Borxhi i Serbisë ndaj Kosovës për dëmet e luftës, 50 miliardë

  • 20 February 2017 - 07:29
Borxhi i Serbisë ndaj Kosovës për dëmet e luftës, 50 miliardë

POLITIKA NËNSHTRUESE DËSHTOI TA PADISË BEOGRADIN PËR DËME TË LUFTËS DHE GJENOCID KUNDËR SHQIPTARËVE!

Ahmeti: Përgjegjësi kryesor për anashkalim të padisë është ish-kryeministri i dy mandateve pas pavarësisë

"Dihet se padi mund të paraqesë vetëm shteti që është anëtar i OKBsë. Në këtë anë ne e kemi shtetin shqiptar, Shqipërinë. Po pse nuk kemi padi? Përgjigjja është te nënshtrimi i plotë i politikës së Prishtinës ndaj asaj të kriminelëve të Beogradit. Ka kohë që është kërkuar reciprocitet i plotë në procesin e bisedimeve dhe kjo nuk po bëhet", është shprehur profesori Muhamet Kelmendi

Institucionet kosovare qëllimisht kanë dështuar dhe e kanë neglizhuar çështjen, duke mos guxuar ta padisin Serbinë për gjenocid dhe të kërkojnë kompensimin e dëmeve të luftës, të kryera nga shteti serb në vendin tonë. Derisa kjo zvarritje jo rrallëherë është arsyetuar me faktin joreal, sipas të cilit Kosova nuk e ka të drejtën, meqë nuk është akoma anëtare e OKBsë, sipas njohësve të së drejtës kjo gjë ka mundur të bëhet në bashkëpunim me Shqipërinë. Dhe, në këtë rast, nëse Kosova do të padiste Serbinë për dëme të luftës dhe gjenocid, ajo do të ishte në pozitë edhe shumë më të favorshme në bisedimet me Serbinë në Bruksel. Çfarë dhe nga kush u penguan këto institucione nga 2008-a që të bëjnë padi kundër Serbisë dhe fundja të insistojnë që këto tema të hapen edhe në bisedimet me Beogradin në Bruksel, dhe pse edhe pas 9 vjetësh të pavarësisë shteti i Kosovës nuk i kërkon Serbisë llogari për të kompozuar dëmet e luftës mbetet një çështje enigmë që shkon deri te tradhtia kombëtare e establishmentit kosovar për 9 vjet rresht. Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se ka kohë që këtë çështje dhe këtë të drejtë që e ka shteti i Kosovës e kanë kërkuar dhe aktualizuar ekspertë me kompetencë të kësaj fushe, por drejtuesit e institucioneve të shtetit, politika që ka uzurpuar shtetin, nuk i kanë përfillë këta zëra 'protestues". Ai thotë se me vite ka kërkuar që të shqyrtohen dëmet dhe të paraqitet padia. "Në kuadër të dëmeve dua t'i përmend dy lloje të dëmit që Kosovës dhe popullit shqiptar u janë bërë deri në vitin 1999. Është dëmi material në të cilin hyn çdo dëm që i është bërë popullit në fushën materiale dhe financiare. Në atë materiale janë: shtëpitë, shkollat, çerdhet, ambulancat, objektet e kultit fetar, ekonomitë aktive , shkatërrimi i rrugëve ..., çdo lloj dëmi i natyrës së sendit të luajtshëm a të paluajtshëm. Po këtu hyjnë edhe plaçkitjet e sendeve shtëpiake, mjetet bujqësore, si traktorët dhe makineritë e tjera nëpër fabrika e uzina private, shoqërore e publike. Këtu nuk përjashtohen madje as plaçkitjet e financave në rrugë, nëpër xhepa dhe deri në bankat e atij shteti okupues. Në grupin e dytë bën pjesë dëmi moral, ku hyjnë dhunimet dhe persekutimet, vuajtjet shpirtërore dhe frika; vrasjet dhe format e tjera të dëmit që vijnë nga dhuna fashiste. Të dhënat flasin, sipas një para llogaritjeje, se dëmi material sillet në minimumin prej 35 miliardë euro. Ndërsa dëmi moral, po ashtu, sipas kësaj parallogaritjeje, shkon mbi 50 miliardë euro", theksoi profesor Kelmendi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Logjika e nënshtrimit deri në servilizëm të viteve të 80-ta

