Politikat destruktive Shpendi&Sejdiu rrënuan ekonominë e kryeqytetit

  • 20 March 2017 - 07:42
Politikat destruktive Shpendi&Sejdiu rrënuan ekonominë e kryeqytetit

Gashi: Nën qeverisjen e Shpend Ahmetit, bizneset në komunë kanë marrë tatëpjetën.

"Në vend të krijimit të kushteve të të bërit biznes, kryetari Ahmeti vendosi barriera akoma më të papërballueshme për bizneset, me sistem jo të mirë të taksave, me leje ndërtimi të trafikuara e korruptive. Rritja e taksave, dhënia e lejeve të ndërtimit me preferenca partiake-korruptive, lidhjeve nepotike e shumë paligjshmëri të tjera e kanë përkeqësuar e bllokuar në masë të madhe klimën e zhvillimit ekonomik dhe të të bërit biznes në kryeqytet", është shprehur analisti Florim Zeqa për gazetën "Kosova Sot" 

Prishtina është qyteti ku më së vështiri bëhet biznes në Kosovë. Këtë e kanë thënë shumë raporte ndërkombëtare, që flasin për klimën e të bërit biznes e kësisoj së fundi doli me një raport edhe Oda Ekonomike e Kosovës. Sipas hulumtimit të Odës Ekonomike të Kosovës, që flet për ambientin e biznesit në vend dhe barrierat me të cilat përballen ato, ka dalë se Prishtina është kryeqyteti e qyteti ku më së vështiri bëhet biznes në Kosovë. Disa nga faktorët kryesorë që e bëjnë këtë, sipas raportit ka dalë se janë krimi i organizuar , korrupsioni e telashet e tjera që po ua bëjnë thuajse të pamundur bizneseve të zhvillohen në kryeqytetin e Kosovës. Bizneset në Prishtinë ankohen për sistem jo të mirë të taksave në komunë, leje të trafikuara ndërtimi, konkurrencë jo e drejtë, e jostabilitet politiko-korruptiv në krahasim me komunat e tjera ku niveli i ankesave dhe pengesave duket e rezulton të jetë përgjysmë më i vogël. Pra, rritja e taksave, pastaj dukuria e dhënies së lejeve të ndërtimit me preferenca e shumë paligjshmëri të tjera janë vetëm disa nga indikatorët që e kanë përkeqë- suar tej mase klimën e të bërit biznes në kryeqendrën kosovare. Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së në Asamblenë e Komunës së Prishtinës, Agim Gashi, u shpreh për "Kosova Sot" se Prishtina duhet të jetë shembull për të gjitha komunat e tjera, vend i mundësive për punësim, zhvillim ekonomik dhe integrim social. "Ekzistojnë një numër treguesish që lënë të kuptojnë se vitet e fundit të qeverisjes së kryeqytetit nga kryetari Shpend Ahmeti, zhvillimi ekonomik lokal ka marrë tatëpjetën". Ai tutje shtoi se është fakt se keqqeverisja dhe mungesa e ideve inovative ka bllokuar punën e bizneseve ekzistuese dhe ka ngushtuar rrugën e operimit të bizneseve të reja. " Siç e dini, një nga mundësitë për të siguruar investime të reja në komunë është përmes dhënies së pronës komunale në shfrytëzim (tokës ose objekteve që janë pronë komunale). Në bazë të ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale, Komuna obligohet çdo vit të planifikojë pronat potenciale për qarkullim ekonomik përmes dhënies në shfrytëzim investitorëve të mundshëm. Ky plan duhet të propozohet nga ekzekutivi dhe të aprovohet në Kuvendin e Komunës. Mirëpo, ju e dini që ekzekutivi jo vetëm që nuk po bashkëpunon me Kuvendin e Komunës, por ka tendenca të bllokimit dhe të defunksionalizimit të punës së Kuvendit, për shkak të pikëpamjeve politike të kryetarit aktual dhe partisë së tij. E gjithë kjo shkon në drejtim të uljes së mundësive të zhvillimit të sektorit privat, pamundëson zhvillimin e bizneseve, privon mundësinë e investimeve të reja dhe krijon kriza sociale, për shkak të papunësisë", është shprehur Gashi. 

