Manovrat e Thaçit që në krye të Doganës të sjellë njeriun e Devollëve

  • 20 February 2017 - 07:49
Manovrat e Thaçit që në krye të Doganës të sjellë njeriun e Devollëve

Demhasaj: Presidenti në asnjë mënyrë nuk ka pasur të drejtë që të përzihet në punët e Qeverisë

Kohë më parë, Qeveria e Kosovës ka zgjedhur drejtor të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Bahri Berishën. Emërimi i tij është bërë me asistencën e Agjencisë Britanike. Përmes një komunikate për mediet, zyrtarët e Ministrisë së Financave të Kosovës e kishin sqaruar ecurinë e zgjedhjes së drejtorit me anë të konkursit të shpallur më 15 nëntor të vitit që shkoi. " Më datën 06.12.2016 ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka emëruar Komisionin për shqyrtimin e aplikacioneve dhe përzgjedhjen e kandidatëve të mundshëm për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës. Janë pranuar 22 aplikacione bazuar në procesin e datës 02.12.2016, nga të cilët 12 janë ftuar në intervistë me gojë", thuhet në njoftimin e MF-së. Në të gjitha fazat e konkursit, Komisioni ka punuar së bashku me partnerin implementues të caktuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, siç parashihet në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar më 15 gusht të vitit 2016 nga kryeministri i Kosovës, kryetari i Kuvendit dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Por, si duket, zgjedhja e Bahri Berishës në këtë post e ka zemëruar tej mase kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ai nuk ka mundur ta vendosë në krye të Doganës njeriun e tij. Përmes manovrave të tij, Thaçi po përpiqet për ta dërguar në krye të Doganës Lulzim Rafunën, njeriun e oligarkëve Blerim dhe Shkelqim Devolli, aq më tepër kur dihet se këta të fundit janë shumë të afërt me presidentin aktual, Hashim Thaçi. Së këndejmi, analistët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile shprehen se presidenti Hashim Thaçi po mundohet që me çdo kusht ta rrëzojë drejtorin e posazgjedhur të Doganës së Kosovës, në mënyrë që aty ta ketë njeriun e tij dhe të preferuarin e Devollëve në krye të Doganës. Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi pakënaqësinë dhe synimet e tij i bëri publike nëpërmes një letre që ai i ka dërguar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, në të cilën thotë se caktimi i kompanisë britanike për të zgjedhur persona të caktuar në pozita të larta është e jashtëligjshme. Thaçi para pak ditësh ka emëruar për shef të AKI-së, Driton Gashin, njeriun e tij, me qëllim që përmes tij të jetë më pranë informatave rreth Gjykatës Speciale, themelimi i së cilës duket se e ka frikuar tej mase presidentin, shkruan gazeta Kosova Sot.

Shoqëria civile: Ndërhyrje flagrante e presidentit Hashim Thaçi

Lidhur me reagimin e presidentit të vendit për emërimin e drejtorit të ri të Doganës kanë reaguar përfaqësuesit e shoqërisë civile. Arton Demhasaj (Çohu), u shpreh se presidenti i vendit Hashim Thaçi, në asnjë mënyrë nuk ka pasur të drejtë që të përzihet në punët e Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë. "Fundja, ai nuk është bartës i pushteteve legjislativ dhe ekzekutiv dhe i njëjti nuk mundet që ta luajë as rolin e Gjykatës Kushtetuese nëse në këtë rast është shkelur ndonjë ligj apo jo", është shprehur ai. Sipas Demhasajt, në këtë rast, nëse konstatohet se është shkelur ligji nga ana e kryetarit të Kuvendit, atëherë është Kuvendi i Kosovës ai organ që mundet dhe duhet të ndërmarrë veprime që të tregojë se a ka pasur shkelje të ligjit në një mënyrë e jo që këtë ta bëjë presidenti Hashim Thaçi. Ai thotë se ky është një rast tipik i përzierjes së presidentit në punët e Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq, i pyetur se a po e bën këtë Hashim Thaçi për qëllime të tij personale në mënyrë që ta ketë njeriun e vet në krye të Doganës, Demhasaj theksoi se mund të jetë edhe kjo çështje. "Në të gjitha rastet ku pushtetarët tanë e kanë pasur një mundësi dhe një ndikim, ata janë munduar që t'i fusin njerëzit partiakë në këto poste, prandaj kjo vlen edhe në këtë rast", është shprehur ai. Demhasaj tutje ka shtuar: "Qëllimi i Hashim Thaçit në këtë rast është që të ketë vëmendje politike, sepse fundja që të dytë, edhe Kadri Veseli, edhe Hashim Thaçi vijnë nga e njëjta parti". Sipas Demhasajt, ndërhyrja e tij te zgjedhja e drejtorit të ri të Doganës së Kosovës ka qenë që të tërheqë vëmendjen politike dhe publike me qëllimin që të tregojë se ai është i pavarur dhe nuk mund të lejojë që të ketë shkelje të ligjeve. Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci u shpreh se Thaçi vetë po e shkel ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe duhet të ndryshojë qëndrimin e tij aktual sa i përket zgjedhjes së drejtorit të ri të Doganës së Kosovës. " Kjo punë ekskluzivisht i takon Ministrisë së Financave në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe këta janë përgjegjës për zgjedhjen e kompanisë dhe drejtorit në Doganë. Sa i përket drejtorit, ai vetëm është zgjedhur dhe nuk mund ta mohojmë këtë, dhe sipas mendimit tim duhet të pritet derisa t'i kalojë kontrata që e ka". Grapci theksoi se dihet që në çdo shtet ka njerëz që luftojnë për interesat e tyre personale, por thekson se Thaçi duhet të mos bjerë pre e biznesmenëve, të cilët e kanë synim shkatërrimin e tregut kosovar, me disa produkte jokualitative që i sjellin legalisht dhe ilegalisht nga Serbia në Kosovë.

