Sundimtarët na e humbën shpresën

  • 19 February 2017 - 07:37
Sundimtarët na e humbën shpresën

Qytetarët janë të zhgënjyer me pushtetin e korruptuar

Derisa po mbushet një dekadë e plotë nga shpallja e pavarë- sisë së shtetit të Kosovës, dhe qeveritarët organizojnë ceremoni festive e pritje pompoze për korin diplomatik në vend, në masën e gjerë të qytetarëve ka filluar të zbehet nga viti në vit ai entuziazmi i viteve të para që kishin për këtë festë dhe festat e tjera. Analistët politikë e shohin këtë zbehje të dëshirës për të festuar për shkak të dështimit të qeveritarëve të deritanishëm të korruptuar që t'i ofrojnë një perspektivë reale zhvillimore shtetit të ri, të cilin në vend që ta zhvillojë dhe ta forcojë, e degradoi klasa politike deri aty se njerëzit po e humbin edhe dëshirën për të jetuar dhe për të festuar në vendin e tyre. Sipas tyre, tanimë ky shtet i kapur nga mafiopolitika nuk iu ofron as shpresën më të vogël për ardhmërinë e tyre. Analisti politik, Florim Zeqa vlerëson se vetë akti i mbajtjes së seancës solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës një ditë para ditës së shpalljes së pavarësisë dhe mosparakalimi i FSK-së më 17 shkurt, janë ogur i keq për të ardhmen e Kosovës. "Për ata që e festojnë ditëlindjen një ditë përpara, një fjalë e urtë italiane e thotë; "Porta sfiga", përkthyer në gjuhën shqipe i bie "Sjell fat të keq". Fati i keq fillon me zbehjen e kuptimit të festës së pavarë- sisë së Republikës së Kosovës në mesin e popullatës së vendit tonë", u shpreh ai

Degradimi politik

Zeqa thekson se fajtore kryesore e kësaj situate paradoksale është politika e papërgjegjshme ndaj qytetarëve dhe e pamëshirshme në gllabërimin e buxhetit të shtetit. "Klasa aktuale politike (pozitë-opozitë), aq tepër e degradoi vendin dhe të ardhmen e qytetarëve, saqë njerëzit, përveç shpresave, e kanë humbur edhe dëshirën për të jetuar në vendin, i cili më nuk iu ofron asnjë lloj perspektive zhvillimore, as shëndetësi efikase, as arsim cilësor dhe as edukatë të shëndoshë në shkollat dhe fakultetet tona", potencoi ai. "Pra, ishte ky përvjetori më i zbehtë i pavarësisë, ndryshe do të thosha ishte 9- vjetori i akullt i pavarësisë së Republikës së Kosovës, i cili ngriu edhe parakalimin tradicional të FSKsë apo ushtrisë në "Standby" të Kosovës. Rënia e entuziazmit të qytetarëve për pavarësinë, burimin e ka te pritjet e gjata të qytetarëve për një të nesërme më të mirë, e cila, edhe pas 9 vjetëve, mungon, madje nuk shihet ende drita e gjelbër në fundin e tunelit të errësirës qeverisëse, në të cilin e ka futur vendin klasa e korruptuar dhe e shantazhuar politike kosovare", tha analisti politik Florim Zeqa. Gjykim të tillë kritik ka edhe analisti Hidajet Ahmeti. "Qytetarët e Kosovës kanë besuar se me pavarësinë e Kosovës dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë do të dalin nga kthetrat e vuajtjeve, maltretimeve, dhunës sistematike shekullore dhe nuk kanë besuar se rreziku të vijë nga brenda dhe pikërisht njerëzit e tyre", u shpreh ai. 

