Smaka: Qeveritarët tanë nuk e kanë kompletuar sistemin e drejtësisë

  • 17 February 2017 - 17:15
Smaka: Qeveritarët tanë nuk e kanë kompletuar sistemin e drejtësisë

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se është evidente se ndërkombëtarëve në vendin tonë nuk u ka konvenuar që të aplikohet ligji, sepse kësisoj ata ishin më të pavarur, më violentë, më arbitrarë e të pakontrolluar derisa sipas tij në anën tjetër as pushtetarëve tanë nuk ju ka përshtatur kurrsesi që të aplikohet ligji pasi, siç tha, 'ujku kërkon mjegull' dhe një numër jo i vogël i personave janë pasuruar në rrethana të tilla turbulente dhe mjegullore gjatë dhe pas luftës dhe kjo në disfavor të parasë e djersës së popullit, derisa sipas tij natyrisht që personave në fjalë nuk u përshtaten absolutisht prokuroritë dhe gjykatat e forta që funksionojnë dhe së këndejmi shumë pasoja të rënda i janë shkaktuar vendit.

"Ndër të tjera, qeveritarët tanë qëllimisht nuk e kanë kompletuar sistemin e drejtësisë me prokurorë dhe gjykatës dhe kjo për arsyen që ata të mos kenë kapacitete për të funksionuar me efikasitet dhe efiçiencë. Pra, mungojnë prokurorët dhe gjykatësit dhe po asisoj edhe ata që janë në masë të konsideruar janë pasivë, indolentë, nën influencën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, pastaj nuk i zgjidhin lëndët, i zvarritin, i parashkruajnë dhe i zhdukin ato. Prandaj, gjendja është absolutisht e mjerë dhe e disfavorshme që për afro një dekadë shteti ynë nuk ka arritur që të vendosë sundimin e rendit dhe të ligjit", ka spikatur për gazetën "Kosova Sot" profesori i së drejtës, Riza Smaka.

(Kosova Sot)