Kelmendi thotë se është një fakt që për padi efektive kërkohet që një shtet të jetë anëtar i OKB-së, por në këtë rast Kosova e ka pasur dhe e ka akoma avokatin më të mirë mbështetës që mund ta kompensojë mosqenien e Kosovës si shtet me ulëse në OKB, për ta bërë padinë kundër Serbisë, por e keqja është që shteti i Kosovës nuk po angazhon as komision adekuat me ekspertë për të fiksuar në detaje dhe përgatitur të plotë faturën e dëmeve të luftës për të përgatitur paraqitjen e padisë. "Dihet se padi mund të paraqesë vetëm shteti që është anëtar i OKB-së. Në këtë anë ne e kemi shtetin shqiptar, Shqipërinë. Po pse nuk kemi padi? Përgjigjja është te nënshtrimi i plotë i politikës së Prishtinës ndaj asaj të kriminelëve të Beogradit. Ka kohë që është kërkuar reciprocitet i plotë në procesin e bisedimeve dhe kjo nuk po bëhet. Kjo nuk po bëhet sepse Serbia po kërcënon me masa këdo që e padit atë shtet për gjenocide dhe për kompensim të dëmit. Këtë po e bën ndaj Kosovës, sikurse e bëri edhe krimineli Daçiq ndaj Bosnjës e Hercegovinës. Këto kërcënime duket se e kanë frikë- suar edhe BE-në që të kërkojë nga Prishtina përgatitjen e padisë për gjenocid", ka theksuar Kelmendi. Ai shton se madje edhe BE-ja si duket e ka këshilluar Prishtinën që mos të bëhet padia. Pavarësisht asaj që Prishtina mund të ketë pasur kërkesa për ta heshtur këtë temë, analisti Hidajet Ahmeti thotë se një kërkesë e tillë a presion nuk është dashur të pranohet. Sipas Ahmetit, përgjegjësi kryesor në këtë anashkalim të padisë është ish-kryeministri i dy mandateve pas pavarësisë së shpallur, Hashim Thaçi."Institucionet e Republikës së Kosovës e në veçanti krerët e institucioneve kyçe, të cilët janë të thirrur për këtë çështje, kanë heshtur në kontinuitet. Ka pasur deklarata boshe e të pamatura për të manipuluar e propaganduar opinionin publik, por praktikisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur në këto 9 vite shtet. Pa marrë parasysh pengesat që janë paraqitur, nëse do të kishin vullnetin institucionet e Republikës së Kosovës do të bënin padi për krime lufte ndaj Serbisë, por një vullnet i tillë institucional ka munguar deri më tash", është shprehur Ahmeti. Sipas tij, krerët institucionalë, e në veçanti ekipi negociator ishte dashur që në tryezën e bisedimeve të diskutojë për krimet e luftës, dëmet materiale, masakrimet, përdhunimet e jo kjo çështje të harrohet."Por, duke ditur se pala kosovare ka vepruar me logjikën nënshtruese ndaj Serbisë, kemi ardhur në një gjendje ku të diskutohet për çështje të brendshme dhe të kontestohet statusi i pavarësisë së Kosovës. Logjika e nënshtrimit deri në servilizëm ka ngjallur apetitet e shtetit serb për bosnjëzimin e Kosovës, gjithherë përmes klasës udhëheqëse të korruptuar dhe të shantazhuar. Derisa Hashim Thaçi bën përpjekje me anë të metodave manipulative të bëjë mekanizma për falje dhe pajtim ndëretnik, me qëllimin për t'u treguar para ndërkombë- tarëve si një burrështetas, rrjedhimisht qytetarët e Kosovës anashkalohen dhe fyhen po nga ky njeri me veprime të pamatura dhe të pamenduara mirë. Presidenti Thaçi para pak muajsh kishte thirrur një konferencë për medie për të vazhduar rrugën e manipulimit me opinionin publik, duke u thirrur në qëndrimin e tij të luhatshëm se do të bënte padi ndaj shtetit serb dhe të njëjtën kohë duke iu drejtuar me shkresë zyrtare Prokurorisë së Shtetit për hetim të vrasjeve politike të pasluftës, por ky veprim dinak i tij ishte i qëllimshëm, por i pasinqertë, i paanalizaur, i pamatur dhe manipulativ", theksoi analisti Hidajet Ahmeti. Ai thotë së tani është koha që institucionet e Republikës së Kosovës, partitë politike (pozitë-opozitë), shoqëria civile dhe gjithë mekanizmat shtetërorë duhet të bëhen bashkë kur vjen në pyetje interesi kombëtar, nacional e shtetëror.

