Serbia sfidon sërish rendin kushtetues të Kosovës

  • 24 March 2017 - 07:47
Serbia sfidon sërish rendin kushtetues të Kosovës

Pushtetarët kosovarë heshtin, bëjnë fushatë për vete,shkruan gazeta Kosova Sot.
"Kjo nuk do të duhej toleruar, sepse për model kemi rastin e tubimeve të partisë së Erdoganit në disa vende të Evropës, pasi nuk u lejuan të mbahen, ndërsa Qeveria dhe institucionet e Kosovës po dorëzohen para Serbisë", theksoi analisti Jeton Kelmendi

Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, duket se po dështon edhe një herë duke mos arritur që ta ushtrojë të drejtën kushtetuese për mbrojtën e sovranitetit dhe integritetit të brendshëm, ngase edhe në këtë vit Serbia do të mbajë zgjedhjet e veta në territorin tonë. Zgjedhjet presidenciale të Serbisë do mbahen më 2 prill, duke përfshirë në këtë proces edhe lokalitetet e banuara me qytetarë serbë në territorin e Republikës së Kosovës. Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar fillimisht aktivitetet politike në Kosovë të kandidatëve për këto zgjedhje, dhe ato tani do të mbahen pa asnjë pengesë edhe në ditën e caktuar, përfaqësues të partive politike, si nga pozita edhe nga opozita, e shohin këtë heshtje të Qeverisë si një dështim dhe nënshtrim tepër serioz që përcillet madje edhe me shkelje kushtetuese dhe cenim të sovranitetit të shtetit. Deputeti Adem Salihaj nga LDK-ja thotë se në emër të një tolerance të tepruar politike dhe institucionale ndaj komunitetit serb në Kosovë, shteti po bën devijime dhe shkelje kushtetuese. "Kosova po mundohet të duket tolerante ndaj serbëve,duke i lejuar ata të mbajnë zgjedhje sikur të ishte këtu Serbi, duke cenuar kështu sovranitetin e saj, me shpresë se do t'u hyjë në qejf ndërkombëtarëve dhe ata do ta lavdërojnë Kosovën. Këto veprime të Kosovës janë shumë të dëmshme, nuk do t'i sjellin asgjë të mirë dhe vetëm se do ta inkurajojnë Serbinë që të përzihet edhe më shumë në punët e brendshme të saj", është shprehur Salihaj. 

Cenimi kushtetues për faj të Qeverisë

Edhe deputetja Time Kadrijaj nga AAK-ja thotë se lejimi në heshtje i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve tregon më së miri se me sa papërgjegjësi sillen partnerët e koalicionit. "Është e papranueshme dhe nuk ka kurrfarë logjike që në një shtet të pavarur dhe sovran të zhvillohen aktivitete zgjedhore të një shteti tjetër dhe njëkohësisht të organizohen e zhvillohen, të mbahen zgjedhje të po atij shteti, sepse ne konsiderojnë që Kosova është shtet unik", tha ajo. Sipas saj, nëse lejohet kjo praktikë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, atëherë le të lejohet edhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës në komunat me shumicë shqiptare në Serbi, në Preshevë, në Medvegjë e në Bujanoc. "Lejimi i këtyre zgjedhjeve është lejim i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Serbisë në shtetin tonë dhe cenim i Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit", tha deputetja Kadrijaj nga AAK-ja. Gjykime të ashpra kundër Ekzekutivit, që lejon këtë ndërhyrje nga shteti serb brenda Republikës së Kosovës, kanë adresuar edhe ekspertët e së drejtës dhe analistët politikë." Po të ishte një Qeveri efikase dhe efiçiente, çfarë mjerisht nuk është Qeveria e vendit tonë, do të përfillte rendin juridik të shtetit me përkushtim dhe si e tillë ,ndër të tjera, nuk do të lejonte mbajtje të zgjedhjeve të shtetit tjetër, në këtë rast serb përbrenda shtetit tonë! Lejimi i mbajtjes së këtyre zgjedhje është cenim i rëndë i Kushtetutës së shtetit të Kosovës". tha prof. Riza Smaka.

Autoriteti shtetëror i goditur

Analisti Hidajet Ahmeti thotë se institucionet relevante të Kosovës ka kohë që kanë dëshmuar se kanë humbur legjitimitetin për të qeverisur dhe për të ushtruar sovranitetin kushtetues, madje edhe të garantuar kushtetutshmërisht dhe ligjërisht, sepse Kosova asnjëherë nuk ka arritur të shtrijë sovranitetin deri në kufijtë kushtetues, të cilët e nxjerrin dhe paraqesin atë si pronare në shtëpinë e vet. "Mbajtja eventuale e zgjedhjeve presidenciale në territorin e Kosovës, konsideroj se nuk përbën ndonjë befasi ose papritshmëri, duke e ditur gjithnjë nivelin e mosseriozitetit dhe sinqeritetit të Kosovës karshi Serbisë. Serbia, sipas dokumentit suprem, shprehjeve deklarative si dhe përdorimit për qëllime të ndryshme, Kosovën e konsideron si pjesë të pandashme të territorit të saj. Ajo arrin të implementojë planin e saj hegjemonist dhe imperialist pikërisht përmes nënshtrimit të institucioneve kosovare, të cilat gjithnjë pothuajse e kanë dëshmuar", theksoi ai. "Qeveria aktuale, si asnjëherë nuk dëshmoi Kosovën si vend kushtetues dhe demokratik në kuptimin se këtu ushtrohet qeverisje e drejtë dhe legjitime, duke kundërshtuar më tej çdo politikë provokative", tha Hidajet Ahmeti. Edhe analisti Jeton Kelmendi vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës prek keq sovranitetin e vendit dhe përdhos autoritetin e shtetit. "Është e habitshme se si krerët e institucioneve të Kosovës, president Thaçi, kryeministri Mustafa, dhe kryekuvendari Veseli merren me fushatat e tyre partiake e personale dhe nuk u bie në mend kjo çështje kaq me rëndësi", u shpreh ai. "Serbia akoma është në gjendje lufte me Kosovën, sepse pak muaj më herët vetë presidenti serb tha se ishte i gatshëm të shkojë edhe në luftë në Kosovë dhe vazhdimisht po e pengon Kosovën kudo që po mundet, derisa qeveritarët tanë, presidenti Thaçi, kryeministri Mustafa e kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tregohen zemërgjerë, duke mos penguar asnjë aktivitet zgjedhor të këtij shteti brenda shtetit tonë. Kjo nuk do të duhej toleruar, sepse për model kemi rastin e tubimeve të partisë së Erdoganit në disa vende të Evropës, ku nuk u lejuan të mbahen, ndërsa Qeveria dhe institucionet e Kosovës po dorëzohen para Serbisë", theksoi Kelmendi. 

(Kosova Sot)