Ramiz Kelmendi kapet "mat" në konflikt interesi

  • 23 January 2017 - 07:40
Ramiz Kelmendi kapet

Ahmeti: Kelmendi, në politikë për interesa biznesore dhe jo për interesa të qytetarëve

Ditë më parë, sipas raportimeve në media, kompania e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Ramiz Kelmendi, "Elkos", ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për të hequr dorë nga granti i Qeverisë së Kosovës prej 150 mijë euro, me kërkesën e vet zëvendëskryeministrit të tanishëm Ramiz Kelmendi, i cili deri para pak muajsh ishte në postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, i zgjedhur nën logon e PDK-së. Sado që ky veprim i Kelmendit është përpjeke për të ikur nga gjendja e konfliktit të interesit, njohësit e fushës së ligjit konfirmojnë të kundërtën, sepse janë urdhrat e Kelmendit që dirigjojnë vendimmarrjen e vazhdueshme në ELKOS. Tani edhe në momentin që ka urdhëruar menaxhmentin e kompanisë ELKOS të anulojnë grantin që Ramiz Kelmendi, i afërt shumë me biznesmenët e klanit "Pronto", që e kishte fituar nga Qeveria e Kosovës, me këtë veprim ai përsëri ka shkelur Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Kelmendi është i obliguar të bartë të drejtat e administrimit të kompanisë tek dikush tjetër dhe gjatë kësaj kohe nuk ka asnjë të drejtë të marrë vendime për kompaninë, prandaj edhe në këtë rast ai po e shkel Ligjin për konfliktin e interesit gjatë kohës derisa të drejtat për administrim me ndërmarrjen i janë transferuar personit tjetër, kurse zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të japë informata, udhëzime, urdhëresa apo në ndonjë mënyrë tjetër të qëndrojë në lidhje me personin e besuar. Sjelljet e tanishme të ruajtjes së ndikimit të drejtpërdrejtë vendimmarrës në kompani nga Kelmendi vazhdojnë të cilësohen konflikt i interesi, prandaj nuk përjashtohet që në proces e sipër ai të rrezikojë të humbë postin e zëvendëskryeministrit në momentin që ka urdhëruar menaxhmentin e kompanisë ELKOS të anulojnë grantin që kishte fituar nga Qeveria e Kosovës, me çka ka shkelur Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Ndryshe, përfitimi i granteve nga kjo kompani, edhe sa ishte deputet, ishte pikërisht zhvatje e parave të tatimpaguesve, prandaj edhe ngjitja në pozitën e zëvendëskryeministrit ishte arsyeja kryesore që Kelmendi dha gjithçka për t'u bërë zëvendëskryeministër, pavarësisht faktit që edhe pse tani ka rreth 3 muaj të qëndrimit në atë post, që nuk ka bërë as edhe një lëvizje të vetme pozitive për bizneset, përveç marrjes së granteve dhe përfitimeve të tjera për vete dhe bizneset e afërta me të. 

Burjani: Shteti i Kosovës po ballafaqohet me një klasë të tërë përfituesish të pasurive publike

