Bajrami nuk ndalet në betejën kundër korrupsionit në MTI

  • 06 July 2015 - 23:20
Bajrami nuk ndalet në betejën kundër korrupsionit në MTI

I kundërpërgjigjet Zhbogar-it. 

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj letrës së përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar. Bajrami ka thënë se "asnjë presion, asnjë shantazh, asnjë kërcënim, asnjë veprim i kujtdo qoftë nuk më largon nga ideja për t'i ndalë keqpërdorimet, krimin, korrupsionin qoftë edhe të njerëzve që janë të lidhur me çfarëdo faktori vendor apo ndërkombëtar". Ky reagim vjen pasi që Zbogar në një letër dërguar ministres Bajrami thotë se "puna e mirë që është bërë në të kaluarën në MTI, po rrënohet nga ministrja Bajrami". Sipas tij, nëse vazhdohet kështu, Kosova do të dështojë në të gjitha fazat e integrimeve evropiane. Ai thotë se ndryshimet që ministrja i ka bërë së fundmi në administratën e MTI-së në sektorin e resurseve njerëzore, ka larguar nga puna njerëz profesionistë me performancë të shkëlqyeshme.

 Por, Bajrami ka thënë se dikush duhet të japë llogari pse një biletë aeroplani është paguar shtatë mijë  euro.

"Është absurde se unë kritikohem pse ka dhënë dorëheqje kryeshefi i KIESA-s, i cili ka qenë nën hetime. Se ka dhënë dorëheqje drejtori i Divizionit për Promovim të Investimeve, zyrtarja e Lartë për Promovim të Investimeve, pas vënies se disiplinës nga ana ime rreth udhëtimeve jashtë vendit. Se e kam suspenduar kryeshefin e Metrologjisë, pasi që është arrestuar dhe gjendet në arrest shtëpiak. Se kam kërkuar shkarkimin e sekretares së përhershëm, e cila ka bërë dhjetëra shkelje, ju lutem shiheni raportin e auditorit", ka thënë Bajrami. Sipas saj, për dy vjet një person ka ushtruar jashtëligjshëm funksionin e u.d i drejtorit të Departamentit të Tregtisë, kurse jashtëligjshëm gjatë kësaj kohe ka përfituar nga Fondi për Kuadro. "Të gjitha këto kritika janë motivim për të vazhduar edhe më fuqishëm në luftën kundër korrupsionit", ka shkruar Bajrami në një postim në “Facebook”. (Kosova Sot)