Dështimi me Doganën ua pakëson milionat Thaçit&CO

  • 22 February 2017 - 07:52
Dështimi me Doganën ua pakëson milionat Thaçit&CO

Emërimi i drejtorit nga LDK-ja ka zemëruar edhe presidentin,shkruangazeta Kosova Sot.

Situata e krijuar pas reagimit të presidentit Hashim Thaçit kundër emërimit të drejtorit të ri të Doganës së Kosovës, kandidatit të përzgjedhur me konsulencë të një agjencie të pavarur profesionale britanike, nga ekspertët e sundimit të ligjit, por edhe nga përfaqësues të koalicionit po shihet si një kthim mbrapa dhe mosmbajtje e fjalës nga ana e PDK-së. Kjo parti duket se i ka rënë pishman marrëveshjes me britaniket për emërimet në poste të larta publike, pasi në rastin e Doganës dështoi kandidati i Hashim Thaçit, e kështu mund të dështojnë edhe kandidatët e tjerë. Kjo situatë ka marrë këso zhvillimesh, pasi, sipas njohësve të këtyre rrethanave, Hashim Thaçi dhe PDK-ja nuk janë mësuar të mos kenë nën kontroll agjenci si Dogana, ku hyjnë qindra-milionat. Ndërkohë zyrtarët e LDK-së theksojnë se partia e tyre po e vuan presionin e Hashim Thaçit që të emëroje njerëzit e PDK-së në pikat kyçe të vendimmarrjes. "Thaçi dhe strukturat e tij kriminale, së bashku me SHIK-un dhe shefin e tij Kadri Veselin, janë tejet të shqetësuara me faktin se Dogana e Kosovës mund t'u dalë prej dore dhe nuk do të mund ta zhvatin pamëshirshëm buxhetin e Kosovës, siç kanë vepruar gjatë gjithë periudhës së pasluftës deri më tash. Ata kanë vjedhur qindra miliona përmes kontrabandës dhe ryshfetit për të kaluar kontrabandë lloj-lloj mallrash,duke përfshirë cigaret, alkoolin dhe deri te narkotikët",tha deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Deputetja e LDK-së kritikon presidentin

Për këtë pohim të Salihajt, gazeta ka provuar ta kontaktojë shefin e Grupit parlamentar të PDK-së Zenun Pajazitin, por ai nuk është përgjigjur. Anëtari i Komisionit për buxhet nga PDK-ja, Shukri Buja tha se i takon vetë kreut të Kuvendit dhe kryetarit të partisë që të deklarohen rreth këtij rasti, ngase dhe shkresa nga presidenti i është adresuar atij. "Për këtë nuk mund të përgjigjem. Është kryetari Veseli që mund të përgjigjet", tha deputeti Shukri Buja nga PDK-ja. Mirëpo, është anëtarja e po të njëjtit Komision nga LDK-ja, deputetja Besa Gaxherri e cila thotë se ndërhyrja e presidentit në këtë çështje, sa ka qenë e papritshme aq është edhe e kundërligjshme, prandaj LDK-ja nuk duhet të dorëzohet dhe nuk është aspak e pritshme që do të dorëzohet para presioneve të tilla. "Ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë kur është bërë ajo marrëveshje me britanikët, dhe personalisht për veten time e kam pritur mirë, sepse në opinionin e gjerë po diskutohet për të gjitha emërimet në borde, ku po akuzohen institucionet për emërime partiake. Kam konsideruar që përmes kësaj agjencie, së pakut nuk do t'u lejohet njerëzve të partive që të vijnë nëpër borde, porse duhet të vijnë ekspertët, të cilët dinë ta kryejnë punën e tyre dhe të jenë krejtësisht të pavarur", tha Gaxherri për "Kosova Sot". Ajo thotë se marrëveshja duhet të vazhdojë të zbatohet me britanikët dhe në këtë do të vazhdojë të insistojë LDKja si forcë politike që drejton ekzekutivin. " Është krejtësisht e pakuptimtë përpjekja e presidentit që të prezantojë fakte se gjoja ka shkelje dhe nuk ka bazë ligjore, që nuk është dashur të emërohet personi i caktuar në atë vend, por unë konsideroj që ky është gabim shumë i madh i tij, është një sinjal se ai dhe ata prapë duhet të kenë gjithçka nën kontroll dhe kjo nuk është për mendimi tim aspak në rregull", tha deputetja Besa Gaxherri.

