Komuna e Prishtinës nis projektin për kënde të lodrave dhe terrene sportive

  • 06 July 2015 - 19:28
Komuna e Prishtinës nis projektin për kënde të lodrave dhe terrene sportive

Komuna e Prishtinës, pas diskutimeve publike të realizuara me banorë të lagjeve të ndryshme të kryeqytetit, ku kërkesë specifike e përsëritur thuajse në secilin diskutim ka qenë krijimi i këndeve të lodrave dhe hapësirave publike, ka njoftuar sot nisjen e procedurave tenderuese për realizimin e këtyre projekteve në lagje të ndryshme të qytetit.

“Drejtoria komunale e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes kompanisë projektuese “Pro Art”, është duke bërë projektet për këndet e lodrave dhe terren sportive dhe së shpejti do të fillojnë procedurat tenderuese për realizimin e këtyre projekteve në lagje të ndryshme të qytetit”, thuhet në komunikatën e sotme të komunës.

Drejtoresha e Drejtorisë përkatëse, Saranda Bogujveci, citohet me këtë rast të ketë deklaruar se “së shpejti, do të ketë hapësira të përshtatshme për familjarë dhe fëmijë ku ata do të mund ta kalojnë kohën, por edhe të merren me aktivitete rekreative”.

Në listë prioritare, sipas Bogujevcit, do të jenë të gjitha ato lagje që nuk kanë fare hapësira të tilla, apo ato lagje ku hapësirat ekzistueset nuk janë të mjaftueshme.

Për këndet e lodrave dhe hapësirat sportive janë planifikuar rreth 300 mijë euro nga buxheti i Komunës së Prishtinës.

Komuna fton të gjithë ata banorë që kanë kërkesë për ndërtimin e hapësirave të tilla në lagjet e tyre, që në mënyrë të organizuar t’i parashtrojnë edhe me shkrim kërkesat në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.