e saj me lojëra të tipit të tillë, duke manipuluar, shantazhuar e kërcënuar dhe prapë duke u viktimizuar. "Politika nuk bëhet me manipulime dhe improvizime. Qytetarët, edhe pse të lodhur nga qeveritë e pasluftës, nuk harrojnë dëmet që ia ka sjellë politika thaçiane. Thaçi, si president, por edhe eksponentët e PDK-së, janë munduar të minimizojnë ato pak të arritura nga kryeministrit Mustafa. Çfarë logjike ka, kur je partner i koalicionit e hedh kritika apo për çdo të arritur mundohesh t'ia atribuosh vetes meritat kur dihet mekanizmi zinxhiror i funksionimit? Këtu po flitet për një koalicion të zorit, ku sapo t'i jepet mundësia rivalëve tradicional, PDKLDK, do të mundohen të akuzojnë njëra-tjetrën apo vrapojnë t'i marrin meritat e dyja po hanë me një grazhd. Në vija të trasha nuk dallojnë në konceptin qeverisës, të dyja janë të zhytura në korrupsion, keqpërdorim, nepotizëm, kriminalizim, prandaj dyja janë të përbëra prej një brumi", theksoi Hidajet Ahmeti. 

(Kosova Sot)