Të paaftët komandojnë drejtësinë, "Vetting"-u i domosdoshëm

  • 19 February 2017 - 07:42
 Të paaftët komandojnë drejtësinë,

Krerët e sistemit kosovar i druhen aplikimit të reformës si në Shqipëri

Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë thonë se vetëm përmes një ligji të tillë si ai i 'Vetting-ut' në Shqipëri do të pastrohej sistemi i drejtësisë, derisa, sipas tyre, tanimë thuajse është koha e fundit që të realizohet një ligj i tillë kaq i nevojshëm dhe i domosdoshëm për shërimin e drejtësisë. Derisa në Shqipëri disa nga prokurorët e gjyqtarët përpiqen ta justifikojnë pasurinë e tyre madje milionëshe, duke thënë se e kanë fituar duke luajtur "kumar", në anën tjetër është ngritur dilema se tek ne si do të mund ta justifikonin pasurinë e tyre një pjesë e gjyqtarëve e prokurorëve. Ndaj është shtruar edhe çështja se sa prej tyre mbase do duhej të përshëndeteshin me sistemin e drejtë- sisë, pas këtij procesi eventual të 'Vettingut'?. Profesori universitar Nexhmedin Spahiu, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se nuk e di konkretisht se sa gjykatës e prokuror meritojnë të largohen nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, por, siç tha, një gjë e di se ka shumë gjykatës dhe prokurorë për të cilët fjala joprofesionist është shumë e vogël. " Por, si do të mund të pastrohej një sistem i drejtësisë është me të vërtetë shumë problematike për shkakun se të gjithë ata që janë aty e kanë marrë diplomën, dhe ato ua ka dhënë dikush, derisa fajtor për këtë gjendje janë ata që ua kanë dhënë diplomat, prandaj edhe nuk e di dhe nuk po shoh mënyrën se si kishte mundur të pastrohej sistemi i drejtësisë prej këtyre të paaftëve, joprofesionistëve, pra analfabetëve", u shpreh ai.

Pastrimi nga të paaftit i vështirë

Sipas Spahiut, ndoshta është më lehtë të pastrohet prej atyre të korruptuarve, sepse mund të krijohen mekanizma, të cilët i përcjellin rastet, pasurinë, pastaj mund të zihen në vepra dhe pastaj edhe të dënohen siç ka edhe ndodh në disa raste të vogla. "Por, unë e shoh shumë më problematike prapë po them pastrimin nga të paaftët dhe ky është telash shumë më i madh, ndërsa ajo që është akoma më shqetësuese, gjyqtarët edhe prokurorët e tillë të paaftë kanë arritur deri në nivelet më të larta që paaftësinë e tyre mund ta vërejnë edhe ata të cilët nuk janë juristë, sepse vetë realiteti në terren e tregon dhe e dëshmon një gjë të tillë ", ka vijuar ai. Por, tutje Spahiu ka nënvizuar se ajo çka është më e keqja, është se në këtë drejtim ne trashëgojmë një kulturë që e ka edhe Shqipëria. " Të dëgjosh se një gjykatës ose prokuror atje kinse ka fituar para duke luajtur 'kumar' ky arsyetim është shumë i ulët, banal e i tmerrshëm, pasi ai duke u përpjekur që ta fshehë një krim tregon që ka bërë një krim akoma më të madh, më të shëmtuar, pasi gjykatësit dhe prokurorët duhet të jenë njerëzit më të moralshëm në shoqëri, derisa në këtë rast si mund të flitet për moralin e një njeriu që luan 'kumar', ndërsa në shumë vende të botës 'kumari' është i ndaluar me ligj. Por, megjithatë, te ne më shumë problem e shoh paaftësinë sesa korrupsionin në gjykata, ngase kur gjykatësit e prokurorët nuk dinë t'i lexojnë dhe as interpretojnë ligjet kjo është shumë më e tmerrshme sesa devijimet e tjera që janë prezente në gjykata e prokurori", është shprehur profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.

Reforma nuk shihet në horizont

Analisti tjetër, Shefqet Dibrani mendon se një reformë e detyrueshme në drejtësi, siç është ligji i "Vetting"-ut do të ishte më së e nevojshme në Kosovë, ngase, sipas tij, infrastruktura ligjore në shumë segmente ekziston, por nuk ka një mekanizëm detyrues në këtë drejtim. Kësisoj, Dibrani shprehet se një ndërhyrje e tillë obliguese do të duhej të krijohej mbi sistemin e drejtësisë, por kjo, siç tha, jo e menaxhuar nga prokurorët vendorë, pasi ekziston frika se ata do t'ia gjejnë vegëzën edhe 'VETTING'-ut, për ta pasivizuar apo mbase edhe për ta korruptuar ashtu siç ka ndodhur në shumë segmente të drejtësisë. " Pra, një reformë në gjyqësorin e Kosovës është jo vetëm nevojë, por domosdoshmëri imediate, për ta parandaluar edhe më tej shkatërrimin e Kosovës në shumë fusha, por për dallim nga Shqipëria tek ne nuk ka ndonjë sinjal apo shenjë të besueshme se do të fillojë një reformë e përmasave të tilla në drejtësi, ngase kërkohet akoma një vetëdijesim i shtresës politike që tashmë është zhytur në përgjegjësi penale, po ashtu në anën tjetër shoqëria jonë, shtresa vitale e shoqërisë, pra rinia, do të duhej të ishte më aktive për të bërë trysni tek oligarkët politikë", u shpreh ai. "Konsideroj se pa një drejtësi, e cila është krejtësisht e shkëputur nga e kaluara përplot huqe dhe e tashmja përplot ndikime e hipokrizi, vështirë se do të dalim nga kriza e thellë në drejtësi në të cilën përgjegjësinë kryesore e bartin klanet e ndryshme të interesit dhe oligarkët politikë", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot"analisti Shefqet Dibrani. 