Neziraj: Luftë e madhe e pushtetarëve për dikasteret me rëndësi

Analisti i ekonomisë, ish-deputeti Xhevdet Neziraj theksoi rasti i Thaçit me Doganën tregon se kur bëhet fjalë për punësim dhe pozicionimin e njerëzve në dikasteret kryesore bëhet luftë e madhe në mes të partive në pushtet që t'i vendosin njerëzit e vet për qëllimet e veta të caktuara. " Nuk është diçka e re që po ndodh në Kosovë, kjo është duke ndodhur që nga fillimi, ku njerëzit profesionistë të pavarur, të cilët mund të kontribuojnë për demokratizimin e vendit dhe zhvillim ekonomik nuk po vijnë në shprehje. Vetëm ti shikosh institucionet publike, të punësuar janë vetëm militantët të dy partive më të mëdha të vendit", ka theksuar ai. Neziraj thotë se ndërmarrjet publike, si KEK-u, PTK-ja, në institucionet si Dogana, administrata tatimore dhe në disa institucione të tjera të ashtuquajtura të pavarura dhe bordet vitale kryesisht janë njerëzit e subjekteve të mëdha politike, gjë që e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës. "Për këtë gjë, bashkësia ndërkombëtare ka dhënë vërejtje dhe për këtë arsye u vendos që të gjendet një modus sikurse që është tani që nëpërmes Ambasadës Britanike të përzgjidhen njerëzit profesionistë në disa institucione vitale, me qëllim të ndaljes të klientelizmit partiak dhe nepotizmit", ka theksuar Neziraj. Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (Konsumatori) theksoi se ndërhyrja e presidentit të shtetit, mënyra e ndërhyrjes sikur t'i jepte detyrë klase a detyrë shtëpie kryeparlamentarit, logjika se si do të veprohej më tutje- me ndërhyrje e me diktate pa e bërë paraprakisht një konsultim profesional juridiko-ligjor e kushtetues, pa debat të gjerë, pa e studiuar mirë rastin, është mjaft indikative - dhe si e tillë e papranueshme."Për Agjencinë Britanike dhe për metodën profesionale e neutrale të përzgjedhjes së kandidatit për drejtor Dogane, edhe presidenti Thaçi, edhe kryeparlamentari Veseli, edhe kryeministri Mustafa, edhe ministri i MF-së Hoti, edhe mediumet e informimit publik, qenë deklaruar pozitivisht dhe me komplimente", theksoi Kaçaniku. Ai mendon se edhe paralajmërimi, në këtë pako, i fuzionimit të Doganës me ATK-në ishte komplimentuar nga shumica. "Sipas burimeve të informacionit, kandidati i zgjedhur e ka edhe përkrahjen e sindikatës, e cila drejtorin e ri e njeh për nga performancat e dalluara etikoprofesionale, gjë që i shkon në favor përzgjedhjes që e bëri Agjencia e Britanisë së Madhe, e angazhuar enkas për këtë detyrë, por edhe për neutralitet dhe angazhim kundër politizimit të politikës së kuadrove në administratën e shtetit", është shprehur Kaçaniku. Ai thotë se lëkundja e këtij mendimi mund të ndikojë edhe në besimin edhe të organizmave të tjerë të miqve ndërkombëtarë në Kosovë. "As kësaj radhe, askush nuk e ka pyetur për mendim qytetarin konsumator - përveç gazetës suaj, të cilit, edhe nëpërmes bizneseve, i dedikohet i gjithë kujdesi e mbrojtja, e gjithë puna e angazhimi i Doganës së Kosovës", është shprehur Kaçaniku.

(Kosova Sot)