Treshja mafioze e drejtësisë, urdhërzbatuesit e nëntokës së politikës

  • 22 March 2017 - 07:42
Treshja mafioze e drejtësisë, urdhërzbatuesit e nëntokës së politikës

Zeqa: Peci-Daka-Saliuka e përbëjnë "treshen e Bermudës" në sistemin gjyqësor të Kosovës.

"KGJK-ja dhe KPK-ja u vendosën nën sundim të SHIK-ut dhe kështu edhe të vetë partisë në pushtet, që vendosën për gjithçka. Aty në KGJK e dërguan Enver Pecin. Për të korrur suksese iu bashkuan Daka dhe Makifete Saliuka. Ka edhe prokurorë të tjerë dhe gjyqtarë që janë vendosur kështu. Këta e vunë nën kontroll tërësisht Prokurorinë dhe Gjyqësorin. Kudo i vendosën njerëzit e dëgjueshëm dhe me të kaluar të errët dhe tash e dërguan Enver Pecin edhe për kryetar të Gjykatës Supreme", thotë analisti profesor Muhamet Kelmend,raporton Gazeta Kosova Sot

Duke parë stagnimin e reformës në drejtësinë kosovare dhe lëvizjet e fundit në kupolën e saj, ato të ruajtjes së ndikimit të strukturave të ndryshme kriminale në drejtësi, njohës të mirëfilltë të kësaj fushe nga politika, analistë dhe ekspertë me të drejtë shtojnë pyetjen se si ka ardhur deri te kombinimi i ri i figurave kyçe në drejtësi, se si erdhi Enver Peci në krye të Gjykatës Supreme, i cili pasi kishte degraduar e shkatërruar komplet sistemin e drejtësisë bashkë me Valdete Dakën dhe ish-sejmenët e tyre në KGJK për rreth 7 vjet, përsëri zë një pozitë të rëndësishme. Njohësit e fushës së drejtësisë dhe analistët kaherë patën shprehur dyshimin e tyre se si në KGJK me kohë patën ardhur ai dhe disa të tjerë si të preferuar të UDB-së dhe SHIK-ut, dhe me bekimin e PDK-së e LDK-së , dhe asokohe ishin sjellë aty edhe Peci, edhe Daka, për t'u shërbyer atyre dhe SHIK-ut. Madje, kjo dyshe bashkë me të preferuan e tyre, Makifete Saliukën shquhen vetëm për çështje negative e aspak pozitive në sistemin e gjyqësorit kosovar . Sipas analistëve, ata të dy, për interesa të tyre e avancuan edhe Saliukën, me të cilën u bënë "mish e asht" natë e ditë në hipokrizi dhe zhvillim të korrupsionit në gjyqë- sor. Gazeta edhe përkundër tentativave për të marrë prononcimin e tyre, të apostrofuarit nuk janë përgjigjur.

Pallati i Padrejtësisë Sipas analistëve, kjo treshe disponon pasuri të pajustifikueshme dhe dita e nata nuk i ndajnë në punët e paligjshme. Ata janë një kështjellë e njerëzve të inkriminuar, që e degradojnë sistemin dhe që punojnë për politikën e inkriminuar aktuale. Ata e kanë shndërruar Pallatin e Drejtësisë në një Pallat Padrejtësie. Që nga viti 2009/2010, kur Peci e Daka erdhën nga Mitrovica në Supreme dhe menjëherë edhe ne krye të KGJK-së, e kanë degraduar sistemin, kapën edhe Gjykatën Supreme, por edhe të gjitha gjykatat e tjera, e sidomos Prishtinën përmes të inkriminuarës Saliuka. Tani me të drejtë del pyetja pse këta gjyqtarë, më në fund nuk e morën për model pozitiv Fejzullah Hasanin, i cili erdhi në një moment dhe i tha vetes: "mjaft", për t'ua lënë njerëzve të tjerë më të rinj, që të vijnë në sistemin e drejtësisë! Madje, në KGJK thuhet se vota e Pecit e bëri Saliukën anëtare të KGJK-së, të cilën aty e kishin sjellë së bashku Peci e Daka, ndërkaq që Daka flet se Saliuka po i thyen këmbët duke agjituar për të marre së shpejti pozitën e kryetares së KQZ-së!? Të gjitha këto po dyshohet se i mundësojnë PDK-ja e LDK-ja dhe SHIK-u, të cilëve këta të tre u shërbejnë me përkushtim në shkelje të ligjit e Kushtetutës! Sipas analistëve, drejtësisë së degraduar, tani do t'ia bënin shërbimin më të mirë, edhe treshja e shumëpërfolur për të keq: Peci, Daka dhe Saliuka, që të ikin vetë sa më parë ose shumë shpejt përmes 'VETTING'-ut, për mungesë etike dhe integritetit profesional, për pasuritë e pajustifikueshme, por ata nuk e bëjnë akoma këtë.

