< Policia i jep leje 4 orë/ Basha: Përfundimin e protestës e vendosin qytetarët - Lajme - Kosova Sot
Policia i jep leje 4 orė/ Basha: Pėrfundimin e protestės e vendosin qytetarėt

Policia i jep leje 4 orė/ Basha: Pėrfundimin e protestės e vendosin qytetarėt

Partia Demokratike do të protestojë nesër më 18 Shkurt para Kryeministrisë. Policia ka parashikuar që protesta-marshim në Bulevard të zgjasë 4 orë (12:00-16:00) por lideri demokrat tha se protesta ka nisje, por përfundimi do të jetë pa limit…

Gjatë një prononcimi për mediat para selisë së PD, Basha tha se: “Do të jetë një protestë madhështore, do të jetë një bashkim madhështor dhe të gjithë së bashku do të hapim një derë të re për Shqipërinë tonë dhe për jetën e çdo shqiptari”.

Më pas iu përgjigj dhe pyetjeve të gazetarëve.

Pyetje: Zoti Basha fillimin e protestës e dimë, vazhdimin dhe mbarimin s’e dimë?

Basha: Fillimi i protestës është përcaktuar nga Partia Demokratike, nga opozita në orën 12:00. Qytetarët janë ata, të cilët do të vendosin kohëzgjatjen dhe mbarimin e protestës, padyshim me fitore. Me fitore qytetare, të kauzës qytetare, të kauzave të shumta që do të bashkojnë shqiptarët nesër në protestë.

Unë dua në radhë të parë të falenderoj mijëra qytetarë që më kanë dërguar mesazhe në telefon, në Facebook, në forma dhe mënyra të tjera. Në pamundësi për t’ju përgjigjur gjithsecilit prej tyre, në kohën e shkurtër kur i kanë dërguar këto mesazhe, dua t’iu përcjell një falënderim nga zemra për mbështetjen e jashtëzakonshme, për angazhimin, për konfirmimin e bashkimit të madh popullor që do të ndodhë nesër në Tiranë, të protestës së madhe, kësaj feste të demokracisë, të cilës do t’i bashkohen burra dhe gra, të reja dhe të rinj, intelektualë, artistë, sportistë, pa punë, punëmarrës, sipërmarrës, fermerë, punëtorë, studentë dhe gjimnazistë.

Jam shumë i inkurajuar nga këto dhjetra, mijëra mesazhe të cilat konfirmojnë atë që ndjen çdo shqiptar, se rruga e vetme për të garantuar të drejtat e tyre themelore është përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Unë sot dua t’i garantoj ata se nesër të gjithë bashkë me fuqinë e madhe të pjesëmarrjes popullore, me fuqinë e madhe të bashkimit përmes një proteste madhështore, një shfaqjeje demokratike të forcës së pamposhtur të qytetarëve të bashkuar, por po kështu paqësore, do t’i tregojmë çdo shqiptari dhe botës mbarë, e cila do të jetë me sytë tek ne, dhe do na mbështesë, dhe bota demokratike po na mbështet për fitoren e kauzës së drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pra do tu tregojmë se shqiptarët kanë të njëjtat vlera qytetare, kanë të njëjtin përkushtim ndaj dinjitetit të tyre, ndaj të ardhmes së fëmijëve të tyre dhe familjeve të tyre dhe prandaj ngrihen, bashkohen dhe nuk thyhen deri sa të realizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme një pushtet të qytetarëve dhe jo një pushtet të pushtetarëve të korruptuar e të lidhur me krimin.

Pyetje: Keni një mesazh për Policinë?

Basha: Policia i ka marrë mesazhet. Po ia përsëris edhe sot, të mos bie pre e asnjë manipulimi politik, të mos provokojë, përndryshe do të përballet me pasojat e sjelljes provokative. Por jam i bindur se e nesërmja do të jetë një festë gjigante demokracie, shprehja më e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve për t’i dhënë fund të keqes, për të marrë sëbashku një vendim të madh nesër për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që do ta marrim së bashku aty, të gjithë sëbashku, të gjithë qytetarët.

Edhe një herë dua të falënderoj dhjetëra, mijëra qytetarë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen, që kanë konfirmuar me mesazhet e tyre mbështetjen dhe qëndresën, përkushtimin deri në arritjen e fitores. Dhe të ftoj çdo shqiptar, eja nesër, bashkohu! Eshtë një bashkim i madh popullor, është një festë e çdo qytetari. Të vijnë me gratë, me të rejat, me të rinjtë, me familjet. Ne do të jemi me familjet tona. Do të jetë një protestë madhështore, do të jetë një bashkim madhështor dhe të gjithë së bashku do të hapim një derë të re për Shqipërinë tonë dhe për jetën e çdo shqiptari.

(Kosova Sot)

 

12 orë e 25 minuta më parë