Greqi, mbyllet votimi për referendumin

  • 05 July 2015 - 18:45
Greqi, mbyllet votimi për referendumin

Sipas disa rezultateve paraprake jozyrtare të publikuara nga disa media greke, duket se vota “jo” mbizotëron me një diferencë që mund të quhet e mjaftueshme për vlerësim, por çdo gjë do të bëhet e qartë pas disa oresh kur të kenë mbërritur në zyrat qendrore të Komisionit Zgjedhor të paktën 10% e votave nga gjithë qendrat e vendit.

Sipas mediave greke, 52% e pjesëmarrësve në referendum kanë dhënë përgjigje negative. Pjesa tjetër, rreth 48%, janë shprehur me “Po” për marrëveshjen e propozuar nga KE, BQE dhe FMN.

Procesi i votimit ka qenë i qetë dhe me një pjesëmarrje rreth 65%, përtej kufirit prej 40% që e bën referendumin të vlefshëm.

Karakteristikë e kësaj jave që në dukje duket se ka ndarë grekët në dysh për vendimin e tyre ndaj masave të kreditorëve, ishte qetësia dhe situata nuk ka qenë aspak e polarizuar.

Grekët duket se nuk janë trembur nga frika dhe paralajmërimet se nëse nuk do të pranonin masat, kjo do të ishte një votë kundër Eurozonës.

Përkundrazi deri në orët e fundit, mbi 80% e tyre janë shprehur se duan qëndrimin në Euro.

Kryeministri Aleksis Tsipras ka deklaruar se pavarësisht rezulatatit do të fillojë menjëherë nesër negociatat e reja me kreditorët. Në rast se alternativa “Jo” mbizotëron edhe zyrtarisht pas numërimit të votave, ai thotë se do të ketë një armë të fuqishme në dorë, vullnetin e lirë të një populli që të jetojë i barabartë mes të barabartëve në Europë, transmeton TCH.

Gjithsesi, përsëri çdo gjë do të varet nga qëndrimi i liderëve të BE-së të cilët orët e fundit pavarësisht se nuk kanë qenë dakord me referendumin e zhvilluar, janë shprehur se vendi i Greqisë është në Eurozonë.