PDK-SHIK-LDK Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, thotë se për ta pastruar këtë sistem të drejtësisë që e kemi tani, nga gjithë mbeturinat e së kaluarës dhe nga e tashmja e lidhur me krimin e korrupsionin, duhet të ndodhë modeli i 'VETING'-ut, njësoj si në Shqipëri. "Kosova ka nevojë urgjente për 'VETING'-un,për ta pastruar thellësisht Gjyqësinë dhe Prokurorinë nga të korruptuarit dhe të dëgjueshmit e klaneve mafioze. Asnjëherë Kosova nuk do të mund të ketë drejtësi të pastër, përderisa kemi në krye të Kosovës mafiozë që i emërojnë gjyqtarët dhe prokurorët", tha Adem Salihaj. Analisti politik, Florim Zeqa gjykon se treshja aktuale në sistemin e drejtësisë: Peci-Daka-Saliuka e përbëjnë "treshen e Bermudës" në sistemin gjyqësor të Kosovës. Sipas tij, ky bashkim i treshes së inkriminuar nuk është i rastësishëm, është produkt i treshes tjetër PDK-SHIK-LDK, të cilët për interesat e tyre strategjike i kanë katapultuar në kreun e Gjyqësorit kosovar. "Ky produkt i SHIK-ut ,PDK-se dhe nëntokës së LDK-së, përveç degradimit të sistemit të drejtësisë, e kanë kapur Gjykatën Supreme dhe të gjitha gjykatat e tjera, duke e shndërruar Pallatin e Drejtësisë në një Pallat të Padrejtësisë. Treshja e sipërpërmendur, duke punuar në shërbim të politikës aktuale, përveç pasurimit të paligjshëm, janë shndërruar në mentorë të njerëzve të inkriminuar, që e degradojnë sistemin e drejtësisë dhe që punojnë për politikën e inkriminuar aktuale në pushtet dhe opozitë. Partitë në pushtet, treshen e inkriminuar e përdorin si figura shahu në tabelën e njollosur të drejtësisë kosovare", theksoi ai. "Rokadën apo ndërrimin e posteve të tyre e bëjnë sipas shërbimeve që ata u bëjnë liderëve partiakë e shtetërorë, siç është rasti tani me tentativën për vendosjen e Saliukës në krye të KQZ-së në prag të zgjedhjeve të parakohshme qendrore dhe atyre lokale, që pritet të mbahen në afatin e rregullt zgjedhor, në vjeshtën e këtij viti. Siç po shihet, kjo treshe nuk e ka ndërmend të ndjekë rastin pozitiv të gjyqtarit Fejzullah Hasani, i cili u tërhoq për t'u lënë vendin gjyqtarëve të rinj, që të vijnë në sistemin e drejtësisë", ka potencuar Zeqa.

Garanci për të vjedhur Profesori i së drejtës dhe eksperti Muhamet Kelmendi, po ashtu, thotë se edhe në shtetin e ri të Kosovës sistemi i drejtësisë nuk ka funksionuar asnjëherë deri më tani në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, sepse që në themelet e para janë vendosur, në gur themel, mbeturinat e regjimit të kaluar dhe vartës të atij regjimi edhe në realitetin e ri politik. Madje, ai pastrimin e drejtësisë nga këta njerëz nuk e sheh të mundshëm derisa nuk aplikohet një formulë e 'VETING'-ut edhe në politikë, edhe në drejtësi në mënyrë paralele. "Sistemi i drejtësisë nuk ka funksionuar në bazë të ligjit asnjëherë. Fillimisht është ndërtuar një sistem, kuptohet si në Prokurori, ashtu edhe nëpër gjykata, nga njerëzit e ish- regjimit, të cilët nga UDB-ja iu dhanë UNMIK-ut dhe EULEX-it, dhe këta i vendosën më pastaj njerëzit e tillë në atë sistem", u shpreh Kelmendi. "Pas pavarësisë detyrën e tillë e mori PDK-ja dhe SHIK-u si shërbim i kësaj Partie në pushtet dhe këta bënë seleksionime dhe aty i vendosen njerëzit e vet, pa shikuar të kaluarën dhe aftësitë e tyres si profesionistë. Në fakt, KGJK-ja dhe KPK-ja u vendosën nën sundim të SHIK-ut dhe kështu edhe të vetë partisë në pushtet, që edhe vendosën për gjithçka. Kështu që aty në KGJK e dërguan Enver Pecin. Për të korrur suksese iu bashkuan Daka dhe Makifete Saliuka. Ka edhe prokurorë të tjerë dhe gjyqtarë që janë vendosur kështu. Këta e vunë nën kontroll tërësisht Prokurorinë dhe Gjyqësorin. Kudo i vendosën njerëzit e dëgjueshëm dhe me të kaluar të errët dhe tash e dërguan Enver Pecin edhe për kryetar të Gjykatës Supreme", potencoi më tej Kelmendi. Sipas tij, e tërë kjo lojë u bë që politikanët të jenë të qetë edhe të vjedhin akoma pa u penguar nga shteti.

