Për Asociacionin, një zgjidhje e ndërmjetme

  • 05 July 2015 - 19:17
Për Asociacionin, një zgjidhje e ndërmjetme

Isa Mustafa, e ka cilësuar si një prej temave më të vështira të dialogut me Serbinë krijimin e Asociacionit të komunave serbe.

Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se ky Asociacion duhet të jetë në harmoni me ligjet e Kosovës, përndryshe do të ishte jofunksional dhe i dëmshëm.

Çdo zgjidhje për këtë asociacion, që do të krijonte në realitet asimetri pushtetesh, “jo vetëm që do të jetë e dëmshme për Kosovën, por edhe për miqtë tanë që na kanë ndihmuar në ndërtimin demokratik dhe institucional”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dy ditë më parë ka pohuar gatishmërinë për takimin e radhës dhe për arritjen e marrëveshjeve me Kosovën, për temat e hapura, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ne jemi të gatshëm që të arrijmë një zgjidhje kompromisi, por nuk jemi dhe nuk do të jemi të gatshëm që të marrim pjesë në poshtërimin e Republikës së Serbisë”, ka theksuar Vuçiq.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë kanë vlerësuar se lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, palët do të detyrohen të arrijnë një kompromis, /REL/

Analisti i çështjeve politike, Dukagjin Gorani, ka shprehur mendimin se zgjidhja që do të arrihet ndërmjet kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e Asociacionit, do të jetë në kuptimin e ndërmjetëm të një organizate joqeveritare dhe të një entiteti, i cili ka kompetenca më të zgjeruara publike. Sipas tij, kompetencat e tilla që mund të interpretohen si publike ka të ngjarë që të jenë edhe ekzekutive në disa fusha të kufizuara shoqërore.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ditë më parë kanë theksuar se pala e Kosovës është e gatshme për takimin e radhës me palën e Serbisë, në kuadër të dialogut në Bruksel, të nivelit të kryeministrave. Sipas tyre, është në dorën e Bashkimit Evropian se kur do ta caktojë takimin e ardhshëm.