Merkel thërret referendum kundër referendumit grek

  • 06 July 2015 - 19:36
Merkel thërret referendum kundër referendumit grek

Rezultatet e referendumit grek por edhe vetë mbajtja e tij janë përcjellë me humor nga mediat e specializuara në këtë fushë. I tillë është edhe lajmi i francezes “Le Gorafi”, që“njofton” se kancelaria Angela Merkel do të thërrasë një referendum në Gjermani për t’iu përgjigjur referendumit grek.

“Merkel, pasi u ballafaqua me kokëfortësinë e kryeministrit grek, ka vendosur t’i thërrasë votuesit gjermanë për të vendosur vetë ata nëse do ta njohin referendumin grek apo jo”, shkruan agjencia e lajmeve satirike, transmeton shekulli.

“Grekët e kanë bërë të qartë zgjedhjen e tyre të gabuar. Tani vendimi për ta marrë ose jo në konsideratë këtë referendum i takon popullit gjerman. Grekët besonin se po na jepnin një mësim në demokraci. Tashmë është radha jonë të dëshmojmë se edhe ne e respektojmë demokracinë duke pyetur vetë popullin gjerman se ç’mendon për këtë çështje”, thotë Merkel sipas “Le Gorafi”.