Ndërhyrja e Thaçit, precedent i rrezikshëm

Pozitive e shohin këtë marrëveshje që po e vë në dilemë PDK-ja edhe ekspertët e ndryshëm, por tani mbetet pikëpyetje e madhe se a do të zbatohet apo jo, pas reagimit të presidentit Thaçi. "Marrëveshja e bërë me britanikët ka anët e veta pozitive. Ajo mundëson që njerëzit, kuadrot e fushave të veçanta, të cilët do të përzgjidhen, të jenë të kualifikuar dhe jo partiakë. Çështja është krejtësisht tek ajo se sa britanikët duan të arrijnë të kontrollojnë edhe të ndikojnë në përzgjedhjen e kuadrove për punët e ndryshme me shtet, kuptohet jo vetëm në Dogana. Mirëpo, kjo ndërhyrja e presidentit Hashim Thaçi e ka vënë në pyetje marrëveshjen", tha prof. Muhamet Kelmendi. "Rasti në Doganën e Kosovës është më i freskët. Ne kishim kandidatin e z. Thaçi. Ai nuk u përzgjodh kundruall kandidatit tjetër. Tani unë nuk po futem në kualitetet e kandidatëve. Kjo për faktin se nuk i njoh dhe nuk iu takoj komisioneve për përzgjedhje mbi bazën e përgatitjes, por me atë u tregua se ku grindemi dhe sa me rëndësi për pushtetin janë Doganat, sepse nëpërmjet Doganës vijnë të hyrat themelore në buxhetin e Kosovës", theksoi Kelmendi.  

Lufta e ashpër për pushtet

Edhe njohësi i së drejtës, Blerim Burjani thotë se duhet kuptuar që vërtet tani PDK-ja e ka të vështirë të heqë dorë prej kontrollit të institucioneve publike, dhe për këtë ka shumë arsye ekzistenciale në skenën politike të vendit që të mbijetojë si subjekt politik. "Pa marrë parasysh se botërisht dihet se e mban nën kontroll sektorin publik dhe një pjesë edhe të sektorit të ndërtimtarisë dhe të sigurimeve, pra është e imagjinueshme që ky subjekt të pranojë çfarë- do ndërhyrjeje në zgjedhje të personave të dëgjueshëm partiakë në këtë sektor', vlerësoi ai. "Është madje pak e habitshme pse është dashur të hyjë në këtë çështje një organizatë nga një shtet tjetër, kur dihet se në poste kyçe gjasa s'ka madje kurrfarë të vijnë njerëz profesionalë, por kryesisht e sjellin një njeri të tyre në post që të mos ketë kurrfarë lidhje profesionale me postin", potencoi më tutje ai. "Ky subjekt politik, PDK-ja, disi është i çuditshëm se haptas flasin se e kanë nën kontroll secilin sektor, shtrirjen e ndikimit të plotë mbi shtetin, që është shumë i dëmshëm për vendin. E, tani kuptohet që pasojat vërtet i bart LDKja, që e ka kryeministrin, por nëse do që të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme duhet t'u bindet interesave të PDK-së. Përndryshe, ka edhe rrezik të prishet koalicioni", tha Blerim Burjani.

Kriminalizimi i institucioneve

Sipas politologut Hidajet Ahmeti, në Kosovë dhe në këtë koalicion tani për tani de facto kemi tri qeveri, një të udhëhequr nga PDK-ja, një LDK-ja dhe një nga Lista serbe, por nuk ka diskutim që në këtë drejtim Qeveria e udhëhequr nga PDK-ja prin në kapjen e institucioneve publike dhe instalimin e krimit. "Dora e fshehtë e PDK-së përmes rrugëve jolegjitime ka instaluar të keqën në të gjitha institucionet publikë, duke filluar nga arsimi, gjyqësia, prokuroria, shëndetësia, agjencitë e pavarura dhe Dogana e Kosovës dhe në këtë mënyrë kanë ndërtuar perandori të paluhatshme. PDK-ja, e në veçanti urdhërdhënësi Hashim Thaçi dhe klani kriminal i tij, kanë vepruar në mënyrë sistematike dhe sofistikuar në ndërtimin e shkollës Thaçiane për dhunën psikologjike dhe kapjen e institucioneve të pavarura me qëllimin e marrjes, ruajtjes dhe mbajtjes së pushtetit përmes rrugëve jolegjitime", tha Ahmeti. Ai ka pohuar se tani LDK-ja, si parti "institucionaliste", po bashkëjeton me krimin dhe korrupsionin, edhe pse edhe kjo shquhet për krim të organizuar, nepotizëm dhe korrupsion në qeverisjen e saj 14- vjeçare në Prishtinë. "Sigurisht që PDK-ja është zmbrapsur nga kjo marrëveshje, pasi po e ka të vështirë në vendet kyçe të emërojë njerëzit e vet "profesionistë". Kur dihet se Hashim Thaçi nuk është mësuar të mos ketë në kontroll agjenci si Dogana ku hyjnë qindra milionat e evazionit dhe kontrabandës, korrupsionit e krimit të organizuar e ka problem të ambientohet me drejtësinë që duhet të instalohet në Republikën e Kosovës", tha Hidajet Ahmeti. Edhe politologu Arsim Haziri thotë se PDK-ja i ka rënë pishman marrëveshjes, pasi Hashim Thaçi, gjithnjë e më shumë përmes rrjetit të vet në pozita kyçe kishte arritur të kishte monopol në çështje të ndjeshme. "Me dështimin e parë në rastin e Doganës, elita Thaçiane kishte përjetuar një humbje të madhe dhe të papërballueshme. Ky dështim konsideroj se përbën dështimin më të madh për këtë subjekt, pasi pika doganore është burimi thelbësore nga mund të përfitohen milionat", tha politologu Arsim Haziri.

(Kosova Sot)