Mustafa s’e di as ditën e as datën e riprocedimit të Speciales në Kuvend

  • 06 July 2015 - 19:12
Mustafa s’e di as ditën e as datën e riprocedimit të Speciales në Kuvend

Amendamenti 24 i kushtetutës që i hap rrugë ligjore krijimit të dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale do të riprocedohet në Kuvend, por ende nuk ka ditë e as datë të caktuar se kur do të ndodhë kjo.

Këtë thotë se nuk e di as vetë kreu i Qeverisë, Isa Mustafa. Ai tha se po punojnë me të gjitha grupet parlamentare për të bashkërenduar veprimet, e që do të tentojnë të bisedojnë edhe me opozitën.

Mustafa mohoi që votimi në seancën e 26 qershorit për Gjykatën Speciale ka qenë i kurdisur, por tha se për votimin kanë vendosur vetë deputetët.

Ndërsa, me rastin e riprocedimit, ai tha se duhet bashkuar e të dalin përtej vetvetes.

Këto komente Mustafa i ka bërë pas përfundimit të akademisë përkujtimore në 17-vjetorin e betejës së Loxhës.

Por edhe në fjalimin e tij në akademi tha se Gjykata Speciale duhet të formohet, sepse është obligim ndërkombëtar, ndërsa u është kthyer sërish vrasjeve të pasluftës.

Në akademinë përkujtimore kushtuar luftëtarëve të lirisë të rënë në betejën e Loxhës, njëri nga përfaqësuesit e familjarëve tha se ata që kanë kryer krime, siç i quajti, të pariparueshme, duhet të përballen me drejtësinë, transmeton Koha.net.

Nën përkujdesjen e kryeministrit Isa Mustafa u përkujtua përvjetori i 17 i betejës së Loxhës dhe tre të rënëve të kësaj beteje: Rrustem Bruqi, Enver Alaj dhe Lumni Surdulli, si dhe nëpërmes një dokumentari të shkurtër vepra e kolonel Tahir Zemajt.