Fund monopolit 9-vjeçar të "Devollit" në homologim

  • 13 February 2017 - 08:10
Fund monopolit 9-vjeçar të

Rexhepi: Me ndryshimin e Projektligjit për Automjetet presim liberalizim të tregut në homologim

Gjatë dëgjimit publik për Projektligjin për Automjetet, që në vete i përmban 127 nene dhe që u mbajt javën e shkuar në organizim të Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, përfaqësuesja e OEK-ut, Lumnije Hashani ka kërkuar që më në fund të hiqet monopoli nëntëvjeçar i homologimit të veturave. Ajo ka kërkuar ndryshimin e nenit 32 dhe 33 për homologim të automjeteve, sepse, siç ka deklaruar ajo, i tërë opinioni e di se ka monopol në këtë fushë. Veç kësaj, ajo ka kërkuar mos të bëhet kontrollimi teknik dhe homologimi për vetura të reja të importuara, të cilin e bën sot QAK-u (Eurolab), që është në pronësi të oligarkëve Devolli. Ndryshe, analistë të ekonomisë dhe deputetë të pozitës dhe opozitës, që janë nga ky Komision, kanë pasur në të kaluarën, por edhe tash, vërejtje të mëdha për konkurrencën joluajale, e cila po e ngulfat ekonominë e Kosovës. Lidhur me këtë situatë, anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri thonë se gjatë hartimit të Projektligjit për Automjetet, ata do ta përkrahin idenë e përfaqësueses së OEK-ut që të hiqen monopolet e QAKut të Devollëve në fushën e homologimit të automjeteve dhe se të gjitha vërejtjet e përfaqësues së OEK-ut do të përfshihen në Ligjin për Automjete për t'i dhënë fund monopolit në homologimin e automjeteve, shkruan gazeta Kosova Sot.

Qela: "Ne si Komision insistojmë që të hiqet monopoli shumëvjeçar në fushën e homologimit"

Kryetari i Komisionit për Zhvillim ekonomik, Dr. Muhamet Mustafa (LDK) thotë se anëtarët e Komisionit pa dallime partiake janë pajtuar se do të përkrahin heqjen e monopoleve në fushën e monopoleve të homologimit të automjeteve. Sipas Mustafës, kjo çështje është thënë edhe në versionin e ri të Projektligjit dhe si një Projektligji i ri presin që ai të krijojë kushte të barabarta për të gjitha bizneset vendore dhe se ai nuk do të lejojë monopole. "Projektligji e përcakton qartë se nuk do të ketë mundësi të monopoleve dhe se Komisioni ynë ka qenë unik në vlerësimin e tyre se duhet luftuar monopolet në këtë fushë. Edhe teksti i Ligjit në Komisionin tonë ka ardhur në formë të tillë dhe që nuk i lejon monopolet e tilla", është shprehur ai. Ndërsa deputeti Fatmir Rexhepi (LDK), që ishte edhe kryesues i Grupit punues për amendamentimin e këtij Projektligji, ka vënë në dukje rëndësinë e angazhimit të të gjitha grupeve të interesit, në mënyrë që ky Projektligj t'i përmbushë nevojat e qytetarëve, duke ndikuar, po ashtu, edhe në shtimin e sigurisë në komunikacion, si dhe heqjen e monopoleve. Ai u shpreh se të gjitha kërkesat dhe vërejtjet që dolën nga debati i kaluar do të duhej që të përfshihen në Ligjin për Automjete. Ndërsa, deputeti nga koalicioni, Raif Qela (PDK) u shpreh: "Ne si Komision që jemi do të insistojmë që të hiqet monopoli shumëvjeçar në fushën e homologimit të automjeteve që si ide e ka dhënë përfaqësuesja e OEK-ut dhe me këto ndryshime presim se do të bëhet liberalizimi i tregut në këtë fushë" , është shprehur ai. Përfaqësuesja e Odës Ekonomike të Kosovës, Lumnije Hashani, e cila ka kërkuar me ligj që të hiqet monopoli shumëvjeçar në homologim është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se qëndrimet që i ka dhënë në atë mbledhje kanë qenë qëndrime të Kryesisë së OEK-ut dhe jo qëndrime per sonale të saj. "Në emër të OEK-ut i kam paraqitur ato dhe kam kërkuar ndryshimin e nenit 32 dhe 33 për homologim të automjeteve", ka thënë ajo, duket shtuar se opinioni është në dijeni se ka monopol në këtë fushë. "Lidhur me çështjen e homologimit për automjete kam kërkuar nga përfaqësuesit e ministrisë që të sjellin një informatë në lidhje me homologimin, sepse kemi vetëm një operator dhe është bërë temë publike ky monopol, si dhe të sanksionohen më mirë nenet 32 dhe 33 të Ligjit me qëllim që ky treg të liberalizohet dhe të kemi konkurrencë të lirë lidhur me homologimin e automjeteve", është shprehur ajo.