Gashi: Keqësimin e ambientit të të bërit biznes e ka ushqyer edhe rritja e taksave Sipas Gashit, mosfunksionalizimi i zonave ekonomike në Prishtinë ka penguar krijimin e hapësirave për biznese me kushte më të favorshme të veprimit, për zhvillimin e projekteve të rëndësishme, të cilat gjenerojnë punësim. "Trendin e rënies së zhvillimit ekonomik në Prishtinë dhe keqësimin e ambientit të të bërit biznes, në masë të madhe e ka ushqyer edhe rritja e taksave komunale nga ekzekutivi. Posaçërisht rritja e tatimit në pronën e paluajtshme ka ndikuar negativisht në biznese dhe si rezultat ka prekur direkt në mirëqenien e qytetarëve, për çka janë paraqitur një numër shumë i madh i ankesave", është shprehur Gashi. Ai tha se mungesa e investimeve kapitale është shprehur për çdo vit që nga ardhja në pushtet e VV-së në Prishtinë. Gashi shtoi se ekzekutivi gjatë këtyre viteve nuk ka zhvilluar asnjë projekt përmes partneritetit publiko-privat, dhe në përgjithësi u ka munguar aftësia për planifikim të duhur të projekteve në raport me buxhetin, e që po dëshmohet përmes shkallës së lartë të suficitit buxhetor." Gjithashtu, prolongimi i zbatimit të disa projekteve të nisura mbi 2 vjet më parë ka dëmtuar në masë shumë të madhe bizneset". Ndërsa këshilltari tjetër komunal në Komunën e Prishtinës nga opozita, ministri i MZHE-së, Blerand Stavileci (PDK), u shpreh se mjafton që të shihen kryeqytetet e vendeve të rajonit, si në rajon ashtu në Evropë, për të parë se si ato janë prijëtare të zhvillimit të një vendi në të gjitha aspektet. "Në këtë drejtim administrata komunale do të duhej të ishte në shërbim të bizneseve për të krijuar klimë të favorshme që ato të zhvillohen", është shprehur ai. Tutje, Stavileci ka shtuar: "Bizneset në kryeqytet kanë nevojë për vëmendje të shtuar dhe mbështetje konkrete,e jo për fjalë boshe e mashtruese në raport me politikat që tek ata nuk ndikojnë, por përkundrazi u sjellin vështirësi e bllokime e frustrime ", është shprehur ai.

Zeqa: Lejet e ndërtimit, me preferenca partiake Ndërsa, analisti Florim Zeqa theksoi se arsyet pse Prishtina është qyteti ku më së vështiri bëhet biznes në Kosovë, janë të shumta e të shumëllojshme. "Si kryeqytet që është, në Prishtinë kemi kryqëzim dhe ndërlidhje të pushtetit komunal me atë qendror. Deri tek kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së një ligji të posaçëm për kryeqytetin, ligj ky i kërkuar në vazhdimësi nga paraardhësi i kryetarit aktual të Prishtinës,i injoruar në vazhdimësi nga pushteti qendror (tani partner në koalicion)! Për habi dhe ironi të faktit, tani ky ligj ka mbetur jashtë agjendës së kryeministrit aktual, i cili në të kaluarën gjersa ishte në pushtet në Prishtinë e kërkonte me ngulm nxjerrjen e ligjit që përcakton qartë ndarjen e kompetencave ekzekutive të Komunës së Prishtinës nga ekzekutivi qendror". Sipas Zeqës, kryetari aktual Shpend Ahmeti, për të "arsyetuar" dështimin e tij në qeverisjen e Prishtinës, me dëshirë do të thoshte: " Korrupsionin nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj". Zeqa është shprehur për Gazetën se kryetari aktual i Prishtinës ka mundur të krijojë ambient më të favorshëm për biznes, për kompanitë që gjenerojnë vende të reja të punës dhe zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik. "Në vend të kësaj, kryetari Ahmeti vendosi barriera e bllokime akoma më të papërballueshme për bizneset, me sistem jo të mirë të taksave, me leje të trafikuara ndërtimi e korruptimi. Në deklaratat e tyre, bizneset e Prishtinës ankohen për konkurrencë jo të drejtë, e jostabilitet politik në krahasim me komunat e tjera, ku niveli ankesave duket të jetë përgjysmë më i vogël. Rritja e taksave, dhënia e lejeve të ndërtimit me preferenca partiake, lidhjeve nepotike e shumë paligjshmëri të tjera e kanë përkeqësuar në masë të madhe klimën e të bërit biznes në kryeqytet", është shprehur Zeqa. Analisti i ekonomisë, Ardian Nokaj theksoi për Gazetën "Kosova Sot" se bazuar në hulumtimet e OEK-ut, bizneset e Prishtinës po ankohen më shumë për sistem jo të mirë të taksave, leje te trafikuara ndërtimi, konkurrencë jo të drejtë, e jostabilitet politik në krahasim me komunat e tjera, ku niveli ankesave duket të jetë përgjysmë më i vogël. Gazeta ka kërkuar një përgjigjje edhe nga kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe zyrtarët për informim, por nuk ka marrë përgjigjje.

(Kosova Sot)