Kathimerini: Vrasjet mes mafiozëve shqiptarë për kontrollin e shitjes së drogës në Athinë

  • 23 January 2017 - 21:18
Kathimerini: Vrasjet mes mafiozëve shqiptarë për kontrollin e shitjes së drogës në Athinë

Bandat shqiptare që veprojnë në Greqi janë të shumta. Zona më e lakmuar për shitjen e drogërave të ndryshme është “Exarchia” në Athinë.Disa vrasje mafioze në kryeqytetin grek lidhen pikërisht me rivalitetin mes bandave të drogës. Gazeta “Kathimerini” tregon detaje nga dosjet hetimore të policisë.

Në mëngjesin e 7 qershorit dy persona të maskuar ekzekutuan në Athinë shtetasin egjiptian Allesh Mohamed, në rrugën ‘Themistokleus’. Vrasja u hetua në pistën e luftës mes bandave për kontrollin e shitjes së drogës.

Një tjetër vrasje e ngjashme po në të njëjtin vend kishte ndodhur në vjeshtën e vitit 2013. Viktimë kishte mbetur një shqiptar 29-vjeçar Edvis Cacaj. Nga autopsia e kryer, mjekët kishin gjetur në gjakun e viktimës gjurmë kokaine dhe alkooli. Edhe kjo vrasje u klasifikua si hakmarrje në luftën mes bandave. Pas hetimeve, policia greke doli në përfundim se vrasja e 29-vjeçarit shqiptar ishte urdhëruar nga një tjetër shqiptar, 32 vjeç. Ai është Ledion B., i cili ndodhet në burgun e Koridhalos. Ai ishte arrestuar më herët si drejtues i një bande droge që shiste kokainë dhe kanabis në lagjen e lakmuar, “Exharchias”.

Ledion B. dhe Edvis Cacaj i përkisnin dy bandave rivale. Në vitin 2012 pati një përplasje mes tyre. Ledion B. kishte akuzuar Edvis Cacajn se kishte shitur hashash në zonën që nuk i përkiste. Në fund të janarit 2013 pati një përplasje mes tyre, kur Cacaj plagosi në barkë me pistoletë Ledion. I plagosuri refuzoi të tregonte në polici se çfarë ndodhi, ndërsa Edvis Cacaj u arratis në Shqipëri.

Ai u rikthye në Greqi një javë më vonë që të eliminonte “jevgun nga Patosi”, siç edhe e quante Ledion. Në 19 shkurt 2013, Edvis Cacaj dhe 3 bashkëpunëtorë të tij përdorën si karrem një grua të quajtur Evelina për t’i ngritur kurth Ledion B. Ky i fundit e kuptoi çfarë po ndodhte dhe nuk shkoi në takimin që kishte rënë dakord.

Sipas dosjeve hetimore të policisë së Athinës, deri në fillim të vitit 2016 egjiptiani i vrarë Allesh Mohamed i përkiste bandës së Ledion B., që pas vrasjes së rivalit Edvis Cacaj kishte kontrollin e plotë të trafikut të drogës në zonën Exarchia në Athinë. 

(Kosova Sot)