Mafio-politika ushtron ndikim të fortë

Analisti tjetër, Naim Kelmendi thotë se ligji për 'Vetting'-un do të krijonte mundësi shumë të mira për funksionimin sa më të mirë të sistemit të drejtësisë, ngase përmes këtij ligji do të ndodhte spastrimi i të gjithë atyre me dosje eventuale të kundërligjshme, por veç kësaj të gjithë bartësit e funksioneve në drejtësi do të ishin nën mbikëqyrje të plotë, përfshirë gjykatësit e prokurorët, të cilët ndajnë drejtësinë e që një pjesë e tyre dyshohet se janë në shërbim të pushtetarëve të kësaj kaste politike. Andaj, sipas tij, tani është koha e fundit që të realizohet një ligj i tillë kaq i nevojshëm dhe domosdoshëm për shërimin e drejtësisë. "Por, në këtë drejtim s'do mend se gjyqtarët dhe prokurorët do t'i druheshin këtij procesi të verifikimit shumë të hollësishëm mbi prejardhjen e pasurisë së tyre, dhe veprave të tjera të dyshimta e inkriminuese, ngase një pjesë e tyre dyshohet se tërë atë pasuri e kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme", ka shtuar ai. Tutje, Kelmendi ka nënvizuar se si kudo tjetër, edhe në institucionet e drejtësisë janë të instaluar njerëzit e mafiopolitikës, derisa për rrjedhojë, siç tha, " vjen deri te mosgjykimi dhe amnistomi i shumë të inkriminuarve në shumë vepra penale sikur janë ato të keqpërdorimit të pozitave zyrtare- politike, që mbajnë barrën e përgjegjësisë përgjatë kohës së ushtrimit të asaj detyre, pastaj për shumë vepra të tjera kriminale, të korrupsionit e të tjera. Kështu që këta të inkriminuar nuk do të gjykohen e dënohen, pasi të njëjtët i mbrojnë njerëzit e vet të instaluar në institucionet e drejtësisë, e që janë të dëgjuarit e këtyre njerëzve, pra të mafio-politikës".

Mungoi vullneti politik

Avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se ajo që po ndodh në Shqipëri është një reformim i sistemit të tërësishëm juridik me ligjin e 'Vettingut' derisa, sipas tij, ligji i iniciuar dhe i aprovuar në fjalë atje do duhej që të kopjohej në tërësi dhe të aplikohej me përpikëri edhe në sistemin juridik të Kosovës, ngase vetëm kësisoj Gashi thotë se mund të pastrohet gjyqësori nga ata të cilët eventualisht nuk e kanë vendin aty. " Por, përderisa nuk do të kemi ndryshime politike, nuk besoj se mund të presim as ndryshime eventuale pozitive në sistemin juridik të Kosovës", ka deklaruar avokati Tomë Gashi për gazetën "Kosova Sot". Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu ka veçuar se, fatkeqësisht, edhe pas kaq shumë vjetësh të lirisë e shtetësisë dhe të pavarësisë, shoqëria kosovare nuk ka qenë e gatshme që të bëjë reforma të mirë- fillta në drejtësi dhe as në gjyqësi, derisa, sipas tij, kjo është më se e domosdoshme dhe imperativ kohor që të instalohen reforma të tilla të mirëfillta në drejtësi e në gjyqësi. " E, në këtë aspekt shembulli më i mirë është Shqipëria me ligjin për 'Vetting- 'un atje, dhe që diçka e tillë reformuese do të duhej të kuptohet edhe nga institucionet tona në mënyrë që në të ardhmen të zbatohej njësoj edhe në Kosovë", ka shtuar ai. Por, Baraliu thotë se vetëm "Vettingu" do të ishte i pamjaftueshëm, ngase, siç tha, nuk mjafton që të ketë hapa reformues vetëm në drejtësi e gjyqësi, pasi kjo do duhej të ndodhte në të gjitha hallkat e tjera institucionale dhe shoqërore e deri tek vetëdija e qytetarit. 

(Kosova Sot)