Grainca: Në 2017 na pret kriza e thellë energjetike

  • 07 July 2015 - 23:45
Grainca: Në 2017 na pret kriza e thellë energjetike

Ligji i prokurimit publik është pengesë për qeverinë, pasi ai ligj i pengon negociatat në lidhje me të ardhmen energjetike, ka vlerësuar Blerim Grainca, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në vitin 2017, Kosova rrezikon të ketë krizë të thellë energjetike dhe të jetë e varur vetëm prej importit të energjisë elektrike, ka paralajmëruar Grainca, duke folur për nevojën e procedimit të shpejtë për rindërtimin e kapaciteteve energjetike të Kosovës, e sidomos të termocentralit Kosova e Re.

Duke folur për vëmendjen maksimale që ka marrë Gjykata Speciale, në kurriz të nevojave emergjente të jetës së qytetarëve, Grainca ka thënë se duhet të ketë konsensus më të gjerë për gjëra që janë në interes nacional, e energjia, sipas tij, është njëra nga këto çështje.

Grainca është përfshirë edhe në debatin për MTI-në, duke thënë se derisa ka qenë në Komisioni e Mbikëqyrjes së Investimeve, ka konstatuar se puna në këtë ministri nuk është ajo që duhet.

“Jam i pakënaqur edhe me ritmet e punës së ministres aktuale, edhe pse drejtimi është i mirë”, ka thënë Grainca, në Televizionin Rrokum.

Sipas tij, gjatë viteve të fundit ka pas shumë shpenzime në MTI për bileta udhëtimi jashtë shtetit për të nxitur investime të huaja në Kosovë, por investime nuk ka pas, e përkundrazi, investimet kanë shënuar rënie.