Heshtja nën presionin ndërkombëtar

Analisti Albrim Badallaj thotë se nuk është e vërtetë që Kosova nuk mund të ngre padi, ashtu siç kanë pandehur disa liderë të Serbisë, meqë në Gjykatën Ndërkombëtare është një nen, i cili lejon që edhe shtetet që nuk janë në OKB të kenë të mundësi ta ushtrojnë këtë të drejtë. Nga ana tjetër, ai thotë se edhe po që se Kosova do të penalizohej për një kriter të tillë, atëherë ne e kemi shtetin e Shqipërisë, e cila ka mundur të bëjë një gjë të tillë, marrë parasysh se gjenocidet dhe dëmet janë kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës. Edhe Badallaj dyshon që heshtja po bëhet nën presionin ndërkombëtar."Unë besoj që neglizhenca e liderëve vendorë politikë, por edhe mund të ketë ndikuar edhe bashkësia ndërkombëtare që Kosova në një pikë të tillë ku jemi në bisedime me Serbinë, të mos e merr një hap të tillë, për vetë natyrën e bisedimeve që janë për normalizim të marrëdhënieve. Besoj që nga bashkësia ndërkombëtare është vlerë- suar kësisoj, meqë një veprim i tillë i palës kosovare, duke e paditur Serbinë, apo edhe duke i kushtëzuar bisedimet me këtë kartë, nuk do të ndikonte në normalizimin e marrëdhënieve, marrë parasysh se Serbia në çdo mekanizëm ka luftuar që Kosovës t'i paraqesë barriera. Për mendimin tim, liderët vendorë, sidomos ata që kanë marrë pjesë në bisedime me Serbinë, nuk kanë guxim t'i kushtëzojnë bisedimet marrë parasysh se kanë shumë dosje të hapura apo edhe supozime për shkelje të ligjit, e kësisoj pala ndërkombëtare ka me çka t'i "shantazhojë" të tillët. Disa prej tyre, pa dashur t'i paragjykoj, ka gjasë që për prestigj apo edhe premtim të pushtetit dhe pozitave nuk kanë ndërmarrë një hap të tillë në bisedimet me Serbinë", ka theksuar Badallaj. Ai shton se Kosova me apo pa dashje, për shkak të injorancës apo për shkak të mosqasjes së drejtë, shpeshherë e ka spostuar kartën e viktimës tek serbët, duke e ditur se e vërteta është ndryshe. "Janë të vetmet krimet e luftës, të cilat nuk amnistohen dhe nuk harrohen, qoftë edhe të kalojnë dekada dhe në këtë drejtim ka shpresë që edhe Serbia një ditë të japë llogari për gjenocidin në Kosovë dhe dëmet materiale dhe morale", theksoi Albrim Badallaj. Edhe analisti politik Ali Hertica konsideron se një padi e ushtruar në emër të Kosovës nga shteti shqiptar gjithsesi do ta kishte forcuar shumë pozitën e Kosovës në bisedimet e Brukselit. 
 

(Kosova Sot)