Babëzia nuk i lë sulltanët e politikës të shkulen nga kolltuku

  • 20 March 2017 - 07:55
Babëzia nuk i lë sulltanët e politikës të shkulen nga kolltuku

Perandoritë e politikanëve janë ndërtuar me një mal dallaveresh.

"Këta politikanë, të cilët për më shumë se një dekadë kanë ndërtuar një pushtet të palëkundshëm, duke dalë jashtë kornizave demokratike e morale, është jashtë mendësisë së tyre shkurtpamëse të largohen nga karrigia, pasi që në perandoritë e tyre ka një mal dallaveresh. Pushteti i tyre dhe zgjatja e tij korrespondon me lirinë e tyre, kurse humbja e pushtetit për ta, korrespondon me burgun. Nuk është problem pse e humbin pushtetin, por problemi është se do t'u dalin të palarat nga rrjeti i krimit, që kanë instaluar në institucionet publike", shprehet për gazetën "Kosova Sot" analisti Hidajet Ahmeti,raporton Gazeta Kosova Sot

L akmia për të përfituar përjetë- sisht nga politika, dhe për të qenë përjetësisht në pushtet, po dëshmohet edhe në politikëbërjen e Kosovës si një sëmundje e rëndë e egos së këtyre liderëve që ka Kosova, të cilët as nuk mendojnë të pensionohen ndonjëherë me vetë dëshirë dhe as të largohen nga skena politike. Ky është një fenomen ballkanik, siç e thotë edhe komisionari evropian, Johannes Hahn, i cili shprehet se politikanët e vjetër duhet t'ua lëshojnë vendin të rinjve, sepse ata zhgënjehen dhe ikin nga vendi, duke qenë vazhdimisht të sunduar nga ata që nuk janë treguar produktiv në ofrimin e perspektivës për zhvillim. Sidoqoftë analistët politikë konsiderojnë se ka ardhur koha, madje edhe jemi vonuar për pensionim të kësaj klase politike të korruptuar, sepse është pikërisht pushteti e paraja që nuk i lë këta politikanë të lëshojnë karriget e pushtetit dhe duan të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet për të zhvatur sa më shumë nga populli i Kosovës për interesa të tyre dhe të klaneve që i rrethojnë.

Ahmeti: Qytetarët duhet të çlirohen nga këta zaptues Analisti Hidajet Ahmeti thekson për "Kosova Sot" se perandoritë e ndërtuara në institucionet publike nga këta politikanë kanë krijuar mendësinë e një loje të paskrupullt, duke përdorur çdo mjet ilegjitim për të ruajtur, mbajtur dhe marrë pushtetin. "Për këta politikanë, të cilët për më shumë se një dekadë kanë ndërtuar një pushtet të palëkundshëm, duke dalë jashtë kornizave demokratike e morale, është jashtë mendësisë së tyre shkurtpamëse të largohen nga karrigia, pasi që në perandoritë e tyre ka një mal dallaveresh. Pushteti i tyre dhe zgjatja e tij korrespondon me lirinë e tyre, kurse humbja e pushtetit për ta korrespondon me burgun. Nuk është problem pse e humbin pushtetin, por problemi është se do t'u dalin të palarat nga rrjeti i krimit që kanë instaluar në institucionet publike", shprehet për gazetën analisti Ahmeti. Për këtë arsye, sipas tij, këta politikanë korruptues, e shantazhuse janë në gjendje që të përdorin çdo mjet ilegjitim për ta mbajtur, ruajtur dhe marrë pushtetin. "Deklarata e komisionarit evropian, Hahn, është një mesazh i qartë se Ballkani e veçanërisht Kosova ka ndërtuar një frymë, e cila ngjan me sistemet totalitare, në njërën anë, duke përdorur çdo mekanizëm të pushtetit për ta vazhduar diktatin në mekanizmat e shoqërisë, kurse në anën tjetër, duke ndërtuar një pushtet të palëkundshëm përmes rrjetës së shtrirë në institucionet publike. Kjo frymë e qeverisjes së mbrapshtë ka ngulfatur jetën institucionale, politike e shoqërore, duke e vrarë shpresën për një ndryshim substancial. Ndryshimi i mentaliteti dhe logjika e mbrapshtë ballkanase duhet të fillojë me Republikën e Kosovës, qytetarët e Kosovës njëherë e përgjithmonë të çlirohen nga këta zaptues që e kanë vrarë të ardhmen e qytetarëve të saj", është shprehur Ahmeti. Sipas Ahmetit, çlirimi nga ky konstelacion qeverisës do të thotë çlirim i qytetarëve nga një dhunë psikologjike e shkaktuar në mënyrë kontinuele nga këta politikanë, kurse liria e komunitetit të vogël politik duhet t'u kthehet qytetarëve, të cilët nuk e gëzojnë këtë liri që një kohë të gjatë.