Grapci: Heqja e monopolit, e mirë e qytetarëve

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci u shpreh se është normale që monopoli në shumë fusha ekonomike po e ngulfat tregun e lirë nga konkurrenca joluajale që bëhet nga paslufta në Kosovë. " Anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri do ta përkrahin idenë e përfaqësueses së OEK-ut për heqjen e monopoleve të homologimit të automjeteve, sepse fundja kjo është në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës ", është shprehur ai. Grapci shpreson se bizneset dhe Odat, të cilat kanë qenë të lidhura me korporatën " Devolli", të kenë mësuar diçka nga vitet e kaluara dhe të largohen nga mbështetja që i kanë bërë kompanisë monopoliste "Devolli ". Kurse, analisti politik Florim Rrudhani u shpreh se konkurrenca joluajale e ka ngulfatur tregun e lirë në Kosovë. "Kosova jo vetëm që ka humbur investimet e huaja, por ka ngulfatur sektorin privat dhe kështu janë humbur mundësitë për krijimin e vendeve të reja të punës, duke rënduar gjendjen sociale të qytetarëve", është shprehur ai. " Oligarkët kanë mbuluar shpenzimet e partive politike dhe politika i ka shpërblyer me tenderë oligarkët ekonomikë, por jo nga konkurrenca e lirë e tregut, po nga favorizimet dhe mbështetja e politikës përmes ekzekutivit dhe legjislativit ", është shprehur ai. Rrudhani u shpreh se kësisoj ata kanë krijuar kapital të pakrahasueshëm me kompanitë e tjera, të cilat nuk kanë mbështetje nga shteti, e as lehtësira për të bërë biznes, që është e kundërta me monopolet që kanë krijuar kompanitë e oligarkëve. " Ideja e OEK-ut që e kanë prezantuar te Komisioni për Zhvillim Ekonomik dhe Industri për heqjen e monopoleve të QAK-ut të Devollëve për fushën e homologimit të automjeteve, si Projektligj është i mirë. Por, kjo ide ka qenë e nevojshme të bëhet shumë vjet më parë". Ai shtron pyetjen se pse po bëhet në këtë kohë e jo më parë dhe jep përgjigjen: "Duket e qartë dhe kjo është bërë nga frika e Gjykatës Speciale, frika dhe tentim mbulimi i veprimtarive të dyshimta që ne nuk i dimë si shoqëri". Ai shton se oligarkët së bashku me politikën e kanë mbytur këtë shoqëri dhe kanë krijuar kapital të pakrahasueshëm në tregun që nuk i ka as 2 milionë banorë. " Pasuria e politikës nuk justifikohet me paga institucionale, po lidhjet me oligarkët të cilët kanë shpërblyer njëra- tjetrën, iu kanë mundësuar këtë. Populli e ka paguar me çmime të shtrenjta, me mbytjen e konkurrencës së lirë", është shprehur Rrudhani. Sipas Rrudhanit, shteti juridik ka dështuar në Kosovë. "Gjykata Speciale ua ka futur frikën në palcë krimit dhe korrupsionit, e besa edhe politikës së kriminalizuar. Vetëdija qytetare po rritet, se jeta e tyre, besimi i tyre, është shikuar thjesht për pasuri të grupeve shumë të vogla, por shumë të fuqishëm në kapital. Qytetari po pret veprim të institucioneve tona, të cilat kanë dështuar më parë. Shpresa e vetme është Gjykata Speciale për krijim të konkurrencës në fushën e ekonomisë e tregtisë", është shprehur ai.

(Kosova Sot)