Pushteti në shërbim të klaneve

Sipas Ahmetit, pushtetet autoritare për këto vite treguan dhëmbët e tyre, duke shantazhuar, duke kërcuar, duke linçuar e duke sabotuar ata të cilët menduan ndryshe. "Mjerimi socioekonomik, korrupsioni, krimi organizuar, nepotizmi, klientelizmi pësuan rritje. Si pasojë e mjerimit socioekonomik e lëshuan Kosovën mijëra qytetarë, mijëra qytetarë vullnetarisht i dorëzuan shtetësinë Kosovës, Mitrovica e veriut u enklavizua përmes rrugës së shtruar nga klasa politike udhëheqëse, rrjedhimisht Serbia u fuqizua edhe më shumë brenda Republikës së Kosovës dhe kështu degradimi institucional, politik, ekonomik e social vazhdoi në kontinuitet, duke humbur shpresën qytetare dhe rrjedhimisht duke rënë entuziazmi për këtë ditë historike", vijoi më tutje ai. "Entuziazmi që ishte në vitin 2008 me shpalljen e pavarë- sisë së Kosovës çdo ditë e më shumë e humbi kuptimin, pikërisht nga klasa udhëheqëse e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme. Një pjesë ë komandantëve keqpërdorën idealet dhe luftën e drejtë të UÇK-së për t'u pasuruar dhe për t'u nëpërkëmbur institucionet e Republikës, duke u korruptuar dhe duke u pasuar përmes rrugëve anti-ligjore", tha analisti politik Hidajet Ahmeti. Sipas tij, tani edhe pas 9 vjetëve shtet, Republika e Kosovës nuk ishte në funksion të mirëqenies qytetare dhe konsolidimin e shtetit, duke përdoruar çdo mekanizëm të shtetit për interesa personale, klienteliste, nepotiste dhe politike. "Republike e Kosovës për këto 9 vjet shtet nuk e futi në funksion as dorën e majtë, mirëqenie, shëndetësi, ekonomi, por as dorën e djathë prokurori, ushtri, gjyqësi e polici. Dora e djathtë u shfrytëzua vetëm për favore të klasës politike udhëheqëse, korrupsion, nepotizëm, vjedhje përmes rrugëve anti-ligjore, biznese fiktive për t'u pasuar përmes tenderëve korruptiv, kurse dora e djathtë u shfrytëzua për t'ju shërbyer atyre në keqpërdorimet, krimin, korrupsionin dhe degradimin institucional", tha analisti Ahmeti për "Kosova Sot". Ai konsideron se tani qytetarëve të Kosovës u mbetet rruga e zgjimit qytetar përmes rrugëve demokratike rrjedhimisht në ngritjen e vetëdijes kolektive qytetare për ndëshkim dhe rrjedhimisht ndryshime radikale demokratike.

Elita e dështuar

Për këtë zhgënjim ekstrem të qytetarit të Kosovës dhe humbjes së disponimit e dëshirës për të festuar, përgjegjës e bën politikën e tanishme të korruptuar edhe analisti politik Ali Hertica. "Pikërisht për shkak të dështimit të një pjese kryesore të elitës politike të Kosovës në procesin e ndërtimit, forcimit dhe zbatimit të një programi të mirëfilltë të zhvillimit të shtetit, është zbehur skajshmërisht kuptimin i gati të gjitha festave, si atyre shtetërore edhe atyre kombëtare, që janë festuar tradicionalisht në hapësirat e Kosovës, edhe në ditët më të vështira, edhe atëherë kur e kishim të ndaluar", tha Ali Hertica. Edhe politologu Arsim Haziri pohon se politika e korruptuar dhe e shantazhuar ka ndikuar edhe në zbehjen e rëndësisë së festave. "Fakti se Kosova është vend i paperspektivë dhe me shumëllojshmëri defektesh, është edhe pasqyrimi i nivelit të zhvillimit të përgjithshëm. Sot çdo i ri Kosovën e paraqet vend të korrupsionit dhe të mosfunksionimit, dhe duke qenë nën këtë perceptim vështirë është të shtohet besimi për konsolidimin e vendit. Kosova është peng e kësaj klase politike, e kësaj klase, e cila mban ofertën themelore për degradimin e vendit. Kjo qeverisje përgjithësisht është kundër interesit nacional, këtë po e vërteton edhe mosstabiliteti ekonomik, politik dhe juridik. Kjo elitë politike, përderisa qëndron nën këtë logjikë, vështirë e ka të prodhojë dozë të madhe të stabilitetit, dhe duke qëndruar nën këtë mendësi kanë shndërruar vendin në vend të paperspektivë dhe i pamundshëm për të prodhuar zhvillim e prosperitet", tha Haziri për "Kosova Sot". "Kjo politike është fajtori ekskluziv për humbjen e kapacitetit shtetëror, kapacitet që edhe sot po ndikon edhe në mosmbrojtjen e sovranitetit të saj. Pa elitë të pastër s'mund të ketë zhvillim dhe prosperitet, dhe pa nivel të gjerë të prosperitetit s'mund të kesh stabilitet të përgjithshëm", ka potencuar Haziri.

(Kosova  Sot)