Njohësi i fushës së legjislacionit, Blerim Burjani, thotë se në parim dhe bazuar në ligj nuk ka të drejtë që të marrë grante Ramiz Kelmendi apo kompania ELKOS nga Qeveria përderisa ai është zëvendëskryeministër në këtë qeveri, sepse kjo paraqet konflikt interesi."Pra, këtë e pamundëson baza ligjore, nëse veç bie ndesh me ligjin ai duhet të dorëhiqet, ose të largohet nga posti publik. Situata e Kelmendit, duke ushtruar këtë post aktual publik dhe tentativa për të marrë grant nga Qeveria mund të paraqesë tentativë për shkeljen e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit. Kjo mund të interpretohet si në vijim, si tentativë për të shkelur ligjin, si rezultat i mosdijes apo menaxhmenti nuk ka qenë i informuar për mundësinë e shkeljes së ligjit. Sidoqoftë shteti i Kosovës po ballafaqohet me një klasë të tërë përfituesish të shumtë të pasurive publike, së paku kështu janë dyshimet për një kohë të gjatë në vend dhe se ka pasur edhe skandale të shumta të kësaj natyre që nga viti 2001 e tutje", është shprehur Burjani. Sipas tij, madje ka pasur pak raste të nxjerrjes së aktgjykimeve për njerëzit që kanë poste publike dhe që kanë keqpërdorur postin. "Ka pasur vetëm procese shterpe, sepse nuk ka pasur asnjëherë luftim serioz të korrupsionit e nepotizmit", theksoi Blerim Burjani. Politologu Florim Zeqa konsideron se në momentin që zv. kryeministri Ramiz Kelmendi ka urdhëruar menaxhmentin e kompanisë ELKO-s të anulojnë grantin që kishte fituar nga Qeveria e Kosovës në vlerë prej 150 mijë eurove, ka shkelur Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit."Me këtë veprim zoti Kelmendi ka dëshmuar se ai është që dikton krejt rrjedhën e biznesit në kompaninë e tij dhe ndarjen e granteve qeveritare! Zhvatja e parave të tatimpaguesve është arsyeja kryesore që Kelmendi dha gjithçka për t'u bërë zëvendëskryeministër, e që për 3 muaj të qëndrimit në atë post nuk ka bërë as edhe një lëvizje të vetme pozitive për bizneset, përveç marrjes së granteve dhe përfitimeve të tjera për vete dhe bizneset e afërta me të", është shprehur Zeqa. 

Hertica: Dinozaurët e politikës po e shkatërrojnë shtetin

Në fakt, kompania e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Ramiz Kelmendi, "Elkos", sipas Zeqës, e kishte fituar grantin nga Qeveria e Kosovës derisa ishte në pozitën e deputetit, përderisa me urdhrin e tij për anulim të grantit ka shkelur Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, kur dihet afërsia e tij me biznesmenët e klanit 'Pronto' (Shkëlqim Devolli & Co."Me veprimin e tij për anulimin e grantit, Ramiz Kelmendi ka shkelur Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Sipas ligjit, Kelmendi ka qenë i obliguar të bartë të drejtat e administrimit të kompanisë te dikush tjetër dhe gjatë kësaj kohe nuk ka asnjë të drejtë të marrë vendime për kompaninë. Gjithnjë, sipas ligjit zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të japë informata, udhëzime, urdhëresa apo në ndonjë mënyrë tjetër të qëndrojë në lidhje me persona që kanë konkurruar për grante qeveritare. Në rastin konkret, sikur drejtësia kosovare t'i kishte duart e lira për veprim, zëvendëskryeministri Kelmendi do të rrezikonte humbjen e postit në momentin që ka urdhëruar menaxhmentin e kompanisë ELKOS të anulojnë grantin që kishte fituar nga Qeveria e Kosovës", u shpreh Zeqa për "Kosova Sot". Ndryshe, sipas analistit politik, Ali Hertica, vazhdimi i ruajtjes së fortë të lidhjes së interesit të biznesit dhe përfitimit nga politika në një rast të tillë është vetëm një segment i asaj, tmerrësisë së shoqërisë kosovare që po e dëmton shtetin, është diçka që sot po e shkatërron shtetin me dinozaurët e politikës dhe shoqërisë kosovare. "Kjo është një situatë tragjikomike për shtetin, sepse t'i japësh postin e zv.kryeministrit një matrapazi të kategorisë së lartë të fushës së ekonomisë së shtetit është një çmenduri totale, ngase kjo tregon që dalëngadalë po shtrihet dhe po shfrenohen në veprim të papenguar krimi dhe bandat kriminale ekomomike, tani në krye me një zv.kryeministër, i cili bën gjithçka për t'u pasuruar", është shprehur ai. Sipas Herticës, për shoqërinë kosovare angazhimi i tij në interesin publik është vetëm një dogmë, të cilën e mbjell ai, derisa konfliktin e interesit me kompaninë e tij e fsheh si zyrtar i lartë, madje edhe duke qenë në veprim praktik të krimit ekonomik, ngase janë gjithë ato mallra që edhe me afat të skaduar janë futur në tregun tonë. "Ky pra është kontributi i një zv.kryeministri, i një tregtari të paskrupullt, i cili gjithë regëtin tani e bën nën petkun e politikës, madje edhe përmes ofrimit të vazhdueshëm me ekonominë e Serbisë fashiste", theksoi Ali Hertica për "Kosova Sot". Sidoqoftë, ai shpreh dyshimin e tij që Ramiz Kelmendi do të rrezikohet ta humbë postin, sepse nga kjo situatë do ta mbrojë klani i tij politik.

