Kurthi i Thaçit zbardh hipokrizinë e politikës kosovare

  • 19 March 2017 - 07:32
Kurthi i Thaçit zbardh hipokrizinë e politikës kosovare

Për FSK-në arrihet konsensus, për çështjet e tjera nuk ka pajtim

Klasa politike e Kosovës, sipas vlerësimit të analistëve politikë, deri më tani ka dështuar thuajse plotësisht që t'i zgjidhë problemet kryesore që ka vendi. Ndonëse arritja e konsensusit politik për transformimin e FSK-së në Ushtri, po shihet si është një hap i mirë, megjithatë duket se partitë kësaj radhe vetëm sa kanë rënë në kurthin e presidentit Hashim Thaçit, i cili e ka dërguar këtë projektligj, që domosdo nuk kundërshtohet nga partitë politike, porse do të jetë e vështirë të bëhet nën presionin e fortë të NATO-s, SHBA-së dhe BE-së. Meqë politika gjen konsensus për këtë çështje, ajo vazhdon të kritikohet ashpër nga analistët pse nuk gjen konsensus të njëjtë të unifikimit në një zë edhe për çështje të tjera jo pak më të rëndësishme, siç janë dekriminalizimi i skenës politike e shtetërore, Ligji i lustracionit dhe reformimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë, pa të cilat nuk ka ecje të Kosovës në fushën e integrimeve euroatlantike dhe në BE. Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, ka vlerësuar se çështja e konsensusit në fushën e shndërrimit përmbajtjesor të FSK-së në Ushtri është një çështje që është shfrytëzuar nga presidenti i vendit, sado që në Kuvendin e Kosovës u diskutua çështja e shndërrimit të FSK-së në Ushtri. Mirëpo, për çështjet e tjera ai thotë se për mungesën e konsensusit politik në interesin nacional, fajtor janë vetë kokat e koalicionit të tanishëm, Thaçi, Mustafa Veseli. 

"Shpëtimtari" që nuk shpëton asgjë

Sipas Kelmendit, Thaçi, Mustafa e Veseli nuk bënë marrëveshje midis subjekteve politike. "Ata kurrë nuk arritën dhe as që morën iniciativë për të ndërtuar një unitet në çështjet e mëdha. Dua këtu të përmend marrëveshjen e Asociacionit, themelimin e Gjykatës Speciale, Demarkacionin, ose luftën kundër krimit dhe korrupsionit, dukurive më të dëmshme që i ka vendi dhe që përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi Thaçin", ka theksuar ai. "Kosovës i duhet një "VETING" si në Shqipëri. Për atë po luftohet kundër me të madhe iniciativa, si edhe çdo mjet që ka për qëllim spastrimin e shtetit nga kriminelët, si të ardhur nga ish-regjimi, ashtu edhe të atyre të krijuar nga paslufta. Tërë kjo gjendje u shfrytëzua ashpër nga Thaçi. Ai duke e parë Rezolutën e Kuvendit të Kosovës mbi themelimin e Ushtrisë, me të cilën autorizohet Qeveria për të përgatitur ligjin për atë, doli si "shpëtimtar" Thaçi, se gjoja ky po e bën Ushtrinë", tha prof Kelmendi. Ndërsa analisti politik, Hidajet Ahmeti, vlerëson se Kosova është në këtë gjendje vendnumërimi, për shkak se pikërisht në momentin kur preken interesat e ngushta personale, klanore e politike nuk ka konsensus politik, e kjo është arsyeja e mosarritjes së një konsensusi për dekriminalizimin e skenës politike kosovare dhe çështjet tjera të interesit të madh shtetëror, fuqizimit të shtetit ligjor. Ai vlerë- son se kriminalizmi si frymë e mbrapshtë e instaluar nga njerëz të pushtetshëm të politikës konsiderohet brenda suazave të "normalitet" shoqëror, ekonomik e politik në vend. "Në binarët ku është vendosur treni pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njerëzit, të cilët janë vendosur në atë tren, të cilët nuk e dinë destinacionin final, nuk mund të pritet ndërrimi i kahes, përderisa atë tren e drejtojnë njerëzit e njëjtë", është shprehur ai

Loja e rrezikshme me FSK-në

Sipas Ahmetit edhe transformimi i FSK-së në Ushtri të rregullt është lojë e rrezikshme për shtetin e brishtë të Kosovës, e mbi të gjithë vënien në pikëpyetje të raporteve me ndërkombëtarët, e veçanërisht me SHBA-në. "Në këtë frymë të injorimit të mekanizmave të fuqishëm ndërkombëtarë nuk mund të kemi progres substancial afatgjatë, përveç regres të vazhdueshme në raport me ndërkombëtarët. Nuk mund të vijmë deri aty sa të rrezikohet e ardhmja e një shteti të ri, shkaku i tekeve të një njeri, i cili jashtë interesit të tij personal e politik nuk sheh më larg", tha Hidajet Ahmeti. Sipas tij, karta e unifikimit të politikës rreth Ushtrisë së Kosovës, që po e luan presidenti Thaçi, mund të jetë një kurth serioz jo vetëm për pozitën, por edhe për opozitën, i ndërtuar nga presidenti, i cili për më shumë se një vit ishte krejtësisht i izoluar nga bashkëpunimi me subjektet politike opozitare. "Nuk ka dyshim se pozitë e opozitë kanë rënë në kurthin e rrezikshëm të dinakut Thaçi, por një veprim i tillë është i rrezikshëm për Republikën e Kosovës, duhet shikuar në aspektin e koordinimit dhe bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar e jo veprime të tilla me potencë të rrezikshmërisë së lartë për Kosovën, të kalkulohen për interesa personale e politike. Si duket, Thaçi me vetëdije të plotë po e bie në pikëpyetje gjithë substancën e bashkëpunimit të ndërtuar për dekada të tëra", ka potencuar më tej Ahmeti.

