Zvarritja e Policisë gjyqësore zbeh drejtësinë

  • 24 January 2017 - 07:45
Zvarritja e Policisë gjyqësore zbeh drejtësinë

Policia aktualisht i raporton MPB-së

Formimi i Policisë gjyqësore tanimë është bërë thuajse imperativ i kohës dhe shumë i domosdoshëm për ecurinë e zhvillimeve pozitive në fushën e drejtësisë, duke u paraqitur tashmë si nevojë ashtu siç ekziston në shumë shtete të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Të paktën, kështu kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë thënë po ashtu se kësisoj Policia gjyqësore veç të tjerash do të ishte nën ombrellën e 'Prokurorisë', dhe do t'i raportonte kësaj të fundit, ku për rrjedhojë do ishte edhe larg ndikimeve eventuale të politikës. Prokuroria e ka të vështirë që të ketë sukses në punën e saj pa e pasur Policinë gjyqësore nën urdhrat strikte të saj. Por, a do të ndodhë ky ndryshim që do të ishte në favor të Prokurorisë, tani për tani mbetet mister, ani pse do të ishte më se i nevojshëm për punën e Prokurorisë që të jetë sa më e pavarur dhe e pandikuar, por edhe e papenguar nga politika. Sipas analistëve, policia merr urdhra dhe i raporton MPB- së, e që ka dyshime se mund të jetë edhe e ndikuar, duke paraqitur kësisoj një pengesë për hetimet dhe përzierje të rrezikshme kompetencash për hetimet e mirëfillta.

Shtimi i efikasitetit në luftën kundër krimit

Analisti Naim Kelmendi në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se vetë mungesa e Policisë gjyqësore është një hendikep për Prokurorinë, derisa kjo polici do të plotë- sonte më mirë kompetencat dhe përgjegjësitë në raport me veprat penale. Kjo po ashtu, sipas Kelmendit, sigurisht se krahas prokurorit do të ndihmonte edhe në kryerjen e hetimeve paraprake, sikur ekziston çdokund Policia gjyqësore, mbledhjen e provave dhe fakteve dhe në hetimin e veprave penale, ato të korrupsionit dhe krimit të organizuar. "Andaj, ky do të ishte një ndryshim në favor të Prokurorisë dhe në efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar të të gjitha formave. Konsideroj se Prokuroria do të duhej të jetë tejet e pavarur në zhvillimin e hetimeve ndaj veprave penale dhe po ashtu me një Polici gjyqësore totalisht të pavarur dhe të pandikuar e jo sikur është tani, ku kjo polici që merr urdhra dhe i raporton MPB-së, pra që do të thotë se mund të jetë edhe e ndikuar, nga kjo e fundit", është shprehur analisti Naim Kelmendi.

Politika, pengesë për sistemin

Analisti tjetër, Shefqet Dibrani, thotë se Prokuroria vetëm merr vendime, por për t'i zbatuar ato duhet ndihma e policisë, e nëse kjo e fundit udhëhiqet nga kapot e politikës, që nuk kanë asnjë hall për drejtësinë dhe as shtetin ligjor, krijohet një lloj anarkie çfarë e kemi ne në Kosovë, derisa, sipas tij, kjo është fatkeqësi, por gjendja është kjo që është, andaj siç tha duhet bërë përpjekje për ta ndryshuar brenda këtyre rrethanave dhe mundësive që janë. "Por, nëse sistemi i drejtësisë fillimisht nuk pastrohet, dhe pastaj edhe të reformohet, nuk do të kemi as drejtësi të pavarur. Kjo, ngase me prokurorë e gjyqtarë, por dhe zyrtarë të tjerë, të cilët mund të jenë eventualisht të implikuar në afera të krimit e korrupsionit, të njëjtët asnjëherë nuk bëjnë dhe as do mund të bënin drejtësi të pavarur, pasi ata do të mbrojnë vetëm interesat e veta, që dyshohet se janë të lidhura me bandat e krimit të organizuar. Prandaj, fillimisht sistemi i drejtësisë duhet të spastrohet nga njerëzit e implikuar në krim dhe korrupsion dhe më pas të mendohet edhe në reforma të mirëfillta", theksoi ai. "Në kuadër të tyre duhet mbase të realizohet edhe Policia gjyqësore, ashtu sikur në Shqipëri, dhe vendet e tjera, ku krahas prokurorit, e ngarkuar me kryerjen e hetimeve paraprake është dhe Policia gjyqësore, e cila do të ishte nën urdhrat strikte të Prokurorisë apo thënë me fjalë të tjera nën 'ombrellën' e saj dhe kësisoj do të ishte në favor të vetë Prokurorisë dhe zhvillimeve të gjithëmbarshme në drejtësi. Andaj së këndejmi do duhej të zgjeroheshin edhe kompetencat mbi Prokurorinë, pasi tani për tani sistemi i drejtësisë neglizhohet e pengohet nga politika, e cila është përgjegjëse për tërë kaosin administrativ në Kosovë", ka shtuar ai.

Modeli i Shqipërisë, shembull i mirë

Tutje Dibrani ka nënvizuar se nëse merren parasysh këto rrethana, nuk do të ketë sistem të mirëfilltë të drejtë- sisë përderisa nuk heq dorë, siç tha, "politika e inkriminuar në ndërhyrje të proceseve të rënda, të cilat gjer më tani nuk janë trajtuar si duhet për të dhënë shembull se diku po nis një fillim i mbarë në këtë vend". Ndërsa avokati Isa Salihi ka konsideruar se formimi i Policisë gjyqësore është nevojë imediate dhe shumë e domosdoshme për ecurinë e zhvillimeve pozitive në sistemin e drejtësisë, derisa sipas tij, kjo është një çështje, e cila është debatuar si variant që do t'ia lehtësonte shumë detyrën organit të ndjekjes. Avokati Salihi beson se në një të afërme jo të largët edhe do të jetë në veprim dhe me kompetenca të qarta ligjore në fushëveprimtarinë e saj, në kuadër të kompetencave ligjore. "Ndërsa, organizimi dhe veprimi i Policisë gjyqësore si në Republikën e Shqipërisë është shembull për të mirë, dhe se eksperienca e marrë duhet bartur edhe tek institucionet tona në fushën penale. Andaj, edhe bartësit e institucioneve tona duhet të nxjerrin ligjin, me të cilin saktësisht do të rregullohej kompetenca e Policisë gjyqësore, në mënyrë që edhe ky organ të jetë ndihmës në ushtrimin dhe realizimin e detyrave, në kuadër të fushëveprimtarisë së tij, por gjithnjë sipas autorizimeve të Prokurorisë së Shtetit", u shpreh Salihi.

(Kosova Sot)