Personalitet i luhatshëm

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, faktin se Ramiz Kelmendi ka një personalitet të luhatshëm e ka dëshmuar vetë koha, duke lëvizur nëpër subjekte politike për qëllime karrieriste dhe biznesore. "Përveçqë është karrierist, në të njëjtën kohë është zhvatës i paskrupullt i parasë publike dhe në emër të pozitës që ka po mundohet të rrisë biznesin e tij privat. Marrja e këtij granti nuk ka qenë pa dijeninë e z. Kelmendi dhe asnjëherë nuk do të kishte bërë thirrje për t'u tërhequr, por presioni i mediave e pat efektin e vet", theksoi Hidajet Ahmeti. Ai thotë se po të kishte një shtet serioz ligjor, në funksion stabil, Kelmendi automatikisht tani do të duhej ta lëshonte pozitën e zëvendëskryeministrit, për shkak të gjendjes në konflikt interesi. "Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit e specifikon qartë në dispozita të caktuara dhe një konflikt interesi në rastin e marrjes grantit qeveritar me pozitën që gëzon z. Kelmendi është i pamohueshëm. Por, duke ditur se sistemi i drejtësisë është i kapur, kjo shkelje ligjore e tij do të mbetet vetëm diskutim tryezash politike dhe në mediet e shkruara e elektronike. Kelmendi është futur në politikë për interesa biznesore, e jo për interesa qytetare. Edhe pse kishte proklamuar një revolucion ekonomik, posaçërisht në fushën e bujqësisë, pas tre muajsh në këtë pozitë u tërhoq nga premtimet e tij. Veprimet e tij të mbrapshta po e dëshmojnë qëllimin e futjes në atë pozitë, në njërën anë duke u përfshirë në konflikt interesi, kurse në anën tjetër duke mos bërë asnjë lëvizje pozitive në zhvillimin e vendit", theksoi Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot". Ai madje kujton se si para pak ditësh në një emision televiziv u tërhoq nga fjalët e tij, duke demantuar atë çfarë ka thënë dhe sipas tij një revulocion i tillë i zhvillimit ekonomik tani nuk mund të ndodhë."Këto veprime taktike tregojnë se personaliteti i tij shquhet për dinakëri, egoizëm, joseriozitet dhe josinqeritet dhe sigurisht që do ta përfundojë mandatin, duke mos arritur as edhe një sukses të vetëm. Shteti i Kosovës nuk ka nevojë për njerëz demagogë, egoistë, karrieristë, manipulatorë e zhvatës të parasë publike. Logjika e të bërit politikë dallon nga logjika e të bërit biznes. Si duket Kelmendi politikën po e konsideron si biznes dhe rrëshqitjet e tij do të jenë të pandalshme", theksoi Hidajet Ahmeti. Sipas tij, personaliteti i Kelmendit dhe të bëmat e tij në biznes duhet të merren seriozisht nga prokuroria e shtetit."Prokuroria është në dijeni për dyshimet e përfshirjes se z. Kelmendi në konflikt interesi dhe menjëherë ishte dashur të fillohet me hetimet e këtij rasti dhe nëse ka vërtetohet që ka pasur shkelje atëherë të shkarkohet nga ajo pozitë. Nuk duhet, por edhe nuk duhet lejuar që njerëzit që shkelin ligjin të udhëheqin institucione të rëndësishme shtetërore. Precedenti i rastit Kelmendi nuk i bën nder Qeverisë së Kosovës e në veçanti Republikës së Kosovës, të cilën e presin sfida të mëdha. Në raste të tilla, institucionet drejtësisë duhet ta sfidojnë veten dhe të behën heronj të paqes, duke luftuar të keqen, duke e vënë shtetin në binarë ligjorë dhe të së drejtës", theksoi analisti Hidajet Ahmeti.

(Kosova Sot)