Bllokohet riformatimi

  • 24 January 2017 - 07:57
Bllokohet riformatimi

Koalicioni nuk zgjedh dot as një ministër Integrimesh

Partnerët e koalicionit të tanishëm PDK-LDK e kanë lënë krejtësisht në harresë premtimin e vazhdueshëm nga viti i kaluar për një qasje më racionale ndaj përbërjes së tanishme të kabinetit qeveritar, duke folur për gatishmërinë e tyre dhe punën që po bënin për riformatimin e këtij kabineti edhe ashtu joefektiv. Kjo Qeveri ka lënë Ministrinë e Integrimeve pa ministër dhe deri më tash nuk ka pasur marrëveshje as për caktimin e një ministri. Nga analistët politikë, shtyrja e riformatimit të paralajmëruar shihet si pasojë e frikës se zgjedhjet e përgjithshme mund të mbahen këtë vjeshtë, bashkë me ato komunale. "Shkurtimi i kabinetit qeveritar dhe riformatimi i paralajmëruar nuk ndodhën, shkaku i mosarritjes së marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit në njërën anë dhe interesave klanore në anën tjetër. Edhe përkundër performancës së keqe qeverisëse, Qeveria megalomane vazhdon punën e saj pa efikasitet, madje ka lënë edhe Ministrinë e Integrimeve pa ministër. Shkurtimi i kabinetit qeveritar do duhej filluar me largimin e të gjithë zv.ministrave dhe të ashtuquajturve "këshilltarë" pa portofol, që nuk bëjnë asnjë punë me vlerë, përveç shpenzimit të parave të taksapaguesve të varfër të vendit, edhe pse nuk kanë identifikim të vendit të punës, rezultojnë në listën e pagave më të majme në vend", tha analisti Florim Zeqa. Sipas tij, shtyrja e riformatimit është edhe pasojë e frikës nga zgjedhjet, që mund të mbahen në vjeshtë, bashkë me ato komunale.

Politikanët e luksit

Me rrezik serioz e sheh riformatimin e kabinetit qeveritar për jetëgjatësinë deri në zgjedhjet e reja, edhe analisti Jeton Kelmendi. "Riformatimi i Qeverisë 'Mustafa' është problem i vogël karshi problemeve të mëdha që ka kjo përbërje artificiale e koalicion artificial. Nuk riformatohet, sepse edhe kështu mezi po funksionon e po të largohet dikush nga pozita mund ta tronditë koalicionin e interesave individuale e klanore", tha Kelmendi. Analisti politik, Albrim Badallaj, thotë se premtimet dhe zotimet e të gjitha fushave, që janë dhënë nga kjo Qeveri e kanë humbur kuptimin dhe tani nuk ka element, në të cilin do të mund të bazoheshin dhe besonin qytetarët e këtij vendi. "Gjatë gjithë periudhës së pasluftës ekzekutivët e vendit e kanë sabotuar apo dëmtuar me vetëdije buxhetin e varfër të Kosovës, duke e diskredituar kësisoj edhe personalitetin e politikanit. Nuk mund të pritet që ky propozim i para sa kohëve i Qeverisë, të cilin duhet ta miratojë vetë ajo, të jetë një konstelacion që vërtet po dëshirohet të kursehet buxheti", tha ai. "Nuk janë vetëm pagat e ministrave ato që e vjelin buxhetin e Kosovës, mirëpo luksi i tyre i tepruar nëpër vizita zyrtare, këshilltarët politikë, nëpunësit e kabineteve dhe shoferët e tyre bënë që privilegjet të jenë tepër të kushtueshme për një buxhet të varfër të vendit, ku në gjirin e saj ka 40% të popullsisë të varfër. Në rast se do të konkretizohet vendimi i Qeverisë, nuk është se do të kursente edhe aq shumë buxhetin, mirëpo do të sillte një mentalitet të ri, që edhe me pak ministri mund të zhvillohet shteti, nëse ka vullnet politik, sepse funksionimi i mirëfilltë i vendit nuk ka nevojë medoemos për shpenzime të panevojshme", tha Badallaj për "Kosova Sot". Sipas tij, ky reflektim është pritur nga kryeministri Mustafa, i cili vjen nga fusha e ekonomisë, mirëpo me këtë po faktohet çdo ditë e më tepër që kënaqja e apetiteve brenda koalicioneve bashkëqeverisëse është prioritet i politikës tek ne. 

Pazari antikombëtar

Ndryshimi eventual brenda kabinetit qeveritar, do të ishte fundi i këtij koalicioni të brishtë, edhe sipas analistit Ali Hertica. "E gjitha flet se qëllimi nuk shkon drejt hapit të një reformimi e riformatimi, sepse në këtë koalicion joserioz mbizotëron një lloj pasigurie e madhe funksionale, kurse me marrjen e këtij hapi mundet shumë lehtë të vijë deri te prishja e kurorëzimit të panatyrshëm që kanë ndërtuar këto tri subjekte politike, PDKLDK dhe Lista Serbe", tha Ali Hertica. Sipas politologut Hidajet Ahmeti, tërheqja e heshtur e koalicionit nga premtimi për reformim dhe reduktim të kabinetit qeveritar, flet më së miri se sa kjo Qeveri në njëfarë mënyrë ka humbur legjitimitetin politik, e që po dëshmohet edhe me pamundësinë që brendapërbrenda numrave të saj t'i sigurojë votat për formimin e ushtrisë, Demarkacionin dhe shumë çështje me rëndësi qytetare. "Kontrata e lidhur në mes të qytetarëve dhe kësaj Qeverie është shkelur shumë herë, duke kaluar vullnetin qytetar dhe duke dëmtuar shtetësinë në mënyrë kontinuele. Kjo Qeveri megalomane po dëmton buxhetin e varfër të Republikës së Kosovës dhe në anën tjetër, duke shkelur e dhunuar interesin publik e duke trashur klientelën e saj nuk i bën nder shtetit të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane. Pazari famëkeq në mes të PDKLDK-Lista Serbe po dëshmohet çdo ditë se nuk është duke punuar për interesa qytetare, kombëtare e shtetërore, por për ta implementuar marrëveshjen fatkeqe, duke rehatuar militantë partiakë, duke instaluar njerëz të tyre nëpër institucione publike, dhe me kulmin e të këqijave, duke instaluar shtetin serb brenda Republikës së Kosovës", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot". Ai konsideron se një njollë e madhe e zezë për këtë kabinet mbetet Ministria e Integrimeve Evropiane që akoma është pa ministër. 

(Kosova Sot)