Hertica: Ky soj i politikanëve mendojnë se janë të përjetshëm Analisti politik, Ali Hertica, thotë se koha e pensionimit të këtyre njerëzve ka kohë që ka ardhur, dhe qytetari duhet t'i ndëshkojë ata me votën e tij. "Është një garniturë e harxhuar e politikëbërësve në Kosovë, të cilët për interesin e tyre kanë siguruar dhe mbajnë edhe nga disa vende pune, e pikërisht për këtë lloj kapje të shtetit edhe kanë filluar tejmase që të njëjtët t'i gërditen qytetarit", theksoi Hertica për "Kosova sot" . Sipas Herticës, ky soj i politikanëve mendojnë se janë edhe të përjetshëm. Hertica ka shpjegimin filozofik për një sëmundje të tillë. "Te filozofia dhe filozofët kjo dëshirë e përjetshme e bën të lindë një ide e thellë, ide e kohës së 'përjetshme për liderin' dhe vetë qeveritarin që kurrë mos të bien nga skena politike, por të këtë një dominim mbi shtresën e vegjëlisë", është shprehur Hertica. Sipas Herticës, këtë ego të tyre ballkanike e ka kuptuar edhe komisioneri Hann. "Për ta avancuar shoqërinë dhe shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror duhen vetëm njerëz të rinj të sinqertë, të cilët nuk mund të vijnë në shprehje pa ndryshime të mëdha, pa u liruar skena politike dhe qeverisëse nga klanet dhe grupet e caktuara të interesit, në krye të të cilave janë sharlatanët që vazhdimisht llomotitin dhe nuk veprojnë asgjë konkrete në interes të qytetarit", theksoi Hertica. 

Lepaja: Në pushtet, pa traditë politike e shtetërore Analisti Fadil Lepaja e sheh si shumë të vështirë transformimin aq të thellë të skenës politike, sidomos në këtë pjesë të Ballkanit. "Në fakt, ky është modeli i klasës politike, oligarkëve të rinj ballkanikë të pasluftës, postkomuniste. Këtu nuk bën përjashtim asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por disa kanë bërë ndryshime, duke zhvilluar një luftë antikorrupsion dhe antikrim si Kroacia për shembull, e pjesërisht edhe Serbia, edhe pse kjo në Serbi ka ngelur në gjysmë të rrugës, për shkak të nacionalistëve, të cilët fshihen pas shtetit dhe kombit sikurse është situata edhe në vendet e tjera të Ballkanit", është shprehur Lepaja. Sipas tij, nuk është puna se nuk kuptojnë, por është çështje e ardhjes në pushtet të një shtrese pa traditë politike e shtetërore dhe e cila shpejt krijoi fuqi represive, e në bazë të saj edhe atë financiare, duke e shndërruar krejt shtetin në vegël të tyre. Se koha e pensionimit të politikanëve të "mykur' duhet të vijë, pavarësisht vonesave të deritashme, madje që nga zgjedhjet e reja në pritje, shprehet edhe analisti Ilir Fetahu. "Unë mendoj se vetë qëndrueshmëria në skenën politike apo kohëzgjatja nuk varet nga prekja e pullave teledirigjuese nga dikush, por nga fakti se kush sa e ka mbështetjen e qytetarit, pra nga matja e asaj se sa ka vota nga qytetari. Parimisht në demokraci është kështu, por për fatin e keq në Kosovë nuk po shkon kështu kjo reformë e natyrshme e subjekteve politike dhe lidershipit, sepse në njëfarë forme duket sikur është blinduar lidershipi i partive politike, ku njerëzit e caktuar brenda partive nuk lejojnë që të marrin frymë lirshëm edhe individët dhe figurat e reja politike. Pra, ne kemi parë shpesh që kur shfaqen mendime të ndryshme politike, qoftë vetë brenda partive, brenda grupeve parlamentare apo edhe në strukturat e caktuara vendimmarrëse, automatikisht ata shpallen si të padëshirueshëm, me epitete të ndryshme përçmuese e nënçmuese nga lidershipi i partisë", është shprehur analisti Fetahu. Tutje shton: "Kjo gjithsesi nuk është demokratike dhe duhet të ndërpritet një sjellje e tillë". Fetahu shprehet i sigurt se vetëdijesimi qytetar është duke u ngritur dhe kjo do të shihet në zgjedhjet e ardhshme. Analisti Muhamet Kelmendi thotë se në politike nuk ka ligje, që e rregullojnë domosdo kohën e pensionimit. 

(Kosova Sot)