Ndërkombëtarët izolojnë Thaçin

  • 22 March 2017 - 07:47
Ndërkombëtarët izolojnë Thaçin

Asnjë ftesë nuk i pranohet kreut të Republikës.

"Një izolim i tillë nuk do të jetë pasqyrë e mirë për presidentin e Republikës së Kosovës, ngase po tregohet se ato shtete nuk duan të kontaktojnë më një burrështetas të tillë për shumë arsye", është shprehur analisti Ali Hertica,raporton Gazeta Kosova Sot

P residenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kohë që i ka ndërprerë udhëtimet e tij jashtë vendit që i pati filluar në fillim të mandatit të tij, me gjasë të aranzhuara gjatë kohës sa ishte në pozitën e shefit të diplomacisë, ministër i Jashtëm. Burime brenda Presidencës thonë se ka disa dhjetëra kërkesa të presidentit për të bërë vizita jashtë vendit, por që ato po refuzohen. Sidomos pas zhvillimeve të fundit dhe hapjes së temës për transformimin e njëanshëm të FSK-së në ushtri pa pëlqimin e faktorit ndërkombëtar, analistët politikë po e shohin presidentin e Kosovës si një nga figurat më të izoluara nga ndërkombëtarët. Për ta thyer këtë izolim ndërkombëtar, tani po duket se megjithatë presidenti ka filluar që të tërhiqet në mënyrë tinëzare, për shkak të presionit ndërkombëtar, nga insistimi i tij që me çdo kusht FSK-ja të transformohet në ushtri vetëm me ligj dhe pa ndryshimet kushtetuese. Ky taktizim i pamatur i presidentit të vendit, nga analistët konsiderohet se do të jetë një minus i madh që do të mund të faturohet në CV-në e presidentit Thaçi, i cili po provon që, duke shpikur tema të mëdha, të dalë nga izolimi i brendshëm politik në të cilin është futur që nga dita e parë e fillimit të mandatit te presidentit.

Taktizimi me ushtrinë Analisti politik, Ali Hertica thotë se në bazë të informacionit që posedon ai, presidenti i Kosovës po renditet në një nga figurat më të izoluara politike, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë nga faktori ndërkombë- tar, sepse janë dhjetëra vizita të kërkuara e të papranuara nga shtete të caktuara. "Presidentit Thaçi deri me tani i janë anuluar 27 kërkesa për vizita jashtë nga disa vendet të ndryshme për t'u takuar me burrështetas që të lidhin marrëdhënie bilaterale dhe bashkëpunim politik në të gjitha fushat. Një izolim i tillë nuk do të jetë pasqyrë e mirë për presidentin e Republikës së Kosovës, ngase po tregohet se ato shtete nuk duan të kontaktojnë më një burrështetas të tillë për shumë arsye", është shprehur ai. "Tani, duke parë një situatë jo të mirë të një konsiderate presidenciale të shteteve, Hashim Thaçi ka filluar gradualisht ta ndryshojë kursin e tij politik edhe të qëndrimeve rreth formimit të ushtrisë, duke mos i marrë në pah konsultimet me shtetet mike. Tani, Thaçi del dhe thotë se asnjë shtet nuk është kundër, por duhet të ketë një bashkëpunim se si duhet të jetë një ushtri moderne, se edhe shndërrimi i FSK-së nuk bëhet për një ditë, por gradualisht me vite, ku de fakto tani Thaçi ndryshon qëndrimin e tij të pakthyeshëm siç e deklaronte ai", tha Ali Hertica. Ai konsideron se të gjitha këto skandale politike dhe hapa të ngutshëm, pa u konsultuar me faktorin ndërkombë- tar dhe atë të brendshëm, presidentit mund t'i kushtojnë shumë.

