Senatorët republikanë kritikojnë politikën e jashtme të Presidentit Trump

  • 19 February 2017 - 22:34
Senatorët republikanë kritikojnë politikën e jashtme të Presidentit Trump

Dy senatorë republikanë me peshë vunë në pikëpyetje të dielën aftësinë e Presidentit Donald Trump, sidomos pas problemeve në Shtëpinë e Bardhë lidhur me sigurinë kombëtare dhe hezitimin e tij për të shprehur kundërshtimin ndaj ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Senatori John McCain i Arizonës, tha në një intervistë për televizionin NBC se është I shqetësuar për mënyrën se si i kupton zoti Trump disa çështje të politikës së jashtme dhe “formulimet kundërthënëse”.

“Mendoj se mënyra se si u zbatua reforma e imigracionit ishte shembull i një nevoje për një process të rregullt vendimmarrës në Shtëpinë e Bardhë. Dhe mendoj se kjo po u shkakton probleme më shumë se çdo gjë tjetër në këtë moment”.

Ai tha se zoti Trump, ka krijuar konfuzion tek aleatët evropianë me retorikën e tij dhe lidhur me angazhimin ndaj NATO-s, megjithëse nënpresidenti Mike Pence than në konferencën për sigurinë në Mynih se Shtetet e Bashkuara do ta “vinin para përgjegjësisë Rusinë” dhe se mbështetja për NATO-n ishte e palëkundur.

Senatori McCain ka bërë thirrje për një hetim të gjerë nga Kongresi lidhur me përfundimin e komunitetit amerikan të zbulimit që është hedhur poshtë nga Moska, se Rusia kishte depërtuar në komjuterin e shefit të fushatës së ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, ndaj së cilës zoti Trump fitoi në nëntor.

Presidenti Trump ka thënë vazhdimisht se do që t’i përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë, duke pranuar me vështirësi se Rusia kishte bërë sulme kibernetike.

Por Senatori Lindsey Graham i Karolinës së Jugut, duke folur në konferencën e Mynihut tha se udhëheqësi i ri amerikan duhet të punojë me ligjvënësit për të ndëshkuar Moskën.

"Shqetësimi im më i madh me Presidentin Trump, është se nuk ka parë kurrë drejt e në kamera dhe të thotë se megjithëse ishte Partia Demokrate që vuajti pasojat e ndërhyrjes ruse, unë jam tani udhëheqësi i botës së lire dhe mund t’ju garantoj që ata do të paguajnë çmimin për përpjekjet për ndërhyrje në zgjedhjet tona”.

(Kosova Sot)