Favorizimi i pushtetarëve Edhe profesori i së drejtës, Riza Smaka, ekspert i mirënjohur i kësaj fushe, thotë se sistemi i drejtësisë asnjëherë deri më tani nuk ka funksionuar si i pavarur, sipas ligjeve dhe Kushtetutës dhe i bazuar në kriteret krejtësisht profesionale, ndonëse me dispozitat e neneve 83 - 93 të kaptinës së shtatë të Kushtetutës është koncipuar në funksion të shtetit të së drejtës, të ndarjes dhe kontrollimit të ndërsjellë të Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit, si dhe të sundimit të ligjit. "Individë, përkatësisht grupe të individëve të caktuar në poste të sistemit të drejtësisë, në praktikat e deritanishme, jo rrallëherë, në vend të përfilljes së ligjit në fuqi në mënyrë parimore e të drejtë, kanë bërë aplikime ligjore të përshtatshme me interesat e pushtetarëve, përkatësisht të qeveritarëve të caktuar! Edhe në atë mënyrë, ata dhe ato kanë favorizuar, në vend të zbatimit të ligjit në fuqi, aplikimin e formave të ndryshme të gjykimeve korruptive, të dëmshme, irrituese dhe intriguese", tha Smaka. Sipas tij, kapja e drejtësisë po vazhdon ashpër edhe me këto zhvillimet e fundit."Veçanërisht, në jo pak poste drejtuese të gjykatave dhe prokurorive, pushtetarët influentë, jo në saje të meritave afirmative, por të pozitave monopoliste qeveritare, kanë instaluar persona konformistë, explicite të involvuar politikisht, të cilët vijimisht i kanë kryer detyrat dhe vazhdojnë t'i kryejnë detyrat e diktuara nga qarqe e pushtetarë të caktuar. Degradimi, edhe në këtë drejtim, ka shkuar deri në ekstremitete, ashtu që persona praktikisht të panjohur në qarqet e judikaturës janë instaluar në poste kulminante të institucioneve të sistemit të drejtësisë", tha Smaka

Koha e gjeneratave të reja Prof. Blerim Burjani konsideron se është koha e fundit që në kupolën e drejtësisë, edhe në KGJK duhet të vijnë gjeneratat e reja, njerëz të rinj, një gjeneratë më e re, të papërfshirë deri më tash në proces . "Sistemi i drejtësisë duhet reformuar sa më parë, në dy kontekste, reforma kadrovike dhe institucionale, pastaj duhet të nxirret edhe ligji 'Veting' . Këto janë kërkesa të pashmangshme, sepse ardhja e njerëzve të njëjtë është vazhdim i kësaj gjendjeje. Pra, duhet të gjendet mekanizmi për të bërë ndryshime edhe në aspektin kadrovik", tha Burjani. Analisti politik, Arsim Haziri vlerëson se Kosova, në situatën që ekziston, është si rezultat i sistemit të kontrabanduar të drejtësisë. "Sistemin fondamental, siç është drejtësia, skajshmërisht e ka ngulfatur politika e papërgjegjshme dhe jofunksionale, e cila ka organizuar pushtetin vetëm për krijimin e rehatisë klienteliste", theksoi ai. "Fatkeqësisht, Kosovën e mundon operimi i shkollave të dëmshme politike, që janë të lidhura kryesisht me rrjete të ndryshme kriminale, dhe duke bashkëpunuar për një qëllim të tillë kanë shtrirë ndikimin e tyre në çdo institucion", theksoi Haziri. Ai thotë, po ashtu, se procesi i 'VETING'-ut do të ishte bazë për hetimin e figurave që mbështeten në pasuri të pajustifikueshme, është mundësi e cila mund të pasqyrojë në tërësi karakterin e të funksionuarit të gjykatësve të caktuar, duke përfshirë edhe treshen Peci, Daka e Salikua. "Për aktorët e rendit dhe ligjit, Peci, Daka dhe Saliuka, që përfaqësojnë rastin më të keq të funksionalitetit të organit më të rëndësishëm, mendoj se një shtet i së drejtës do të ishte përgjigjja më e mirë në kuptimin e hetimeve dhe inicimin e procedurave gjyqë- sore", u shpreh më tej ai. Sipas Hazirit, Kosova përderisa ka në krye të institucioneve themelore njerëz që janë të subjekteve të aferave të ndryshme, asnjëherë s'mund të jetë shtet për shoqërinë dhe kundër klasës oligarke

(Kosova Sot)