4 orë leje për protestën e opozitës, 1 mijë policë në terren

  • 17 February 2017 - 11:51
4 orë leje për protestën e opozitës, 1 mijë policë në terren

Opozita shqiptare ka thirrur nesër në protestë qytetarët shqiptarë në shenjë revolte ndaj qeverisë dhe reformave të saj.

Policia e Tiranës jep leje për protestën nga ora 12:00 deri në orën 16:00.

Protesta do të zhvillohet te bulevardi “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë. 

Policia ka marrë informacion që mund të ketë skenar për të provokuar policinë dhe të ketë përplasje. 

Po kështu burime për “BalkanWeb” nga policia thanë se priten edhe sulme ndaj Kryeministrisë me gurë ose sende te tjera. 

Masat do të jenë të ngjashme me protestat e mëparshme dhe kordoni i parë do jetë me efektive femra. Priten rreth 1000 forca policie nga komisariatet; Njësia Shqiponja, Forcat Operacionale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ndërkohë gazetari Erjon Skëndaj ka raportuar nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” një ditë para protestës, duke përshkruar situatën. I vetmi ndryshim në pamjen para godinës së Kryeministrisë, është fasada nga ana e përparme dhe streha, e cila është mbuluar me një rrobë të zezë për t’i shpëtuar sulmeve të mundshme nga protestuesit dhe dëmtimit.

(Kosova Sot)