Specialja mund t'i prishë balancat politike

Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, po ashtu thotë se ka shumë gjëra, për të cilat pozita dhe opozita kanë mundur të gjejnë gjuhë të përbashkët për të avancuar në perspektivën evropiane, por nuk duan t'i marrin ato seriozisht. "Ka plot çështje, për të cilat asnjëherë nuk ka pasur motiv as nuk është gjetur arsye që të bëhet zgjidhja. Këtu kemi të bëjmë edhe me nxjerrjen e Ligjit për lustracion, Ligjin për zgjedhje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për fuqizimin dhe pavarësimin e plotë të sistemit të drejtësisë", theksoi ai. "Pra, ka shumë gjëra të tjera, por që tash edhe ky transformim ka mbuluar temat e tjera të interesin për shtetin ligjor, sikur janë korrupsionin, nepotizmin. Pra, tema e themelimit të Ushtrisë është primare e domosdoshme, po tash kjo skenë politike ka humbur kredibilitetin tek qytetarët dhe problemi kryesor mbetet se kjo klasë politike ka dështuar plotësisht të qeverisë shtetin si duhet dhe me përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore", vijoi më tej Burjani. Sipas tij, situata do të shkojë kah ndryshimet, sidomos me funksionimin e Gjykatës Speciale, e cila mund ta ndërrojë edhe balancën e forcave politike në shtet.

Mungon konsensusi nacional

Sipas analistit Ilir Fetahu, konsensusi nacional është një deficit i madh politik në shtetndërtim, i cili ka filluar të shfaqet që fillimin e zhvlerësimit të doktrinës Rugoviane për shtet ndërtim dhe unitet veprimi në planin nacional. "Mendoj që kur jemi te raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës, pushteti gjithsesi duhet t'i kryejë punët dhe detyrat e veta, por edhe opozita duhet ta luajë rolin e vet, qoftë kur është nevoja për interesin e saj politik, por duke mos harruar asnjëherë interesin nacional. Çështjet me interes strategjik, si krijimi i Ushtrisë dhe shënimi i vijës kufitare janë dhe duhet të jenë tema unifikuese, për të cilat duhet të ketë qëndrime të përbashkëta i gjithë faktori politik në Kosovë", ka thënë ai. "Mirëpo, kjo mënyrë veprimi kërkon përfarim dhe negocim të qëndrimeve dhe jo që në momentin më të shkurtë, kur këto çështje gjenden para Qeverisë, të dilet në opinion dhe ta kërkojë konsensusin nacional. Unë konsideroj që edhe tani duhet të merret shembulli i veprimit institucional të presidentit historik Ibrahim Rugova, kur pavarësisht që skena politike e pasluftës ishte shumë e polarizuar, ai me vullnetin, dijen dhe vizionin që ka pasur si president i vendit ka arritur gjithmonë që t'i bashkojë të gjithë", tha Ilir Fetahu. 

Faji bie mbi Qeverinë aktuale

Edhe politologu, Arsim Haziri, shprehet se klasa aktuale ka dështuar të harmonizojë qëndrime të përbashkëta për t'iu dhënë shtytje pozitive disa nga proceseve të ndryshme, mirëpo, sipas tij, barra themelore për stagnimin e të tria pushteteve është qeverisja aktuale. "Ndërsa sa i përket transformimit të FSK-së, që tashmë edhe është bërë temë edhe kërkesë "reale" e politikes së presidentit, konsideroj se kjo çështje është më shumë për konsum të brendshëm publik dhe përpjekje për të paraqitur edhe forcën opozitare si dështuese karshi proceseve shtetndërtuese", ka thënë ai. "Ligji për transformimin e FSK-së, sipas njohësve të fushës, nuk mund të llogaritet edhe një ligj totalisht që mund të nxjerrë dhe paraqet forcën e ardhshme ushtarake si të pavarur dhe konsoliduese", theksoi Haziri. Ai konsideron Kosova po të kishte pasur një politikë më të përgjegjshme dhe kredibile dhe duke marrë për bazë kërkesën e popullit për një shtet me sovranitet, ne nuk do të ishim në këtë mjerim të përgjithshëm institucional. "Kosova, sipas të gjithë parametrave vendorë dhe ndërkombëtarë, nuk plotëson kushtet për jetesë të dinjitetshme dhe barazi për të gjithë. Kjo është maksima që tash afro dy dekada po e përcjell vendin", u shpreh Haziri. 

(Kosova Sot)