Politikan i paskrupullt Sipas analistit politik Hidajet Ahmeti, fillimi i izolimit ndërkombëtar të presidentit tregon se Thaçi nuk po mund të adaptohet në pozitën e të parit të shtetit, pasi sa ishte në pozitën e të parit të Qeverisë ishte në qendër të vëmendjes së opinionit publik, medieve të shkruara dhe elektronike. "Tani, si duket, lojërat e tij të mbrapshta po e japin të kuptojnë egon dhe ambiciet e tij të sëmura për të pasur gjithë fokusin tek ai. Nuk është e çuditshme se politika e jashtme, si kompetencë kushtetuese e presidentit, nuk po i shkon siç duhet, sepse që një vit e më shumë që udhëheq me pozitën e të parit nuk e kanë pritur shtetet e fuqishme, përveç në disa shtete pak të rëndë- sishme në rendin ndërkombëtar. Përpjekjet dhe tendenca e tij manipulative për t'u dukur "in" në skenën politike kosovare po i vjen fundi dhe fytyra e tij e vërtetë po del në publik", theksoi ai. Sipas Ahmetit, përmes shpikjeve të temave të mëdha po tenton ta kthejë vëmendjen e opinionit publik tek ai, të humbur që një vit e më shumë, por e vërteta për personalitetin e tij dinak nuk mund të fshihet, pasi ekziston jashtë nesh dhe pavarësisht neve. "E gjithë periudha më shumë se njëvjeçare që udhëheq në pozitën e të parit nuk është për t'u admiruar dhe për t'u vlerësuar, pasi kërkesat e tij drejt shteteve të fuqishme për vizita zyrtare, po e japin të vërtetën faktike për personalitetin e tij të rrënuar në mënyrë kontinuale në raportin ndërkombëtar", tha Hidajet Ahmeti. "Një gjë është e pamohueshme se Hashim Thaçi asnjëherë nuk mund të jetë person unifikues në skenën politike kosovar, përkundrazi personaliteti i tij dinak do të shkaktojë polarizime të vazhdueshme në skenën politike kosovare. Në historinë e re politike të Kosovës, personaliteti i Thaçit do të mbahet mend për keq, edhe sa ishte në pozitën e të parit të Qeverisë, por veçanërisht tash kur është në pozitën e të parit të shtetit. Një izolim i tillë i Thaçit ka ndodhur nga vetë ai dhe me fajin e tij, pasi çdoherë ka arritur të derdhë helm në shoqërinë kosovare, por edhe të shkaktojë përçarje në politikën kosovare", u shpreh më tej ai. Sipas tij, falë këtyre lojërave të paskrupullta, është politikani më së shumti që ka qëndruar në skenën politike kosovare, duke ndryshuar karshi rrethanave politike dhe duke iu përshtatur rrethanave të krijuara. 

Loja me dy karta Politologu dhe filozofi Ridvan Emini pohon se për sa i përket vizitave të presidentit Thaçi jashtë vendit, mund të thuhet se ai që nga ardhja në krye të kësaj pozite, ka qenë mjaft i mbyllur si në raport me medie, por edhe me partitë politike në vend, po ashtu edhe sa i përket marrëdhënieve me jashtë. "Por, nuk mund të themi se ka qenë tërësisht i mbyllur, pasi ai ka zhvilluar disa udhëtime jashtë vendit dhe, po ashtu, ka pritur në vazhdimësi delegacione nga jashtë. Mbyllja e tij për vizita jashtë vendit, megjithatë vjen në kohën kur ai angazhohet për transformimin e FSKsë në ushtri, e që realisht bën lojë politike", theksoi ai. " Sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri, më shumë më duket si një potez politik, i cili mbart në vete dy mesazhe; në mesazhin e parë që ka të bëjë me politiken vendore, është hera e parë që ka arritur të marrë një PO nga të gjitha partitë parlamentare, ku duhet potencuar se nga disa parti, ai nuk ishte njohur si president, së paku deklarativisht, ndërsa me këtë rast autoriteti i tij njihet si i tillë, në mesazhin e dytë e që ka të bëjë me faktorin ndërkombëtar, ai ka luajtur me dy karta; në kartën e parë kemi të bëjmë me vënien në pah ndaj faktorit ndërkombëtar ndaj të bllokadës që po shkakton Lista Srpska në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me shumicën e dyfishtë parlamentare, ku edhe ndaj komunitetit serb në vend u ka bërë me dije se nuk mund të bllokojnë në pafundësi proceset jetike për vendin. Ndërsa me kartën e dytë, në raport me faktorin ndërkombëtar, mendoj se ai ka bërë një test, por jo diçka më tepër, por në rastin hipotetik nëse ai tenton të bëjë diçka jo në harmoni me vendet mike, kjo vërtet është për t'u shqetësuar", tha Ridvan Emini për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)